Kërko

Vatican News

Papa lutet për migrantët e vrarë gjatë sulmeve ajrore në Libi

Papa, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, i ftoi të gjithë të luten për viktimat e sulmit në qendrën e burgimit për migrantët në Libi, si dhe për aktet e fundit të dhunës në Afganistan, Mali, Burkina Faso e Niger.

R. SH. - Vatikan

Pasi kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi të gjithë të luten “për njerëzit e varfër, të pambrojtur, që u vranë a u plagosën gjatë sulmit ajror mbi burgun e migrantëve në Libi”. Françesku iu drejtua edhe bashkësisë ndërkombëtare, duke theksuar se  kjo e fundit “nuk mund e nuk duhet të tolerojë fakte kaq të rënda”. Uroi edhe që të organizohen korridoret humanitare:

“Lutem për viktimat: Zoti i paqes i pranoftë të vdekurit pranë vetes e i ndihmoftë të plagosurit. Uroj që të organizohen në mënyrë sa më të plotë e të përbashkët korridoret humanitare për emigrantët e për më nevojtarët”.

Dhuna vijon të endet edhe në vende të tjera

Së fundi Papa kujtoi edhe viktimat e dhunës, ushtruar në vende të tjera, të tronditura nga mungesa e stabilitetit, nga luftërat e nga krizat ekonomike e poltike:

“Kujtoj edhe të gjitha viktimat e masakrave, që u kryen kohët e fundit në Afganistan, Burkina Faso e Niger. Të lutemi së bashku!”.

07 korrik 2019, 14:30