Kërko

Dhimbja e Papës për mbytjen e barkave në Mesdhe

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, thirrja e Françeskut drejtuar bashkësisë ndërkombëtare që të garantojë sigurinë e migrantëve në shtegtim. Fjalë të shqiptuara pas vdekjes së rreth 150 vetëve, më 25 korrik, kur u mbytën dy barka përballë Khoms, në bregun libik.

R. SH. - Vatikan

Shumë e quajtën ngjarja më e rëndë gjatë dy vjetëve, këtë që ngjau të enjten e kaluar, në brigjet libike, ku dy barka me migrantë u përmbysën ndoshta për shkak të mbingarkesës. Edhe një herë Mesdheu u bë vend vdekjeje për 150 vetë, nga të cilët u gjetën vetëm 66 trupa pa jetë. Në thirrjen e tij, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të bashkësisë ndërkombëtare për parandalimin e këtyre tragjedive:

“Mësova me dhimbje lajmin dramatik të mbytjes së barkave, këto ditë, në ujërat e Mesdheut, ku humbën jetën dhjetra migrantë, ndërmjet të cilëve, edhe gra e fëmijë. Përsëris thirrjen e ngutshme që bashkësia ndërkombëtare të veprojë me gatishmëri e vendosmëri, për të shmangur përsëritjen e tragjedive të tilla e për të garantuar sigurinë dhe dinjitetin  e të gjithëve. Ju ftoj të lutemi së bashku me mua për viktimat e për familjet e tyre, e edhe për të pyetur, me një pyetje të dalë nga zemra: ‘Pse, o Atë?’”.

Në këto rrethana, kur Mesdheu vijon të shndërrohet në varrezë për mijëra njerëz, që nuk kërkojnë vdekjen, po një jetë më njerëzore, të cilën vendi i vet nuk ua siguron, vjen një propozim sa i dhimbshëm, aq i nevojshëm: Don Aldo Buonaiuto, meshtar i Bashkësisë Papa Gjoni XXIII, kërkon të themelohet “Dita botërore e migrantit të panjohur”.

I pyetur nga Vatican News si lindi ideja për këtë nismë, pohon:

“Lindi pikërisht nga këto drama të vazhdueshme, të frikshme, për të cilat shpesh nuk interesohet asnjë kronikë. Atëherë mbetën drama krejt të panjohura; jetë, që nuk kanë emër; trupa, që zhduken në fund të detit si të ishin të padukshëm, nësa luftonin për jetën. Njerëz, që mund të krahasohen me ushtarët e panjohur, të rënë në beteja të pakuptimta. A nuk është më tronditësja beteja për jetën? Që luftohet në dete, në shkretëtira, në qindra kufij të ndaluar?”.

Kështu shprehet meshtari, që propozon dy rrugë, për t’i dhënë fund këtyre dramave të vazhdueshme: rrugën e organizimit të rregullt e të përbashkët të flukseve migratore edhe hapjen korridoreve të vazhdueshme humanitare. Pa harruar se kemi të bëjmë me njerëz të dëshpëruar, që dalin nga ferri e janë gati të rrezikojnë jetën, për të mos u kthyer më në vendin ku jeta nuk është jetë, po torturë e vazhdueshme!

28 korrik 2019, 14:57