Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: misioni i Kishës është kumtimi e dëshmia

Françesku i nxit besimtarët të luten me zemër të hapur, që Zoti të dërgojë misionarë në botë. Misioni i dishepujve të Krishtit, nënvizon, është t’u kumtojnë të gjithëve se “Zoti na do, se Zoti dëshiron të na shpëtojë”.

Dërgimi, nga ana e Jezusit, i shtatëdhjetë e dy dishepujve, pas dymbëdhjetë Apostujve “i paraprin misionit të Kishës për t’ua kumtuar Ungjillin të gjithë njerëzve”. Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot,  Françesku e lidhi faqen ungjillore me lutjen që Hyu Atë “të dërgojë sa më shumë punëtorë, për të punuar në arën e pafundme, që është bota”:

“E secili nga ne duhet ta bëjë këtë me zemër të hapur, me frymë misionare; lutja jonë nuk duhet kufizuar vetëm duke i kërkuar Zotit të na i plotësojë kërkesat tona; ajo është me të vërtetë e krishterë, vetëm nëse ka edhe një përmasë universale”.

Misioni për t’ua kumtuar Ungjillin të gjithë njerëzve - shtoi Françesku - “bazohet mbi lutjen”. Eshtë endacak e kërkon shkëputjen nga interesat e kësaj bote. Kërkon varfërinë e çon kudo paqe e shërim, shenja që flasin për afërsinë e Zotit. Ky mision - nënvizoi Papa - nuk është prozelitizëm, por kumt e dëshmi:

“Kërkon edhe çiltërsi e liri ungjillore për të shkuar e për të vënë në  dukje  përgjegjësinë e atyre, që nuk e pranojnë mesazhin e shëlbimit, por pa dënime e pa mallkime”.

Të ecim përkrah Jezusit  

Çdo dishepull - kujtoi Papa - është edhe misionar, që “ecën në shoqëri me  Jezusin” e mëson prej Zotit ta shkrijë pa kursim gjithë jetën për të tjerët, i çliruar nga vetvetja e nga pasjet e tij. Nëse jetohet vërtetësisht, misioni i Kishës - shpjegoi Françesku -  është gurrë gëzimi:

“Të shtatëdhjetë e dytët u kthyen përplot me gëzim  - vëren ungjilltari - E këtu nuk bëhet fjalë për gëzimin jetëshkurtër, kalimtar, që buron nga suksesi i misionit: përkundrazi, është gëzim, që i ka rrënjët në premtimin e Jezusit: ‘Emrat tuaj janë shkruar në qiell’ (v.20). Me këtë shprehje, Ai ka parasysh gëzimin shpirtëror e të pashkatërrueshëm, që lind nga vetëdija se të thirri vetë Zoti për të ecur pas të Birit. Gëzohesh, pra, se je dishepull i Tij”.

Lutja drejtuar Marisë  

Ati i Shenjtë i nxiti, në përfundim, besimtarët, të kërkojnë mbrojtjen  amtare të Zojës së Bekuar, që ta mbështesë në çdo kohë e në çdo vend misionin e dishepujve të Krishtit. Misionin për t’u kumtuar të gjithëve se “Zoti na do, se dëshiron të na shpëtojë e se na bën thirrje të bëjmë pjesë në Mbretërinë e Tij”.

Françesku lutet për emigrantët e vrarë nga sulmet ajrore në Libi.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi besimtarët dhe shtegtarët të luten për njerëzit, që mbetën, këto ditë, të vrarë e të plagosur gjatë sulmit ajror mbi një burg emigrantësh, në Libi. Kujtoi edhe të gjitha viktimat e masakrave të kohëve të fundit në Afganistan, Mali, Burkina Faso e Niger.

07 korrik 2019, 13:24