Papa Françesku Papa Françesku 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Nga tweet-i i Papës për vdekjen e Vincent Lambert, tek kard. Louis Raphael Sako, që flet për udhëtimin e ardhshëm të Atit të Shenjtë në Irak, tek mesazhi i Bergoglio-s për 25-vjetorin e atentatit terrorist në Buenos Ajres të Argjentinës: këto e lajme të tjera na njohin me veprimtaritë e Kishës Katolike nëpër botë.

R.SH. - Vatikan

Vdekja e Vincent Lambert. Papa i lutet Zotit ta pranojë në krahët e Tij

Javën e kaluar, mediat folën e debatuan mjaft mbi vdekjen e infermierit francez, Vincent Lambert, tetraplegjik prej më se 10 vitesh, simbol për betejën ligjore, që ka të bëjë me fundin e jetës. Pasi më 2 korrik, spitali ku ishte shtruar i ndërpreu ushqimin dhe hidratimin, Lambert ndërroi jetë më 11 korrik.

Në një tweet, pikërisht atë ditë, Papa Françesku shkruan: “Hyji Atë e pranoftë Vincent Lambert-in në krahët e Tij. Të mos ndërtojmë një qytetërim, që zhduk njerëzit, për jetën e të cilëve mendojmë se nuk është e denjë të jetohet: çdo jetë ka vlerë, gjithmonë”.

Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti, pohoi më pas: “E pritëm me dhimbje lajmin për vdekjen e Vincent Lambert. Lutemi që Zoti ta pranojë në Shtëpinë e Tij dhe u shprehim afërsinë tonë familjarëve dhe atyre që, deri në fund, u impenjuan ta ndihmojnë me dashuri dhe përkushtim”.

Ndërkaq, në tweet-in e saj, Akademia Papnore për Jetën foli për “humbje të humanitetit”. “Imzot Paglia dhe gjithë Akademia Papnore për Jetën – shkruhet në të - luten për familjen e Vincent Lambert, për mjekët, për të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë çështje”.

Kard. Sako: “Papa në Irak, si Ezekiel i ri”

Nga Bagdadi, Patriarku i Babilonisë së Kaldeasve, kard. Louis Raphael Sako, flet për udhëtimin e Papës Françesku në Irak, “ndoshta, në pranverën e vitit 2020” dhe shpreson që Ati i Shenjtë dhe kreu shiit Al Sistani të nënshkruajnë “në Najaf” dokumentin mbi vëllazërimin njerëzor, firmosur në Abu Dabi nga kreu sunit Al Tayyeb. Vizita, siç deklaron kardinali për agjencinë katolikë të lajmeve Sir, mund të pasurohet edhe nga një lutje ndërfetare në Ur të Kaldeasve dhe nga takimi me të shpërngulurit e Pllajës së Ninives, në Erbil. Papa do të vijë si “një Ezekiel i ri për të na hapur portën drejt së ardhmes në paqe”.

 “Papa Françesku është njeri i hapur, e kërkon paqen dhe vëllazërimin. Të gjithë në Irak, të krishterë dhe myslimanë, e vlerësojnë për thjeshtësinë dhe afërsinë e tij. Fjalët e tij prekin zemrën e të gjithëve, sepse janë ato të një bariu. Është njeri, që mund të sjellë paqe. Miliona myslimanë e kanë ndjekur vizitën e Papës në Abu Dabi. Kështu do të jetë edhe në Irak”. Patriarku i Babilonisë së Kaldeasve, kard. Louis Raphael Sako, flet kështu për vizitën e paralajmëruar të Papës Françesku në Irak në vitin 2020, “nëse nuk do të ketë tensione dhe probleme sigurie”. “Papa ka treguar vëmendje të vazhdueshme për Irakun”, nënvizon patriarku kaldeas. Kardinali njoftoi për këtë udhëtim, qershorin e kaluar, gjatë Takimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco). Në atë rast, përmendi edhe synimet e Atit të Shenjtë, i cili shkon në Irak për ta nxitur vendin të ecë përpara, “përmes pjesëmarrjes paqësore në arritjen e të mirës së përbashkët për të gjitha fetë e asaj shoqërie, duke mos rënë pre e tensioneve, që vijnë nga konfliktet e pafundme të fuqive rajonale”.

Papa: nuk është feja, që sjell luftë, por errësira e zemrave

“Nuk është feja, që nxit e çon drejt luftës, por errësira e zemrave të atyre, që kryejnë akte të paarsyeshme”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për 25-vjetorin e atentatit terrorist në Buenos Ajres të Argjentinës. Pikërisht, më 18 korrik 1994, një bombë në ndërtesën e Shoqatës Izraelite të Ndihmës në Argjentinë, shkaktoi 85 të vdekur e më se 200 të plagosur.

Mesazhi i Papës - i cili është edhe një ndër firmëtarët e një peticioni për gjetjen e përgjegjësive, kur ishte kryeipeshkëv i kryeqytetit – botohet këto ditë, nga mediat e vendit. Duke denoncuar sërish “luftën pjesë-pjesë”, përhapur në gjithë globin, Ati i Shenjtë shkruan: “Kjo Luftë e Tretë Botërore i ka shndërruar gratë në vejusha, bijtë e bijat në jetimë; e, gjithçka, bëhet në emër të Zotit, duke blasfemuar me emrin e Atij të Lumit… Paqja – përfundon Papa Françesku – nuk duhet të jetë vetëm e drejtë, arritja e saj duhet të jetë edhe detyrë e jona”.

Në Norcia, vendosja e gurit të parë të manastirit të ri benedektin

Me rastin e festës kushtuar Shën Benediktit, Pajtorit të Evropës, të enjten, më 11 korrik, u bekua guri i parë i manastirit të ri benediktin në San Benedetto in Monte, në Itali. Në këtë vend, u strehua bashkësia e klauzurës, në ikje nga tërmeti i vitit 2016, që e bëri rrafsh me tokën qendrën e Italisë.

Bekimi dhe vendosja e gurit themeltar të manastirit të ri të murgjërve benediktinë të Norcia-s është shenjë e qartë e rifillimit dhe lulëzimit të jetës dhe të veprimtarisë së tyre. Manastiri i ri i Shën Benediktit do të ndërtohet në kodër, ndërsa pritet të restaurohet edhe kuvendi në qendrën historike të Norcia-s. Të enjten, eprori, atë Benedikt Nivakoff dhe e gjithë bashkësia benedektine pritën dhjetëra besimtarë, duke hapur kremtimet liturgjike për nder të “Lajmëtarit të Paqes”, siç e pati quajtur Papa Gjon Pali II, edhe ai shenjt.

“I bëj të reja të gjitha gjërat”

Në gurin e vendosur në murin mbajtës të strukturës së re, është gdhendur fraza e Librit të Zbulesës, që shpreh “planin e dashurisë së Trinisë Shenjte”: “Nova facio omnia”, “I bëj të reja të gjitha gjërat”. Guri do të ruajë përgjithmonë edhe një letër të eprorit të bashkësisë, atë Nivakoff, në të cilën kujtohet kjo ditë “unike”. Çast i rëndësishëm për gjithë popullsinë, historikisht e lidhur me praninë e murgjërve.

Shën Benedikti dhe mesazhi i tij

Mësimi i Shën Benediktit, lindur në Norcia rreth vitit 480 pas Krishtit, është një nga levat më të fuqishme për farkëtimin e kulturës evropiane. Themeluesi i urdhërit benediktin, shenjt Pajtor i Evropës dhe ati i monakizmit perëndimor, e konsideroi njeriun në tërësi, duke pohuar “dinjitetin e tij të papërsëritshëm” dhe duke lënë një mesazh aktual edhe për sot:

“Shën Benedikti - shpjegon kryeipeshkvi i Spoleto-Norcia, imzot Renato Boccardo - para se të ishte ndërtues manastiresh, ishte ndërtues identiteti dhe bashkësie. Mesazhi i tij për sot, është ky: kemi nevojë t’i ribashkojmë njerëzit, jo njëri kundër tjetrit, por njëri me tjetrin. Ne e dimë – vë në dukje prelati - se Evropa priret të mbyllet gjithnjë e më shumë në vetvete e Papa Françesku vazhdon të na e kujtojë dhe të nxisë reflektimin në këtë nivel”.

Mogherini dhe Hahn përkujtuan genocidin e Srebrenicës

“Kjo tragjedi ende na persekuton, megjithëse kanë kaluar 24 vite”. Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së dhe Komisioneri Johannes Hahn përkujtuan më 11 korrik, gjenocidin e Srebrenicës me të gjitha “viktimat e me ata, që ua ka ndryshuar jetën ajo ngjarje tragjike”. Ditët nga 11 deri më 16 korrik 1995, kur mbi 8 mijë myslimanë u vranë nga milicët e ushtrisë serbo-boshnjake, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mladiç, janë “një nga çastet më të errta të njerëzimit, në historinë moderne evropiane”, deklaruan Mogherini dhe Hahn.

Përveç “detyrimit për t’i kujtuar gjithmonë”, “kemi përgjegjësinë që ta ngulim fort spirancën tek paqja dhe të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë banorët e Bosnjë-Herzegovinës dhe të rajonit”. Të dy liderët evropianë kërkuan të dënohet fajtorët e këtyre akteve dhe të kapërcehen problemet e së kaluarës, pa “retorika, që i hedhin benzinë zjarrit, por edhe pa e mohuar atë, pa e rishikuar për të ngritur në qiell kriminelët e luftës”.

Fushata e Unicef-it kundër martesave të parakohshme në Burkina Faso

 “Mos më quani zonjë”: kështu ia ka vënë titullin Unicef-i, fushatës kundër martesave të parakohshme në Burkina Faso, ku rreth 50% e vajzave martohen nga prindërit para se të mbushin moshën madhore, madje, 10% e tyre, kur janë më pak se 15 vjeç. Vendi afrikan, ku parashikohet që numri i të martuarave-fëmijë të rritet me 100% brenda vitit 2050, është në vendin e pestë në botë për çështjen e martesave të të miturve. Në këtë klasifikim, në krye të të cilit është Nigeri, nëntë nga dhjetë shtetet e para ndodhen në Afrikë.

 Sipas Unicef-it, kur një adoleshente martohet para kohe, ka më pak perspektiva për një jetë të shëndetshme e të suksesshme, e shpesh, hyn në një cikël varfërie, që zgjatet për breza me radhë. Të rejat, që janë premtuar për martesë që kur kanë lindur, nuk shkojnë në shkollë e mund të bëhen viktima të dhunës shtëpiake, ose të rrezikojnë vdekjen, gjatë shtatzanive në moshë fare të re.

Edhe fëmijët e këtyre grave të njoma rrezikojnë më tepër të vdesin në lindje, ose menjëherë pas. Prandaj, sipas Unicef-it, është themelore të emancipohen vajzat, duke i çuar në shkollë për një periudhë sa më të gjatë. Nevojitet edhe ndërhyrja mbi bashkësitë, ku ato bëjnë pjesë, të cilat duhet të ndryshojnë qëndrimin dhe mendësinë.

Ipeshkvijtë e Venezuelës: “gjendja, gjithnjë e më dramatike”

Një mesazh për gjendjen në vend, që konsiderohet “dramatike” dhe gjithnjë e më serioze. Jo më larg se të enjten e kaluar, Konferenca Ipeshkvnore e Venezuelës (CEV), në fund të asamblesë së saj së përgjithshme, mbajtur në Caracas, ngriti zërin kundër dhunimit të të drejtave të njeriut në vendin latinoamerikan. Ipeshkvijtë përmendën raportin e fundit të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ku theksohet se në Venezuelë “ka raste të shumta paraburgimi arbitrar, torture dhe keqtrajtimi nga ana e organeve shtetërore”. Në raport jepen edhe shembuj konkretë e përmenden emra.

Raporti shpjegon se, në dhjetëvjeçarin e fundit, janë zbatuar politika për kufizimin e demokracisë. Rreth  12% e popullsisë venezueliane është larguar nga vendi, për shkak të politikës dhe të varfërisë në rritje. Ipeshkvijtë shqetësohen edhe për faktin se “në kuadrin e kësaj krize, shoqëria po degradon moralisht, duke i lënë hapësirë dhunës, gënjeshtrës, korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, ndërkohë që shtohet dëshpërimi dhe frika”. Përballë kësaj situate, “një nga detyrat kryesore të Kishës në vend është ndërtimi i një shoqërie më të drejtë, më dinjitoze, më njerëzore, më të krishterë dhe më solidare”.

Imzot Palombella, mjeshtri i korit të Sikstinës, përfundon detyrën

Drejtori i Kapelës Muzikore Papnore Sikstine, saleziani, imzot Massimo Palombella, “përfundoi shërbimin e tij”, pasi Papa Françesku “pranoi kërkesën e Mjeshtrit për t’i dhënë fund detyrës”. Njoftimin e dha Salla e Shtypit të Vatikanit, e cila, javën e kaluar, sqaroi se vendimi u mor “pas shprehjes së mendimit të Kongregatës së Salezianëve të Don Boskos dhe të Zyrës së Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë”. Tani, imzot Palombella “është në dispozicion të Kongregatës Saleziane”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit, Alessandro Gisotti, shtoi se udhëheqësi i përkohshëm i Kapelës Muzikore do të jetë imzot Marcos Pavan, aktualisht Mjeshtër i “Pueri Cantores” të Kapelës Sikstine. Që nga 17 janari i këtij viti, me një Motu Proprio të Papës Françesku, Kori i Kapelës Sikstine bën pjesë në Zyrën e Kremtimeve Liturgjike Papnore, udhëhequr nga imzot Guido Marini.

14 korrik 2019, 10:13