Kërko

Ushtarë në Liban Ushtarë në Liban 

Papa Françesku u shkruan “Ushtarëve të Paqes”

Në letrën e Atit të Shenjtë, përshëndetja për paqeruajtësit e Brigadës Garibaldi të Campania-s, në Itali, që veprojnë në Liban.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku i ka dërguar një letër, të nënshkruar prej atij vetë, kapelanit ushtarak, don Claudio Mancusi, për të falenderuar personalisht paqequajtësit e Campania-s, të cilët, në periudhën tetor 2018-maj 2019 i shërbyen paqes në Liban, në kuadrin e Misionit UNIFIL. “Falënderoj të gjithë veprimtarët e paqes, që kontribuojnë në përhapjen e mesazhit të vëllazërimit nëpër shkretëtirat e botës ... U jap ‘ushtarëve të paqes’ bekimin e Zotit”, shkruan Papa.

         Ati i Shenjtë shpreh mirënjohjen edhe për përmbledhjen e “Akteve” rreth ndërtimit të kishës “Maria Bukuria e Karmelit dhe Shën Gjoni XXIII, papë” në bazën e OKB-së në Shama, dorëzuar më 26 qershor në Vatikan nga komandanti i Brigadës së Bersaljerëve “Garibaldi”, gjeneral brigade Diodato Abagnara dhe nga vetë kapelani. Vendi i kultit ka rëndësi të veçantë, sepse është e vetmja kishë e ritit latin në Libanin jugor dhe e para në Lindjen e Mesme, që i kushtohet Papës së mirë, Pajtor i Ushtrisë Italiane.

         Shenjë nderimi të thellë kjo, dhe inkurajim i mëtejshëm për të gjithë paqeruajtësit e udhëhequr nga gjenerali Abagnara, të ndjekur gjithmonë nga kryeipeshkvi, ordinar ushtarak për Italinë, imzot Santo Marciano, i cili më 18 mars, gjatë vizitës në kontigjentin italian, me rastin e kushtimit të kishës së re, mori nënshtetësinë e nderit të qendrës fenikase të Tiros. Është ipeshkvi i parë katolik, që vlerësohet në këtë mënyrë, pikërisht për afërsinë e tij të vazhdueshme dhe për angazhimin në favor të kulturës së takimit.

         Vëmendja e Papës Françesku për dialogun dhe paqen në Lindjen e Mesme, siç shkruhet në letrën e tij, interpretohet fare mirë nga “ushtarët e paqes”, gjithnjë pranë popullsive të vuajtura, që ndihmohen prej tyre për të shembur pengesat në udhën e zhvillimit drejt një ardhmërie të qëndrueshme dhe bashkëjetesës paqësore.

09 korrik 2019, 18:22