Kryeipeshkvi Fulton Sheen Kryeipeshkvi Fulton Sheen 

Do të jetë i lum, amerikani Fulton Sheen, një nga predikatarët e parë në TV

Kisha do të ketë një të Lum të ri: është kryeipeshkvi amerikan Fulton Sheen. Papa vendosi edhe kanonizimin e Të Lumit Bartolomeu i Martirëve, rregulltar domenikan portugez i 1500-tës. U njihen virtytet heroike shtatë të nderuarve të rinj.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku priti dje kardinalin Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, duke e autorizuar Kongregatën të shpallë dekretet, që kanë të bëjnë me një të Lum të ri: amerikanin Fulton Sheen, kryeipeshkëv titullar i Newport.

Kryeipeshkvi Fulton Sheen

I lindur në El Paso, në Illinois, më 8 maj 1895, nga një familje irlandeze, e zbuloi që i ri thirrjen për udhën e meshtarisë. 24 vjeç u shugurua meshtar e, pas studimeve për doktoratin në teologji, në Romë, u rikthye në SHBA. Nisi misionin si zëvendës-famullitar, në një zonë periferike. Shumë shpejt u bë i njohur si predikatar. Nga viti 1926, deri më 1950, ishte pedagog i filozofisë në Universitetin katolik të Washingtonit. Në vitin 1930, i ftuar nga emitentia radiofonike amerikane Nbc, mori pjesë çdo të dielë në transmetim, me programin e titulluar: “Ora katolike”. Më 1950 predikimet e tij të shumëndjekura nga dëgjuesit, nisën të duken edhe në televizion. Misionin si telepredikatar e nisi me programin e Nbz, titulluar “Ia vlen të jetosh!”. Duke iu drejtuar teleshikuesve, rreth 30 milionë çdo javë, u kujtonte se e vetmja rrugëzgjidhje e të gjitha problemeve është Jezu Krishti. Më vonë shtegtoi shumë e iu hapën rrugë të reja misioni. Në Meshën e kremtuar me rastin e 60 vjetorit të meshtarisë, pati kujtuar: “E dua jetën, por tani dua më shumë të shoh Zotin! Kalova shumë orë para Tij në të Shenjtnueshmin Sakrament, fola në lutje me Të, e i fola për të kujtdo që dëshironte të më dëgjonte. Tani dua ta shikoj sy më sy! Vdiq në New York dy muaj më pas. Më 9 dhjetor 1979.

Bartolomeu i Martirëve

Papa Françesku shtriu në gjithë Kishën universale edhe kultin liturgjik të të Lumit Bartolomeu i Martirëve, rregulltar domenikan portugez i 1500-ës. Është rast “kanonizimi me të njëjtën vlerë e efikasitet”. Quhet kështu, kur Papa e shtrin në mbarë Kishën, kultin e një shërbëtori të Zotit, që nuk është kanonizuar akoma, përmes radhitjes së festës së tij, me meshë e ofice, në Kalendarin e Kishës universale”.

Bartolomeu i la trashëgim Kishës një Katekizëm dhe 32 vepra. Më 1561 deri më 1563 mori pjesë në Koncilin e Trentos.

Shtatë të nderuarit e rinj

Njihen edhe virtytet heroike të shtatë Shërbëtorëve të Zotit. Do të jenë të Nderuar:

Elia Hoyek, libanez, patriark i Antiokisë së Maronitiëve, themelues i  Kongregatës së Motrave Maronite të Familjes Shenjte (Helta, 4 dhjetor 1843 -  Bkerké, 24 dhjetor 1931).

Giovanni Vittorio Ferro, italian, i Urdhërit të Klerikëve Rregulltarë të Somasca-s, kryeipeshkëv i Reggio Calabria-Bova (Costigliole d’Asti, 13 nëntor 1901  - Reggio Calabria, 18 prill 1992).

Angelo Riesco Carbajo, spanjoll, ipeshkëv titullar i Limisa, ipeshkëv-ndihmës dhe Administrator Apostolik i Tudela-s, themelues i Institutit të Misionareve të Bamirësisë (Bercianos de Vidriales, 9 korrik 1902 - La Bañeza, 2 korrik 1972).

Ladislao Korniłowicz, polak, prift  dioqezan (Varshavë. 5 gusht 1884 -  Laski, 26 shtator 1946).

Angelico Lipani, italian, meshtar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, themelues i Kongregatës së Motrave Françeskane të Zotit (Caltanissetta, 28 dhjetor 1842 - vdekur po aty, më 9 korrik 1920).

Francesca e Shpirtit Shenjt, filipinase, themeluese e Kongregatës së Rregulltareve Domenikane të Shën Katerinës së Sienës (Intramuros, 1647- Manila, 24 gusht 1711).

Stefano Pietro Morlanne, francez, laik, themelues i Kongregatës së Motrave të Dashurisë Amtare (Metz, 22 maj 1772 - vdekur po aty, më 7 janar 1862).

06 korrik 2019, 13:58