Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi na kujton se lutja është bashkim me Zotin

Duke komentuar fragmetin ungjillor të Lukës, në të cilin Jezusi ua mëson “Atynën” dishepujve, Françesku na nxit të lutemi pa pushim, për të hyrë në komunikim me Atin, duke krijuar lidhje personale me Të e duke i bërë mijëra pyetje, si i bëjnë fëmijët babait.

R. SH. - Vatikan

“Jemi të thirrur të lutemi pambarimisht e pa u lodhur kurrë”, siç bëjnë  fëmijët kur, me psetë e tyre, duan të tërheqin vëmendjen e etërve. Papa Françesku e kujtoi këtë gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, duke komentuar Ungjillin e Lukës, që na përshkruan rrethanat në të cilat Jezusi ua mëson “Atynën dishepujve të vet”. Po, a nuk luteshin dishepujt? Luteshin, sigurisht. Me formulat e traditës hebraike. Por, duke parë si lutej Jezusi, u lindi edhe atyre dëshira të luteshin si Mjeshtri.

Në komunikim me Atin

Jezusi nuk jep ndonjë përkufizim abstrakt për lutjen, as nuk mëson ndonjë teknikë të frytshme për t’u lutur e për të fituar hirin e kërkuar:

“I fton të tijtë të luten, duke i vënë në komunikim të drejtpërdrejt me Atin  e duke ngjallur në shpirtin e tyre mallin për lidhjen personale me Zotin, me Krijuesin. Këtu qëndron risija e lutjes së krishterë! Është dialog ndërmjet vetjesh, që duhen, dialog i bazuar mbi besimin, i mbështetur nga dëgjimi e i hapur për angazhim solidar. Lutja është dialog i Birit me Atin, dialog ndërmjet bijve me Atin. Kjo është lutja e krishterë”.

Dhuratë e çmuar e Mësuesit

Françesku nënvizoi se lutja është “përmasë themelore” në jetën e Mësuesit. Çdo veprim i Tij i rëndësishëm paraprihet nga ndalesa të gjata në lutje, si lidhje e ngushtë me Atin. Aq sa dishepujt - vijoi Papa -  dëshirojnë të marrin pjesë në këto çaste të bashkimit me Zotin, për t’ua shijuar plotësisht ëmbëlsinë. E Jezusi u dorëzon Atynën - pohoi Françesku - ndoshta, dhurata më e çmuar, që na la Mësuesi Hyjnor gjatë misionit të Tij mbi tokë:

“Pasi e zbuloi misterin e tij si Bir e vëlla, me këtë lutje Jezusi na bën të depërtojmë në atësinë e Zotit; e këtë dua ta nënvizoj: kur Jezusi na mëson Atynën, na bën të hyjmë në atësinë e Zotit e na tregon edhe mënyrën për të hyrë në dialog me Të, përmes udhës së mirëbesimit bijnor. Është dialog ndërmjet atit me birin, ndërmjet birit me atin”.

Dhurata e Zotit

Ajo, që kërkojmë në Atynë - vuri në dukje Françesku - realizohet plotësisht  për ne në Birin e Vetëm; domethënë, Shenjtërimi i Emrit, ardhja e Mbretërisë, dhurata e bukës, e faljes dhe e çlirimit nga e keqja:

“Ndërsa kërkojmë, ne hapin shuplakën për të marrë. Për të marrë dhuratat,  të cilat Ati na bëri t’i shikojmë në Birin. Lutja, që na e mësoi Zoti, është sintezë e të gjitha lutjeve e ne ia drejtojmë Atit përherë të bashkuar me vëllezërit. Ndodh që në lutje të ketë edhe hutime, por në shumicën e rasteve dëshirojmë të ndalohemi tek fjala e parë ‘Atë’, e ta ndjejmë atësinë në thellësi të zemrës”.

Ngulmi i fëmijëve

Në fragmentin ungjillor - shtoi Papa - Luka na propozon shëmbëlltyrën e

njeriut të besdisshëm që, duke pasur një nevojë, shkon e i troket mikut në derë në pikë të mesnatës. Kohë krejt e papërshtatshme për të kërkuar. Po ai troket e troket e në fund e merr atë, që deshi! E kjo do të thotë se edhe ne duhet të ngulmojmë në lutje. Françesku kujtoi çka bëjnë fëmijët tre vjeç a tre vjeç e gjysëm. Moshë, që në Argjentinë quhet “mosha e pseve”:

“Fëmijët nisin ta shikojnë babain e t’i thonë: ‘baba, pse?’, e kërkojnë shpjegime. Por, kujdes! Puna nuk mbaron këtu. Kur babai fillon të shpjegojë psetë, nis menjëherë një pyteje tjetër, pa ia vënë veshin deri në fund shpjegimit të parë. Çfarë ndodh? Ndodh që fëmijët e ndjejnë veten të pasigurt për një mori gjërash, që i kuptojnë përgjysëm. E duan të tërheqin vëmendjen e babait mbi këtë. Me ato pse, pse pse…? Ne, në Atynë, nëse ndalemi tek fjala e parë,  bëjmë të njëjtën gjë, që e bënim kur ishim fëmijë, duam të tërheqim mbi ne shikimin e Atit. Sepse po t’i themi ‘Atë, o Atë’ e pastaj edhe ‘pse?’, ai do të na dëgjojë e do të na shikojë”.

Përshëndetjet

Pasi iu lut Marisë, Gruas gjithnjë në uratë, që të na ndihmojë t’i lutemi Atit  të bashkuar me Jezusin, për ta jetuar Ungjillin të prirë nga Shpirti Shenjt, në përshëndetjet përfundimtare të Engjëllit të Tënzot, Françesku iu drejtua, ndërmjet shtegtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, lagur nga shtrëngata e rrëmbyer e natës mbi Romën, mysafirëve të Uruguajt – të cilëve u kujtoi maten, pijen e tyre tradicionale - pastaj atyre polakë e spanjollë. Kujtoi edhe Motrat e Shën Elizabetës, grupin Avart Organización International de Arte y Cultura Mexicana të Pueblës dhe të rinjtë e famullisë së Shën Ritës së Kashias, ardhur nga Torino.

Të gjithëve, Papa u uroi një javë të gëzuar!

28 korrik 2019, 14:51