Pierre e Viviane, prindërit e Vincent Lambert Pierre e Viviane, prindërit e Vincent Lambert 

Papa: të lutemi për të sëmurët, që braktisen e lihen të vdesin

Vincent Lambert po vdes, pasi ia kanë hequr ushqimin dhe ujin. Në një tweet të ri, Papa Françesku pohon se shoqëria është njerëzore nëse mbron çdo jetë, pa zgjedhur kush është e denjë për t’u jetuar.

R.SH. - Vatikan

Papa shkroi sot një tweet të ri në nëntë gjuhët e faqes së tij në Twitter, @Pontifex: “Të lutemi për të sëmurët, që braktisen e lihen të vdesin. Një shoqëri është njerëzore, nëse e mbron jetën, çdo jetë, nga fillimi deri në përfundimin e saj të natyrshëm, pa zgjedhur kush është e kush nuk është i denjë për të jetuar. Mjekët t’i shërbejnë jetës e jo ta shkurtojnë atë”.

         Ky tweet i ri i Atit të Shenjtë nuk është i rastësishëm. Në Francë, Vincent Lambert, 42-vjeçar në gjendje vegjetative, ose me vetëdije minimale, sipas mendimeve të ndryshme mjekësore, po vdes nga uria dhe nga etja në spitalin universitar të Reims-it, ku është shtruar pas një aksidenti rrugor, në vitin 2008. Punonjësit e strukturës, më 2 korrik, pezulluan ushqimin dhe hidratimin, pas një beteje të gjatë ligjore, që mori përmasa ndërkombëtare.

Parisi nuk e pranoi kërkesën e OKB-së

         Në fund të saj, Franca vendosi të mos e merrte parasysh thirrjen e Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njerëzve me Aftësi të Kufizuara, i cili kërkoi gjashtë muaj për të shqyrtuar rastin. Konventa përkatëse e OKB-së - e cila është ratifikuar nga Parisi, por për qeverinë franceze “nuk është e detyrueshme” - në nenin 25, thekson nevojën për të “marrë të gjitha masat që njerëzit me aftësi të kufizuara të kenë shërbimet e duhura shëndetësore... përfshirë shërbimet e rehabilitimit”. Gjithashtu, nënvizon se duhet parandaluar “refuzimi diskriminues i ndihmës mjekësore, ose i mjekimeve dhe i kujdesit shëndetësor, ose refuzimi i ushqimit dhe i lëngjeve, duke u bazuar vetëm në aftësitë e kufizuara” të të sëmurit.

Dhimbje e parespektuar

         Prindërit e Vincent-it akuzojnë se po u vrasin djalin, i cili merr frymë vetë e nuk është në prag të vdekjes. Është fjala për eutanazi, denoncojnë ata e, eutanazia është e ndaluar në Francë. Dhimbja e babait dhe e nënës, dëshmitarë të pafuqishëm të vdekjes së planifikuar të birit të tyre, bëhet edhe më e hidhur nga kritikat, madje, nga fyerjet e disa sektorëve, që i quajnë “katolikë integralistë”.

“Jo”, kulturës së hedhurinave

         Edhe më 20 maj, kur mjekët e ndërprenë për herë të parë ushqimin dhe hidratimin, që rifilluan pas vendimit të atëhershëm të Gjykatës së Apelit, Papa pati shkruar këtë tweet: “Të lutemi për ata që jetojnë në gjendje sëmundjeje të rëndë. Ta ruajmë gjithmonë jetën, dhuratë e Zotit, që nga fillimi deri në fundin e saj natyror. Të mos i lëshojmë pe kulturës së hedhurinave”. Vitin e kaluar, Ati i Shenjtë bëri dy thirrje publike për Vincent Lambert, duke e përmendur me emër, gjë e rrallë në thirrjet papnore. Si gjithnjë, kërkoi mbrojtjen e jetës, duke e ngritur zërin edhe për vogëlushin Alfie Evans në Angli e për të sëmurë në vende të tjera, që mund të pësojnë të njëjtin fat të hidhur.

10 korrik 2019, 15:08