Kërko

Papa: “Larg nesh, pandjeshmëria egoiste!”.

Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa komentoi Ungjillin e sotëm, me shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë. E i ftoi të gjithë ta jetojnë lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet dashurisë për Zotin e dashurisë konkrete e bujare për vëllezërit.

R. SH. - Vatikan

“Fytyra e vërtetë e dashurisë është mëshira ndaj njeriut, në ditë të vështirë” Këtë theksoi Papa Françesku, para se t’i printe lutjes së Engjëllit të Tënzot me besimtarët. Duke komentuar shembëlltyrën e “samaritanit të mirë” (krh Lk 10,25-37), model që na tregon si duhet të veprojë i krishteri, Papa sqaroi se nuk jemi ne, që vendosim, mbi bazën e kritereve  tona, kush është i afërmi e kush nuk është. Vendos nevojtari, ai që, në ditë të vështirë, ka nevojë për të afërmin, domethënë, për njeriun e mëshirshëm:

“Dishepuj të vërtetë të Jezusit mund të bëheni e të shikoni fytyrën e Atit, duke zbatuar urdhërimin: ‘Jini të mëshirshën, siç është i mëshirshëm Ati juaj’. E kështu urdhërimi i dashurisë bëhet rregull i vetëm e i përhershëm i jetës”.

Por, kush është i afërmi im?

Faqet e shkruara nga Shën Luka Ungjilltar lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kishës e të njerëzimit. Duke i shfletuar, ndeshemi me një doktor ligji, që i drejton Jezusit pyetje me vlerë jetike shpirtërore: “Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. E me të Birin e Zotit, që e fton ta gjejë përgjigjen në Shkrimet Shenjte. Ftesë, kjo, që na drejtohet të gjithëve. E nëse i shfletojmë Shkrimet, do të gjejmë të shkruar urdhërimin: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, e të afërmin tënd, porsi vetveten”. Kjo, përgjigjja e  Zotit. Por njerëzit aso kohe kishin mendime të ndryshme lidhur me të afërmin. Nuk ishte e lehtë ta përcaktoje kush ishte e kush nuk ishte i afërmi! Edhe këtë na e sqaron vetë Zoti, duke vijuar të na flasë me shëmbëlltyra. Ndërmjet tyre, një nga më prekëset, është pa dyshim, ajo e samaritanit të mirë, që kujdeset për një të panjohur, të cilin e gjen rastësisht në udhë të madhe, të gjakosur e të plaçkitur nga cubat, që nuk mungojnë kurrë udhëve të njerëzimit:

“E dimë se judenjtë i trajtonin me përbuzje të thellë samaritanët, duke i shikuar si të huaj për popullin e zgjedhur. Nuk është, prandaj, e rastit, që Jezusi zgjedh pikërisht një samaritan, si personazh kryesor pozitiv për shëmbëlltyrën. Në këtë mënyrë dëshiron ta kapërcejë paragjykimin, duke treguar se edhe një huaj, edhe një që nuk e njeh Zotin e vërtetë e nuk shkon të lutet në Tempull, është i aftë të sillet sipas vullnetit të Tij, duke pasur mëshirë, si mik i mirë në ditë të vështirë, për nevojtarin e duke e ndihmuar me të gjitha mjetet e mundësitë, që kishte”.

Fe e vërtetë e humanizëm i përkryer

Nëpër të njëjtën rrugë - kujtoi Papa duke vijuar  komentin e faqes ungjillore - para se të kalonte Samaritani, kishin kaluar edhe të tjerë. Ndërmjet tyre, një prift e një levit, domethënë, njerëz të kushtuar kultit të Zotit. Por asnjëri nuk u ndalua pranë njeriut, që vuante:

“I kundërvinin një rregull njerëzor lidhur me kultin, Urdhërimit të madh të Zotit, që kërkon, mbi gjithçka, mëshirë! Prandaj Jezusi propozon si model samaritanin, jo priftin! Sepse ai, duke e dashur vëllain si vetveten, dëshmoi se e do Zotin me gjithë zemër, me të gjitha forcat, me gjithë vetveten, duke treguar, njëkohësisht, se ka në shpirt fe të vërtetë e humanizëm të përkryer”.

14 korrik 2019, 15:04