Vatican News
Papa Françesku ne lutje Papa Françesku ne lutje 

Papa na fton të komunikojmë drejtpërdrejt me Atin

“Të lidhemi drejtpërdrejt me Atin Hyjnor në lutje”- kjo risia e lutjes së krishterë, e edhe ftesa e Papës, përmes tweet-it të ri të kësaj së dieleje.

R. SH. - Vatikan

“Të lidhemi drejtpërdrejtë me Atin në lutje” - për këtë na fton Papa përmes një tweet-i të ri, në faqen e tij të internetit @Pontifex, në nëntë gjuhë:

“Në Ungjillin e sotëm Jezusi na fton të lutemi, duke u lidhur drejpërdrejt me Atin. Kjo është e reja e lutjes së krishterë! Ajo është dialog ndërmjet njerëzve, që duhen, dialog i bazuar mbi mirëbesimin!”. Kёshtu, pra, pohon Papa Françesku, nё njё tweet nё tё dielën e 17-tё gjatё vitit kishtar, tё cilёn Kisha katolike e kremton sot, 28 korrik 2019.

Lutja e thjeshtë drejtuar Zotit, sipas  Papës Françesku përshkon pesë gishtat e dorës, e simbolizojnë përvujtërinë, thjeshtësinë, mirëkuptimin, vëmendjen ndaj të gjithëve. E edhe heshtjen para Jezu Krishtit nё uratë, heshtja që ёshtё meditim, kundrim i Fjalës sё Zotit, aq e dashur për jezuitët. Një i krishterë njihet si i tillë nëse ka një zemër që di të lutet e të falë. Në meshën e mëngjesit tё 8 tetorit 2013 Papa Françesku foli pikërisht mbi rëndësinë e lutjes.

Papa: lutja fillon me vetë jetën e na çliron nga dëshpërimi

Nё audiencёn e pёrgjithshme mbajtur nё Vatikan, mё 12 dhjetor 2018, Papa Françesku, duke vijura katekizmin e tij mbi lutjen e “Ati ynё”, tё cilin e pati nisur njё javё mё parё, mes tjerash, theksoi se lutja fillon me vetё jetёn e na çliron nga dёshpёrimi.

Papa Françesku duke folur mbi lutjen “Ati ynë”, tha se urata “Ati ynë” është “e shkurtër”, por “e guximshme”: “Jezusi nuk na mëson formula për ta ‘bërë për vete’ Zotin, por na fton t'i lutemi, duke i rrëzuar pengesat e nënshtrimit dhe të frikës”. Këtë nënvizon Papa duke kutjuar “Ati ynë” ёshtё urata që vetë Jezu Krishti ua mëson dishepujve.

Jo formulave për “ta bërë për vete” Zotin

Papa Bergoglio kujtoi se në “Atynën” nuk ka asnjë lloj paramendimi. Në të gjejmë vetëm besimin e bijve në Hyjin Atë.

Lutja “Ati ynë” i ka rrënjët në realitetin konkret të njeriut. Për shembull, na bën të kërkojmë bukë, bukën e përditshme: kërkesë e thjeshtë por thelbësore, e cila na thotë se besimi nuk është çështje “dekorative”, e shkëputur nga jeta, që vjen kur plotësohen të gjitha nevojat e tjera. Përkundrazi, lutja fillon me vetë jetën. Lutja - na mëson Jezusi - nuk fillon gjatë jetës njerëzore pasi mbushet barku: ajo bën fole kudo ku ndodhet njeriu, çdo njeri, që ka uri, derdh lot, lufton, vuan dhe pyet “pse”.

Kërkimi i përhershëm i lumturisë

Në një farë mënyre, “lutja jonë e parë” është “vajtimi që shoqëroi frymëmarrjen e parë”, një vaj që kumton “fatin e gjithë jetës sonë: urinë tonë të vazhdueshme, etjen e përhershme, kërkimin e lumturisë”.

Jezusi, në lutje, nuk dëshiron ta shuajë njerëzoren, nuk do ta anestetizojë atë. Nuk dëshiron që t'i zbusim pyetjet dhe kërkesat, duke mësuar të durojmë gjithçka. Në vend të kësaj, dëshiron që të gjitha vuajtjet, çdo shqetësim, të lartohet drejt qiellit dhe të bëhet dialog.

Feja është zakoni për ta ngritur zërin

Besimtarëve të pranishëm, Papa Françesku u thotë se të gjithë duhet të jemi si “i verbri, që lypte në portat e Jerikos”. Atij nuk iu bë vonë a e shqetësonte Mësuesin Jezus, a bëhej i bezdisshëm me thirrjet e tij: “donte vetëm të shërohej”.

Lutja, jo vetëm i paraprin shëlbimit, por, në një farë mënyre, e përmban atë, sepse na çliron nga dëshpërimi i atij, që nuk beson se ka rrugëdalje nga shumë situata të padurueshme.

Pyeteni Atin, pa frikë

Në të kaluarën, ndokush ka mbështetur teorinë se “lutja që kërkon ndonjë gjë është formë e dobët e besimit”, ndërsa ajo “më e vërteta” është lutja e “lavdërimit të pastër, ajo që e kërkon Zotin, pa barrën e ndonjë kërkese”. Por kjo, thekson Papa, nuk është e vërtetë.

Feja [lutja] që kërkon diçka është e vërtetë! Është spontane! Është akt besimi në Zotin, që është Atë, është i mirë, është i gjithëpushtetshëm. Është akt besimi tek vetvetja, tek unë, që jam i vogël, mëkatar, nevojtar. Prandaj, lutja për të kërkuar diçka është shumë fisnike. Zoti është Ati, që ka dhembshuri të madhe për ne dhe dëshiron që fëmijët e Tij t'i flasin pa frikë, drejtpërdrejt: “O Atë” ose në vështirësi: “O Zot, ç’më bëre?”. Drejtpërdrejt. Prandaj, mund t’i tregojmë gjithçka, edhe gjërat që mbeten të shtrembëta dhe të pakuptueshme në jetën tonë.

28 korrik 2019, 15:49