Cerca

Vatican News

Papa lutet për Vincent Lambert: çdo jetë ka vlerë, gjithmonë

Lutja e Papës për infermierin francez, që vdiq sot në mëngjes, në orën 8.24, për mungesë uji dhe ushqimi. “Hyji Atë e pranoftë në krahët e veta Vincent Lambert-in”, shkruan Françesku në një tweet.

R.SH. - Vatikan

Do të kishte mbushur 43 vjeç, më 20 shtatorin e ardhshëm. Por, Vincent Lambert vdiq sot në mëngjes, në spitalin e Reim-its, në Francën veriore, ku ishte shtruar pas aksidentit rrugor, që e la të gjymtuar në vitin 2008. Që nga 2 korriku, nuk i jepej më ushqim e ujë. Vincent nuk ishte në prag të vdekjes. Prej më shumë se 10 vitesh, jetonte në gjendje vetëdije minimale, për disa, e në gjendje vegjetative, për disa të tjerë.

Papa dhe Selia e Shenjtë

         Edhe sot, pasi ka bërë thirrje të ndryshme për të mos e lënë të vdesë nga uria e nga etja, Papa Françesku shkruan në një tweet: “Hyji Atë e pranoftë Vincent Lambert-in në krahët e Tij. Të mos ndërtojmë një qytetërim, që zhduk njerëzit, për jetën e të cilëve mendojmë se nuk është e denjë të jetohet: çdo jetë ka vlerë, gjithmonë”. Jo më larg se dje, në një tweet tjetër, Ati i Shenjtë shkruante: “Të lutemi për të sëmurët, që braktisen e lihen të vdesin. Një shoqëri është njerëzore, nëse e mbron jetën, çdo jetë, nga fillimi deri në përfundimin e saj të natyrshëm, pa zgjedhur kush është e kush nuk është i denjë për të jetuar. Mjekët t’i shërbejnë jetës e jo ta shkurtojnë atë”.

Sot në mëngjes, në një tweet të saj, Akademia Papnore për Jetën nënvizon: “Imzot Paglia dhe gjithë Akademia Papnore për Jetën luten për familjen e Vincent Lambert, për mjekët, për të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë çështje. Vdekja e Vincent Lambert dhe historia e tij janë humbje për humanitetin tonë”.

“E pritëm me dhimbje lajmin për vdekjen e Vincent Lambert”, pohoi më pas, në një deklaratë, drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti. “Lutemi – shtoi ai – që Zoti ta pranojë në Shtëpinë e Tij dhe u shprehim afërsinë tonë familjarëve dhe atyre që, deri në fund, u impenjuan ta ndihmojnë me dashuri dhe përkushtim. Kujtojmë dhe përsërisim ç’pati thënë Ati i Shenjtë, kur foli për këtë çështje të dhimbshme: Zoti është i vetmi padron i jetës, nga fillimi deri në fundin e natyrshëm, prandaj është detyrë e jona ta ruajmë atë gjithmonë dhe të mos dorëzohemi para kulturës së hedhurinave”.

11 korrik 2019, 15:04