Papa takohet me Presidentin Rus, Putin Papa takohet me Presidentin Rus, Putin 

Nga veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Nga veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës: Meshë papnore për migrantët, shpallja e shenjtorëve të rinj, takimi me presidetin rus Putin….

R. SH. -Vatikan

Meshë papnore, kryesisht për migrantët që humbën jetën

Nesër, 8 korrik, në përvjetorin e vizitës së tij në Lampeduzë, Papa Françesku do të kremtojë Meshën me 250 migrantë, refugjatë e vullnetarë, në Bazilikën e Vatikanit. Njoftimin e dha zëdhënësi i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, të hënën e kaluar, më 1 korrik.

“Papa – shpjegoi Gisotti - dëshiron që çasti të kujtojë sa më shumë që të jetë e mundur ata, të cilët humbën jetën, për të shpëtuar nga lufta e nga mjerimi, por edhe ata, që i mbështesin, i shoqërojnë e i mikpresin emigrantët dhe refugjatët”. 

Shenjtorë të rinj, më 13 tetor

Kisha do të ketë së shpejti pesë shenjtorë të rinj. Më 13 tetor, gjatë Sinodit kushtuar Amazonës, Papa do të shpallë shenjt kardinalin John Henry Newman, themelues i Oratorit të Shën Filip Nerit, në Angli dhe katër shenjtore të tjera.

Më i njohuri, John Henry Newman

Më i njohuri nga të pestët, është sigurisht kardinali anglez John Henry Newman (1808-1890), figurë e rëndësishme, që lidh katolikët me anglikanët, paraprijës i lidhjes së fesë me arsyen dhe i disa prej argumenteve, që ishin në qendër të vëmendjes në Koncilin II të Vatikanit. Ndërmjet tyre, vlerësimi i laikatit, sfida edukative dhe dialogu ekumenik. Ish prift anglikan, poet e shkrimtar, si kaloi në katolicizëm e u shugurua prift, përhapi në trojet britanike shoqëritë e jetës apostolike të Oratorianëve, në të cilat bënte pjesë edhe ai vetë. I krijuar kardinal në vitin 1879 nga Leoni XIII, vdiq më 11 gusht 1890. E lumnoi Benedikti XVI, në vitin 2010, gjatë shtegtimit të tij apostolik në Mbretërinë e Bashkuar, duke e përqendruar homelinë mbi moton e Shenjtit të ardhshëm: "Cor ad cor loquitur (Zemra i flet zemrës). Ky, përshkruar shkurtimisht, është portreti i Shenjtit të ardhshëm John Henry Newman.

Katër Shenjtoret e tjera

Po janë edhe katër të Lume të tjera, që do t’u shtohen aradheve të Shenjtorëve të Kishës Katolike:

Nëna Giuseppina Vannini është shenjtore e  të sëmurëve dhe e të varfërve;  Dulce Lopes Pontes, në shekull Maria Rita, themeluese e Kongregatës së Motrave Misionare të Zojës së Papërlyer, murgesha që shndërroi një kotec në spital; Margarita Bays, virgjër e të Tretit Urdhër të Shën Françeskut të Asizit, rregulltarja që mori dhuratë plagët e Krishtit dhe indianja Maria Teresa Chiramel Mankidiyan, që shkriu gjithë jetën për të varfërit, duke themeluar, në ndihmë të tyre, Kongregatën e Motrave të Familjes Shenjte.

 Videomesazh i Papës: bota, përherë më mizore me të përjashtuarit

"Luftrat prekin vetëm disa rajone të botës; e megjithatë, prodhimi dhe shitja e armëve bëhet në rajone të tjera, të cilat, pastaj, nuk duan të kujdesen për refugjatët, nuk duan…, nuk i pranojnë këta refugjatë, që bëhen të tillë, për shkak të konflikteve". Papa Françesku e ngre edhe një herë zërin kundër politikave, që i ndalin në kufi emigrantët dhe refugjatët, në videomesazhin për Ditën Botërore, që u kushtohet.

Ndjeti i lutjes së Papës për korrikun, për mbarështuesët e drejtësisë

Papa u kërkon katolikëve të luten për magjistratët, gjykatat, gjykatësit dhe avokatët, të cilët punojnë në fushën e drejtësisë në gjithë botën, që veprimtaria e tyre të udhëhiqet gjithnjë nga qëllime të mira dhe nga kritere të shëndosha. Thekson sidomos, se drejtësia duhet të jetë gjithmonë në shërbim të njerëzve, duke e respektuar dinjitetin e tyre në çdo kohë. E lutet që mbarështuesit e drejtësisë të ndjekin shembullin e Jezusit, “i cili nuk e vë kurrë në diskutim të vërtetën”.

Korrupsioni në drejtësi godet sidomos të varfërit

Fenomeni djallëzor i korrupsionit në drejtësi ndikon mbi bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve dhe kombeve. Papa shqetësohet për plagët, që shkakton ai në strukturën shoqërore. Vetëm drejtësia – mendon -  mund të garantojë funksionimin e duhur të jetës publike. 

Takimi Papa Françesku-Putin: shenjë dialogu

Papa Françesku priti të enjten e kaluar, për herë të tretë gjatë papnisë së tij, presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin. Biseda, në Sallën e Fronit të Pallatit Apostolik, në Vatikan, zgjati  55 minuta.

 "Çështja ekologjike", temat e "aktualitetit  ndërkombëtar" me një vëmendje të veçantë për "Sirinë, Ukrainën e Venezuelën", si dhe për  "disa çështje të tjera të rëndësishme të jetës së Kishës Katolike në Rusi". Këto,  temat e "bisedimeve të përzemërta" të Papës Françesku me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, zhvilluar në një atmosferë "kënaqësie të sinqertë dhe të gëzueshme" siç e njoftoi vetë Papa.

05 korrik 2019, 16:06