Kërko

Ndjeti i lutjes së Papës për korrikun u kushtohet mbarështuesve të drejtësisë

Papa Françesku kërkon të lutemi për administratorët e drejtësisë që ata të veprojnë me integritet dhe të respektojnë dinjitetin e njeriut. Në videomesazhin e korrikut, Ati i Shenjtë ua beson këta njerëz Zotit, që padrejtësia të mos ketë vend në botë.

R.SH. - Vatikan

U bë i njohur sot videomesazhi i Papës Françesku, me të cilin Ati i Shenjtë u njofton besimtarëve ndjetin e tij të lutjes për muajin korrik. Papa u kërkon katolikëve të luten për magjistratët, gjykatat, gjykatësit dhe avokatët, të cilët punojnë në fushën e drejtësisë në gjithë botën, që veprimtaria e tyre të udhëhiqet gjithnjë nga qëllime të mira dhe nga kritere të shëndosha. Ati i Shenjtë thekson sidomos, se drejtësia duhet të jetë gjithmonë në shërbim të njerëzve, duke e respektuar dinjitetin e tyre në çdo kohë. E lutet që mbarështuesit e drejtësisë të ndjekin shembullin e Jezusit, “i cili nuk e vë kurrë në diskutim të vërtetën”.

Korrupsioni në drejtësi godet sidomos të varfërit

         Fenomeni djallëzor i korrupsionit në drejtësi ndikon mbi bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe kombeve. Papa shqetësohet për plagët, që shkakton ai në strukturën shoqërore. Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (Nju Jork, 2004), drejtësia është një nga viktimat kryesore të kësaj plage, e cila prek sidomos të varfërit, pasi ushqen pabarazinë.

         Kur shoqëria përshkohet nga varfëria, uria dhe vuajtja, profesionistët e drejtësisë janë protagonistë të domosdoshëm, që këto kushte të mos krijojnë çka Papa Françesku e quan “terren i kultivimit të paligjshmërisë”. Vetëm drejtësia mund të garantojë funksionimin e duhur të jetës publike. Për Atin e Shenjtë, drejtësia nuk mund të jetë thjesht “veshje e rastit”, diçka që përdoret vetëm për të shkuar nëpër festa. Pikërisht për këtë arsye, në këtë muaj të korrikut, ai u kërkon besimtarëve të luten që përgjegjësit për funksionimin e botës gjyqësore e juridike të jenë në gjendje të veprojnë me integritet, pa ndjekur interesa meskine, ose qëllime të fshehta, por të punojnë me transparencë dhe paanësi.

Gjykatësit të qëndrojnë larg favoritizmave

         “Nga gjykatësit – nënvizon Papa në videomesazh - varen vendimet, që ndikojnë mbi të drejtat dhe mbi pasurinë e njerëzve”. Kjo do të thotë se ata kanë një përgjegjësi të jashtëzakonshme, e cila duhet t’i nxisë t’u qëndrojnë larg “favoritizmave e presioneve, që mund t’u ndryshojnë vendimet”.

         Atë Frédéric Fornos, jezuit, drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës (ku përfshihet edhe Lëvizja Eukaristike Rinore) kujton fjalët e Françeskut në takimin e gjyqtarëve panamerikanë (3-4 qershor 2019) përsa i përket betejës jo të lehtë, që duhet të ndërmarrin punonjësit e drejtësisë: “mbrojtja ose vënia e të drejtave shoqërore si përparësi në krahasim me llojet e tjera të interesave do t’ju çojë në ndeshje jo vetëm me një sistem të padrejtë, por edhe me një sistem të fuqishëm komunikimi pushtetar, i cili shpesh do ta shtrembërojë rëndësinë e vendimeve tuaja, do ta vërë në diskutim ndershmërinë e, edhe korrektësinë tuaj, madje, mund t’ju çojë deri në gjykim”. “Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve” (Mt 5:10).

Mëshira ka gjithnjë përparësi në gjykim

         Ati i Shenjtë kujton ata, që e kanë pësuar rëndë nga kohët dhe format e drejtësisë. Për vështirësitë me të cilat përballen administratorët në gjykimin dhe shoshitjen me drejtësi, Françesku kërkon të bëhen përpjekje që të ruhet gjithmonë një vështrim mirësie, duke kujtuar se “mëshira ka gjithnjë përparësi në gjykim” (Gjyq 2,13).

         Lutja e Papës për muajin korrik, pra, u drejtohet atyre, që kanë në dorë fatin e shumë njerëzve, e u kujton se “kur drejtësia arrin vonë ose nuk arrin aspak, shkakton shumë dhimbje dhe vuajtje”. Në këtë kuadër, Papa dëshiron dhe shpreson që padrejtësia nuk do ta thotë kurrë fjalën e fundit.

04 korrik 2019, 16:01