Kërko

 Papa në Konferencën ndërkombëtare kundër trafikut të grave Papa në Konferencën ndërkombëtare kundër trafikut të grave 

Françesku: të çlirohen gratë nga skllavëria e prostitucionit!

Një libër i ri, të cilit i prin parathënia e Papës. I titulluar “Gra të kryqëzuara. Turpi i trafikut, treguar në rrugë të madhe”, u shkrua nga don Aldo Buonaiuto i Bashkësisë Papa Gjoni XXIII. Vëllimi është që sot në librari.

R. SH. - Vatikan

Kur në njërën nga të Premtet e Mëshirës gjatë Vitit Shenjt të jashtëzakonshëm hyra në shtëpinë e mikpritjes të Bashkësisë Papa Gjoni XXIII, nuk mendoja se aty brenda do të gjeja gra aq të poshtëruara, aq të raskapitura, aq të dërmuara. Gra vërtet të kryqëzuara! Në dhomën, ku i takova vajzat e çliruara nga trafiku i prostitucionit të detyruar, m’u zu fryma nga atmosfera e dhimbjes, e padrejtësisë, e pasojave të nëpërkëmbjes.

Ishte një mundësi për t’i rijetuar dhimbjet e plagëve të Krishtit!

Pasi dëgjova rrëfimet thellësisht prekëse e humane të këtyre grave të shkreta, disa nga të cilat me foshnja në krahë, ndjeva fuqimisht dëshirën  t’u kërkoj falje për torturat e vërteta e të mirëfillta, që pësuan për shkak të klientëve, shumë nga të cilët e quajnë veten të krishterë. Një shtytje më shumë për t’u lutur për mikpritjen e viktimave të trafikut të prostitucionit të detyruar e të dhunës së papranueshme, pasojë e tij.

Njeriu nuk mund të nxirret kurrë në treg! Nuk mund të shitet, as të blihet! Prandaj jam i lumtur që munda ta shoh nga afër veprimtarinë e çmuar e të guximshme të ndihmës e të rehabilitimit, që zhvillon, prej shumë vjetësh, don Aldo Buonaiuto, duke ndjekur karizmën e Don Benzit. Kjo tregon edhe gatishmërinë për t’u bërë ballë rreziqeve e raprezaljeve   të kriminalitetit, për të cilin këto vajza janë burim fitimesh të paligjshme e të turpshme.

Dëshiroj që ky libër të lexohet nga shumë njerëz. Kështu, duke njohur historitë, që fshihen pas numrave tronditës të trafikut, të kuptohet se pa u dhënë fund kërkesave të shumta të klientëve, nuk mund t’i kundërvihesh shfrytëzimit dhe poshtërimit të kaq jetëve të pafajshme.

Korrupsioni është sëmundje, që nuk mund të ndalet vetvetiu, kërkon ndërgjegjësim: nga ne, nga shoqëria e edhe nga Kisha, për t’i ndihmuar me të vërtetë këto motra të pafate e për të mos lejuar që ndyrësia e botës  të bjerë mbi krijesat më të brishta e më të pambrojtura. Çdo formë e prostitucionit është katandisje në skllavëri, akt kriminal, ves i ndyrë, që e ngatërron dashurinë me shfrimin e instinkteve, duke e torturuar gruan e pambrojtur.

Prostitucioni është plagë në ndërgjegjen kolektive, dredhim nga rruga e drejtë. E është edhe mendësi e sëmurë, sipas së cilës gruaja  mund të shfrytëzohet si të ishte mall për t’u përdorur e pastaj për t’u hedhur në pleh! Është sëmundje e njerëzimit, mënyrë e gabuar e të menduarit të shoqërisë. T’i çlirosh këto gra, është gjest mëshire e detyrë për të gjithë njerëzit vullnetmirë. “Britma e tyre, e ngarkuar me dhimbje të pakufi, nuk mund të na lërë indiferentë. Kërkon përgjigje nga çdo njeri e nga çdo institucion”. Askush nuk duhet ta kthejë kokën mënjanë e as t’i lajë duart nga gjaku i pafajshëm, që derdhet në rrugët e botës!

Françesku

29 korrik 2019, 12:47