Kërko

 Sinodi i Kishës greko katolike të Ukrainës Sinodi i Kishës greko katolike të Ukrainës 

Papa greko-katolikëve ukrainas: çoni paqe e bashkim, ku ka luftë e përçarje

Papa priti, në sallën Bologna, anëtarët e Sinodit të përhershëm të Kishës greko-katolike ukrainase. Në qendër të fjalimit të gjatë, “paqja në vend dhe dëshmia e Kishës, përmes lutjes, posaçërisht për ata që vuajnë; e edhe sinodaliteti, që do të thotë, të ecësh së bashku, me butësi e bindje”.

R. SH. - Vatikan

Ukraina jeton prej kohe një situatë të vështirë e delikate. Që prej më se pesë vjetësh vijon të plagoset nga një konflikt, që shumëkush e quan “hibrid”, i përbërë siç është nga aksione luftarake, drejtuesit e të cilave fshihen pas maskave: konflikt, në të cilin më të ligshtët e më të vegjlit paguajnë haraçin më të lartë; konflikt i rënduar nga falsifikimet  propagandistike e nga manipulimet e tipeve të ndryshme, e edhe nga përpjekja për të tërhequr në valle aspektin fetar.

Papa Françesku sintetizoi qartë situatën dramatike, në të cilën ndodhet prej kohe Ukraina, duke u takuar, në Vatikan, me kryeipeshkvin e madh, anëtarët e Sinodit të përhershëm dhe metropolitët e Kishës greko-katolike të vendit.

Sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, më 4 majin e kaluar, Papa deshi të jepte një shenjë të afërsisë së tij me Kishën greko-katolike të Ukrainës, duke i ftuar përfaqësuesit e saj në Romë më 5 e 6 korrik. Në  komunikatën përkatëse të Sallës vatikanase të Shtypit, pohohej: “Lidhur me situatën delikate e të ndërlikuar, në të cilën ndodhet Ukraina (…) Ati i Shenjtë dëshiron t’i japë një shenjë afërsie Kishës greko-katolike ukrainase, që kryen misionin e saj baritor si në atdhe, ashtu edhe në vende të ndryshme të botës. Ky takim do të jetë edhe rast për thellimin e analizës së situatës dhe të nevojave të Ukrainës, me qëllim që të përcaktohen mënyrat me të cilat Kisha katolike e, në veçanti, ajo greko-katolike, do të mund t’i kushtohet gjithnjë më frytshëm predikimit të Ungjillit, t’u japë ndihmesën e vet atyre që vuajnë, të promovojë paqen e, për sa është e mundur, edhe mirëkuptimin me Kishën katolike të ritit latin e me Kishat dhe bashkësitë e tjera të krishtera”.

E ashtuquajtura lufta e Donbasit, që nisi në pranverën e vitit 2014 e vijoi me ndeshje të përgjakshme ndërmjet forcave ukrainase e rebelëve separatistë filorusë, shkaktoi 10 mijë të vdekur e pothuajse 2 milionë të shpërngulur, sipas të dhënave të vitit 2018, të Kombeve të Bashkuara.

Mjaft më me flijimin e paqes, në dobi të interesit të një grushti njerëzish

Papa Bergoglio u shprehu të gjithëve afërsinë, duke iu lutur Zotit “t’i ngushëllojë me të gjitha ngushëllimet” e “t’ua paqëtojë shpirtin atyre, që humbën të dashurit për shkak të luftës; atyre, që janë plot me plagë në korp e në shpirt, që iu desh të lënë shtëpitë e t’i bëjnë ballë rrezikut  të kërkimit  të ardhmërisë më njerëzore gjetiu, diku, larg”:

“Ju falënderoj për besnikërinë tuaj ndaj Zotit dhe Pasardhësit të Shën Pjetrit, që shpesh kushtoi tepër shtrenjt në rrjedhën e historisë, e lus Zotin t’i shoqërojë veprimet e të gjithë prijësve politikë, që të mos rendin pas interesit personal, por të punojnë për të mirën e përgjithshme, për paqen”.

Shenjtorë të portës kundruall

Përballë situatave të ndërlikuara, të shkaktuara nga konfliktet, Kisha është e thirrur të japë dëshminë e shpresës së krishterë, që nuk çkurajohet kurrë:

“Shpresa e krishterë, e ushqyer nga drita e Krishtit, bën të shkëlqejë ngjallja e jeta edhe në netët më të errta të botës! Prandaj në periudhat e vështira, edhe më shumë se në ato të paqes,  gjëja kryesore për besimtarët, është të jenë të bashkuar me Jezusin. Është Ai shpresa jonë”.

Në fjalimin e gjatë e të ngarkuar me problemet më të mprehta që shqetësojnë Ukrainën sot, Papa  foli për “heronjtë e përditshëm, “që iu përgjigjen së keqes me të mirë”, e edhe për “shenjtorët e portës kundruall” që e mbollën Kryqin e Krishtit, në “fushën e dhunshme të historisë”:

“Këta vëllezër e motra tuajat, që pësuan persekutime e martirizim e që, të lidhur ngushtë me Zotin Jezus, e flakën tutje logjikën e botës, sipas së cilës dhuna ka pas dhunën, shkruan me jetën e tyre faqet më të kulluara të fesë e u bënë farë të shpresës së krishterë”.

Forca e fesë

Duke kujtuar titullin e një programi baritor të Sinodit të Ipeshkvijve të Kishës greko-katolike ukrainase “Famullia e gjallë, vend takimi me Krishtin e gjallë”, Papa vuri më pas theksin mbi rëndësinë  e lidhjes me Birin e Zotit: kështu Kisha bëhet pjellore, lajmëtare e Ungjillit të Shpresës, mjeshtre e asaj jete shpirtërore, që asnjë institucion nuk është në gjendje ta japë. Shqetësimi kryesor duhet të jetë ai i lutjes:

“Në natën e konfliktit, që përshkoni, si në Gjetseman, Zoti kërkon nga të tijtë të rrinë zgjuar e të luten: nuk kërkon të mbrohen, e aq më pak të sulmojnë. Po dishepujt fjetën, në vend që të luteshin e kur ia behu Juda, vringëlluan shpatat. Nuk ishin lutur e kishin rënë në tundim. Në tundimin e mendësisë së botës; ligështia e dhunshme e mishit, kishte fituar mbi butësinë e shpirtit. Jo gjumi, jo shpata, jo ikja, po lutja e dhurimi i vetvetes deri në fund të fundit, janë përgjigjet që pret Zoti nga të tijtë! Vetëm këto përgjigje janë të krishtera, ato vetëm të shpëtojnë nga spiralja  e dhunës së botës”.

Afërsi ndaj atyre, që jetojnë në natën e dhimbjes

Kisha është e thirrur ta realizojë me mjete nga më të ndryshmet, misionin e saj baritor: pas lutjes, vjen afërsia, posaçërisht ndaj atyre, që jetojnë në natën e dhimbjes:

“Kisha të jetë vend, ku buron shpresa, ku gjindet porta gjithnjë e hapur, ku njeriu gjen ngushëllim e shpresë. Kurrë porta të mbyllura, po porta e zemra të hapura! Kurrë me sytë ngulur tek ora! Kurrë duke përcjellë duarbosh, njeriun që ka nevojë ta dëgjojë dikush. Ne jemi shërbëtorë të kohës. Ne jetojmë në kohë. Ju lutem, mos bini në tundimin për të jetuar si skllevër të sahatit! Shërbëtorë të kohës, jo të orës!”.

Papa kujtoi edhe afërsinë materiale, të ngjashme me atë, që më 2016-tën  aktivizoi të gjitha Kishat e Evropës në një nismë të madhe solidariteti, për të shmangur rrezikun që një situatë e rëndë vuajtjeje të bjerë në harresën e përgjithshme.

Përmasa e sinodalitetit

Porosia e tretë, ishte “sinodalitet”, sepse nuk mjafton të kesh një sinod, duhet të jesh sinod, duhet të përpiqesh për të ecur së bashku jo vetëm me atë, që mendon në të njëjtën mënyrë, por me të gjithë besimtarët në Krishtin. E për ta gjallëruar sinodalitetin - saktësoi Papa - dëgjimi është përvoja themelore.

Së fundi, gjithnjë në kontekstin e sinodalitetit, Papa Bergoglio foli për aktivizimin e laikëve dhe për frymëmarrjen universale të Nuses së Krishtit, Kishës: për lidhjen e saj të pandashme me Selinë e Shenjtë.

06 korrik 2019, 13:54