Vatican News

Videomesazh i Papës Françesku: bota është përditë e më mizore me të përjashtuarit

"Luftrat prekin vetëm disa rajone të botës; e megjithatë, prodhimi dhe shitja e armëve bëhet në rajone të tjera, të cilat, pastaj, nuk duan të kujdesen për refugjatët, nuk duan…, nuk i pranojnë këta refugjatë, që bëhen të tillë, për shkak të konflikteve". Papa Françesku e ngre edhe një herë zërin kundër politikave, që i ndalin në kufi emigrantët dhe refugjatët, në videomesazhin për Ditën Botërore të Migrantit e të Refugjatit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku publikon sot një videomesazh për Ditën e ardhshme Botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që do të kremtohet më 29 shtator 2019. Seksioni për Migrantët dhe Refugjatët në Dikasterin për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor, nën varësinë e drejtpërdrejtë të Atit të Shenjtë, këtë muaj, na fton të reflektojmë mbi temën e kësaj Dite - “Nuk është fjala vetëm për emigrantë” – por edhe mbi një nëntemë, e cila ndryshon muaj për muaj. Kësaj here, duke ndjekur modelin e temës, na propozohet reflektimi “Është fjala të mos përjashtohet askush”. Vjen menjëherë pas 3 nëntemave të para: “Është fjala edhe për frikën tonë”, “Është fjala për bamirësinë” dhe “Është fjala për humanitetin tonë”.

         Pikërisht për nëntemën e këtij muaji, vetë Papa Françesku deshi të regjistrojë një videomesazh për t’i tërhequr vëmendjen botës, që shpesh është tepër “mizore me të përjashtuarit”, siç mund të jenë emigrantët dhe refugjatët. Duke ju ftuar ta ndiqni në faqen tonë të internetit “vaticannews.va”, në gjuhën shqipe, po ju propozojmë tekstin e mesazhit papnor:

         “‘Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell e shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor’ (Mt 18,10). Nuk është fjala vetëm për emigrantë: nuk duhet përjashtuar askush. Çdo ditë, bota aktuale bëhet edhe më elitiste e më mizore me të përjashtuarit. Vendet në zhvillim vazhdojnë t’u japin fund burimeve të tyre më të mira natyrore e njerëzore, në favor të pak tregjeve të privilegjuara. Luftrat prekin vetëm disa rajone të botës; e megjithatë, prodhimi dhe shitja e armëve bëhet në rajone të tjera, të cilat, pastaj, nuk duan të kujdesen për refugjatët, nuk duan…, nuk i pranojnë këta refugjatë, që bëhen të tillë, për shkak të konflikteve. Shpesh flitet për paqe, por shiten armë. Me këtë gjuhë, mund të flasim për hipokrizi. Ata, që i vuajnë pasojat, janë gjithmonë të vegjlit, të varfërit, më të brishtët, të cilët nuk lejohen të ulen në tryezë e u lihen vetëm ‘thërrimet’ e gostisë (shih Lk 16,19-21). Kisha ‘në dalje… di të ndërmarrë nisma pa frikë, të shkojë për të takuar, për të kërkuar të largëtit e të arrijë në kryqëzimet e udhëve për të ftuar të mënjanuarit’ (Nxitja apostolike “Evangelii Gaudium”,24), ata, që ne vetë po i përjashtojmë nga shoqëria. Zhvillimi ekskluzivist i bën të pasurit më të pasur e të varfërit më të varfër. Zhvillimi i vërtetë është ai, që synon të përfshijë – është gjithëpërfshirës – ka si qëllim t’i përfshijë gjithë burrat e gratë e botës, duke i promovuar në mënyrë të gjithanshme e, duke u shqetësuar për brezat e ardhshëm. Zhvillimi i vërtetë është gjithëpërfshirës dhe i frytshëm, i projektuar drejt së ardhmes”.

02 korrik 2019, 13:00