Kërko

Vatican News
 Papa i shkruan Letër Kishës në Gjermani Papa i shkruan Letër Kishës në Gjermani 

Letër e Papës Françesku drejtuar Kishës në Gjermani: kundër mëkatit e pranë njerëzve

Papa i drejton një Letër klerit në Gjermani. U kërkon klerikëve të jenë realistë, pa e humbur gëzimin, të dalin drejt situatave të mëkatit, të jenë pranë njerëzve

R. SH. - Vatikan

Kisha gjermane është në fazën e përgatitjes për udhën e saj sinodale e Papa Françesku, me Letrën e tij drejtuar popullit të Zotit, që është për udhë në Gjermani, deshi të ndante bashkë me vëllezërit e motrat, shqetësimin për ardhmërinë e saj. E deshi edhe të jetë pranë saj, duke e pranuar propozimin për udhën sinodale. Të ndryshme, e jo të pakta, sfidat që duhet të përballojë kjo Kishë: populizmi, morali seksual, çelibati meshtarak, pakësimi i praktikës sakramentore...

Po çfarë shkruan konkretisht Papa në këtë Letër? Në numrin e “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik), që do të dalë nesër, 6 korrik, atë Diego Fares kujton disa nga pikat kryesore të Letrës papnore, me 13 paragrafe, shkruar spanjisht. Para së gjithash - shkruan jezuiti - Papa rikthehet tek temat e theksuara në raste të tjera, si ngushëllimi që u jep Zoti besimtarëve, edhe në kohë të vështira; tundimet e neopelagianizmit e të gnosticizmit; tensionet e çekuilibrimet e shkaktuara nga kumtimi ungjillor. Vihet theksi mbi 5 mënyrat e mundshme për të qenë Kishë në dalje si dhe mbi kuptimin e Kishës e të sinodalitetit. Rëndësi ka - nënvizon atë Fares -  që Françesku “nuk flet për popullin e Zotit, por i drejtohet popullit të Zotit, si subjekt që,  në tërësinë e tij, jeton një kohë vuajtjeje”.

E kjo na kujton edhe Letrat e mëparshme, drejtuar popullit të Zotit në Kili, si dhe mbarë popullit të Zotit, në rastin e shpërdorimeve. “Sfidat duhet të kapërcehen - pohon vendosmërisht Papa. - Duhet të jemi realistë, por pa e humbur gëzimin, guximin, shpresën”. “Sot - vijon ndërmjet tjerash Françesku - tundimi kryesor është ta lëmë veten të na e rrëmbejnë forcën misionare. Jemi të thirrur, prandaj, ta kapërcejmë mungesën e ekulibrit”.
Papa - kujton akoma Atë Fares - tregon 5 rrugëdalje: të takohen vëllezërit më të afërt, ata që rrinë në pragjet e tempujve tonë;  të dalim për t’i vajosur të gjitha realitetet tokësore; të dalim, për të prekur realisht pasionet e shumta e situatat e mëkatit dhe të pabarazisë, që i jetojnë shumë njerëz;  të dalim, për të rizgjuar në shpirtin e më të rinjve, pasionin për mbretërinë e Zotit; të dalim, për të krijuar shijen shpirtërore, që na kujton se jemi popull;  të dalim, për të shkuar gjithnjë pranë jetës së njerëzve”.

05 korrik 2019, 13:51