Kërko

Vatican News

Papa i dhuron Patrikut Bartolomeu një relike të Shën Pjetrit

Papa Françesku i dhuroi Patrikut Ekumenik Bartolomeu një relike të Shën Pjetrit me rastin e festës së 29 qershorit. Me gëzim të madh, Patriku u dha menjëherë lajmin gjithë besimtarëve ortodoksë.

R.SH. - Vatikan

Mbeti i mahnitur të shtunën, delegacioni i Patrikanës Ekumenike të Konstandinopojës, i pranishëm në Romë, për të marrë pjesë në meshën e Papës Françesku, më 29 qershor, në solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit. Në çastin e nderimeve tek varri i Shën Pjetrit Apostull, nën altarin e Bazilikës së Vatikanit, në fund të meshës, Ati i Shenjtë i njoftoi kreut të delegacionit ekumenik se donte t’i bënte një dhuratë për “vëllait” të tij, Patrikun Bartolomeu. Një dhuratë, për të cilën Papa nuk dha hollësi të mëtejshme. Në fund të festës, Françesku i kërkoi kryepeshkopit Job ta shoqërojë me makinë. Që të dy u drejtuan kah Pallati Apostolik derisa arritën në kapelën e apartamentit papnor. Vetëm atë çast, Papa mori relikuarin me nëntë fragmente nga kockat e shën Pjetrit, që Papa Pali VI i pati vendosur në kapelën e vogël dhe ia dhuroi të ftuarit.

Gëzim i madh për Patrikun Bartolomeu

         Kryepeshkopi i Telmissos njoftoi menjëherë Patrikun, i cili e mori lajmin me gëzim të madh, duke organizuar më pas udhëtimin e relikuarit për në Stamboll. Sot paradite, relikuari, që shën Pali VI deshi ta mbante gjithnjë afër vetes, iu dorëzua Bartolomeut nga imzot Andrea Palmieri, zv.sekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve. Patriku lajmëroi personalisht dhe publikisht për këtë dhuratë të gjithë besimtarët, gjatë kremtimit të festës së Apostujve, që në Kishën Ortodokse bëhet një ditë pas solemnitetit të Shën Pjetrit e të Shën Palit.

Ngjarje e papritur

“Kjo është ngjarje e jashtëzakonshme dhe e papritur për ne, madje, e pashpresuar”, deklaroi kryepeshkopi Job. Historikisht, reliket e Shën Pjetrit kanë qenë gjithmonë në Romë e, pikërisht për këtë arsye, Roma është vend shtegtimi për ortodoksët. Ka pasur disa relike, që i patën çuar kryqtarët në Stamboll, por pas vendosjes së marrëdhënieve të mira me ortodoksët, pas Koncilit II të Vatikanit, janë kthyer sërish në atdhe. Këtë herë, është fjala për relike të Shën Pjetrit, të cilat janë nisur për në Kostandinopojën e lashtë, për të mos u kthyer më mbrapsht: “një hap tjetër gjigant drejt bashkimit konkret”, theksoi kryepeshkopi ortodoks i Telmisos.

01 korrik 2019, 12:59