Kërko

 Kardinali Paolo Sardi Kardinali Paolo Sardi 

Vdiq Paolo Sardi, kardinali me moton “Të jesh vigjilent!”. Ngushëllimet e Papës

Papa Françesku shpreh ngushëllimet për kardinalin Paolo Sardi, që ndërroi jetë dje, në moshën 84 vjeçare, në Spitalin romak Gemelli, pas një sëmundjeje të shkurtër. Telegrami i drejtohet zotit Pietro Angelo Sardi dhe familjes.

R. SH. - Vatikan

“Falënderoj Zotin për dëshminë shembullore të kardinalit të ndjerë Paolo Sardi, që e vuri në shërbim të Selisë së Shenjtë pjesën kryesore të jetës së tij”. Fjalë plot mirënjohje, këto të Papës, kushtuar kardinalit Sardi, që vdiq dje, në Romë. Në telegramin, drejtuar zotit Pietro Angelo Sardi, Papa i shpreh ngushëllimet edhe bashkësisë dioqezane të Acqui-t. Në vijim  thekson përgatitjen e shkëlqyer teologjike të Kardinalit Sardi dhe dhuratat e tjera të çmuara, me të cilat e pati pajisë Zoti, të vëna në jetë, duke i dhënë një kontribut me vlerë magjisterit të Shën Palit VI, Shën Gjon Palit II dhe Benediktit XVI.

“Lutja ime - shkruan Papa në telegram - bashkohet me lutjen e besimtarëve të panumërt, të cilët patën fatin të ndjekin çdo ditë Meshën e tij", me homelitë e paharrueshme, në Bazilikën e Vatikanit. Mesha e kardinalit Sardi, që jetoi e vdiq sipas motos së tij ipeshkvnore “Esto vigilans”, ishte gjithnjë festë feje!

Mesha e Dritës  

Mesha e Dritës e kardinalit të ndjerë Sardi, diakon i Shën Marisë Ndihmëtare, në rrugën Tuscolana, do të kremtohet nesër, në orën 10.30, pranë Altarit të Katedrës, në Bazilikën e Vatikanit. Liturgjia - njofton Zyra e Kremtimeve Liturgjike - do të kryesohet nga kardinali Tarcisio Bertone. Papa Françesku do të kryesojë ritet e Ultima Commendatio e të Valedictio -   të Lëshimit në dorë të Zotit dhe të Lamtumirës së e fundit.

14 korrik 2019, 15:15