Austronautët e Apollo 11: Michael Collins, Neil A. Armstrong, Edwin E. Aldrin, Jr. Austronautët e Apollo 11: Michael Collins, Neil A. Armstrong, Edwin E. Aldrin, Jr. 

50 vjet më parë, Engjëlli i Tënzot i Palit VI për misionin e njeriut në Hënë

Më 21 korrik 1969, austronauti amerikan Neil Armstrong ishte njeriu i parë, që ecte mbi hënë. Në Engjëllin e Tënzot të 13 e 20 korrikut, Pali VI fliste për këtë ngjarje të jashtëzakonshme, tashmë fare pranë, duke e vlerësuar lart, por pa harruar dramat që vijojnë mbi tokë, në sa njeriu shkel në hënë!

R. SH.- Vatikan

Kremtohet nesër 50-vjetori i misionit spacial Apollo 11, ngjarje historike,  që e pa për herë të parë njeriun duke shkelur në hënë. Më 20 korrik 1969, zbarkimi i njeriut në Hënë shënonte kulmin e garës së fluturimeve në hapësirë ndërmjet SHBA-ve e Bashkimit Sovjetik, nisur më 4 tetor 1957, me satelitin e parë artificial Sputnik 1, vijuar më 3 nëntor 1957, me Sputnik 2,  që çonte në hapësirë qenien e parë të gjallë, qenin Laika.

Kanë kaluar pesëdhjetë vjet, që asokohe, po gjurma e këmbës së njeriut mbi Hënë e flamuri me yje e vija, mbeten simbol i shtegtimit të njeriut  drejt botëve të tjera. Njeriut, i cili sot ka në dorë teknologji e aleanca të   pamendueshme asokohe.

Amerikanët duhet të arrinin në Hënë me çdo kusht, për t’ua kaluar sovjetikëve në garën drejt hapësirës. Ishte sfidë teknologjike dhe politike, por kishte në gji edhe një ëndërr e një dëshirë: ëndrrën për të shkelur në botë të tjera - kuriozitetin për të shkuar deri në fund të hapësirës - e dëshirën  e pafundme për dije! Kolonat e Herkulit tashmë janë atmosfera dhe graviteti i Tokës.

Bota e re, sipërfaqja e një planeti tjetër! Kur Neil Armstrong e Buzz Aldrin, vunë këmbën e mbathur me këpucë kozmonautësh mbi pluhurin  e Detit të Prehjes, ishte data 20 korrik 1969…

Fantashkenca, pra, u bë realitet më 20 korrik 1969, kur austronautët amerikanë Neil Armstrong e Buzz Aldrin shkelën për herë të parë në Hënë, ku arritën katër ditë pas nisjes së udhëtimit me anijen kozmike Apollo! Anëtari i tretë i misionit, Michael Collins, qe më fatkeqi, edhe pse pohoi gjithnjë të kundërtën. I vetmi, që dinte të pilotonte modulin e komandës, iu desh të mbetej në orbitë, ndërsa të tjerët nisnin shëtitjen e jashtëzakonshme mbi trojet e Hënës, e bota mbarë e ndiqte këtë shëtitje aq të ëndërruar, përmes Mondovizionit. Ishte e nevojshme kjo! Pa të, misioni nuk do të kishte pasur suksesin, që pati. Por duhet pranuar se nuk do ta ketë pasur aspak të lehtë të rrinte larg, si Moisiu, duke kundruar “Hënën e premtuar”, pa mundur të shkelë mbi truallin e saj, ku deri në atë çast nuk kish shkelur këmbë njeriu. Në çdo orbitë prej 48 minutash, mbetej jashtë kontaktit përmes radios me Tokën. Emocionet që provoi, e që do t’i tregonte më pas, nuk ishin frika, as vetmia, por “vetëdija, kënaqësia, besimi, gati-gati ngazëllimi”, për çastet e jetuara. Ishte njeriu i parë, që i provonte këto çaste në hapësirën, të cilën të tjerët, atje poshtë, e kishin shikuar në shekuj, me dëshirën për ta shkelur një ditë. “Vetëm ai po provonte atë vetmi njerëzore, që nuk e kishte provuar askush para tij, që prej kohës së Adamit!”.

Ndërkaq Neil Armstrong shkelte i pari në Hënë. Në Evropë ishte ora 4.57 e mëngjesit të 21 korrikut, kur ai shqiptonte frazën e famshme: “That’s a small step for a man, a giant leap for mankind” -  “Ky është  hap i vogël për një njeri, po hap vigan për njerëzimin”. Kështu nisi shëtitja e njeriut nëpër “bulevardet” e Hënës. Dy astronautëve iu desh shumë më tepër kohë, sesa ishte parashikuar, për të dalë nga anija kozmike, sepse çanta, që kishin në shpinë për të plotësuar nevojat kryesore të jetës gjatë këtij shtegtimi të jashtëzakonshëm, ishte tepër e madhe e nuk dilte lehtë nga sporteli. Ky, i vetmi çast kritik. Pasi mblodhën rreth 20 kilogram gurë e “mbollën” Flamurin mbi trojet, tepër ngurta të Hënës, u kthyen te kolegu, që po i priste, njëlloj i ngazëllyer.

Para se të largoheshin, lanë mbi sipërfaqen hënore një fletë të artë, mbi të cilën ishte skalitur Psalmi 8.

Njeriu, krijesë e Zotit, me fat hyjnor

Tetë ditë para ngjarjes, Pali VI fliste në lutjen e Engjëllit të Tënzot, “për këtë fat kaq të veçantë e të mrekullueshëm”:

“Përmes tij shkenca dhe teknika manifestohen në mënyrë kaq të pakrahasueshme, kaq të ndërlikuar, kaq të guximshme, sa nuk mund as ta imagjinosh, as ta ëndërrosh. E çka të çudit më shumë, është se nuk po ëndërrojmë! Fantashkenca bëhet realitet. Po të mendosh, pastaj, për organizimin e truve, të veprimtarive, të mjeteve, të burimeve ekonomike, studimeve, eskperimenteve, përpjekjeve që kërkon një sipërmarrje e tillë, admirimi bëhet reflektim: reflektim mbi njeriun, mbi botën, mbi qytetërimin, nga i cili burojnë të rejat e kësaj diturie, të këtij pushteti.  Po, posaçërisht, reflektim mbi njeriun: “Kush është kjo qenie kaq e vogël e kaq e brishtë, kaq e ngjashme me kafshët e kaq e lartë, kaq zot i sendeve e kaq fitimtar mbi kohën e hapësirën? Kush jemi ne?”.

Na vijnë menjëherë në mendje  fjalët e Shkrimit Shenjt: “O Zot, Hyu ynë,/ sa i madh është emri yt mbi gjithë tokën/ …Njeriu ç’është, që ty në mend të bjerë?/ Ti, pra, e krijove gati si ‘i engjëll,/ me nder e lumturi e kurorëzove./ Pushtet i dhe mbi vepra të duarve tua,/ gjithçka atij ti ia vure nën këmbë” (Ps.8, 4-8; Heb 2,6-8).

“Njeriu, kjo krijesë e Zotit, ashtu si Hëna misterioze, na duket vigan! Hyjnor. Jo në vetvete, por në zanafillën e vet, në fatin  e vet. Nderim e lavdi për njeriun, dinjitetin të tij, shpirtin e tij, jetën e  tij. Nderim për të, domethënë për njerëzimin. E për mendimtarët dhe heronjtë e kësaj sipërmarrjeje përrallore, sot lutemi!”.

Sipërmarrje, që duhet medituar: kush është njeriu?

Papa Montini do të fliste përsëri për misionin në hapësirë, në Engjëllin e Tënzot të së dielës, 20 korrik 1969, duke i ftuar të gjithë të meditojnë për këtë ngjarje të jashtëzakonshme, të meditojnë për kozmosin, që na hap para sysh fytyrën e tij të heshtur, misterioze, në kuadrin e pakufishëm të shekujve të panumërt e të hapësirave të pamatura. E për progresin, për zhvillimin shkencor, që duket se do të arrijë të paarritshmën. E këtu - pati theksuar Papa Pali VI - rrezikohemi ta shndërrojmë mjetin në idhull. E vërtetë se mjeti e shumëfishon pa kufi forcën e njeriut, po kjo forcë a është gjithnjë në dobi të tij? A e bën njeriun më të mirë?  Apo mund edhe t’i imponohet padronit të tij?”.

“Duhet absolutisht që zemra e njeriut të bëhet shumë më e lirë, më e mirë, më fetare, sa më e madhe e më e rrezikshme të jetë fuqia e makinave, e armëve, e instrumenteve, që vë në shërbim të vet”.

Progresi i vërtetë i njerëzimit: vëllazërimi e paqja

Pali VI “në atmosferën dehëse të kësaj dite, kur triumfonin mjetet e prodhuara nga njeriu për sundimin e kozmosit, kur të gjithë i kishin sytë lart, kujtonte se duhet shikuar edhe poshtë, se nuk duhen harruar dramat  që e trondisin akoma njeriun”. E Papa i tregonte njerëzimit edhe udhën e vërtetë të progresit:

“E dimë të gjithë se, pasi njeriu shkeli në hënë, mbi faqe të dheut vijuan tri luftëra: kujtojmë Vietnamin, Afrikën e Lindjen e Mesme. Një  e katërt,  me mijëra viktima, u shtua me ndeshjen ndërmjet Salvadorit e Hondurasit. Pikërisht në këto ditë. E pastaj, uria vijon të endet akoma si fantazmë nëpër botë, duke tmerruar popullsi të tëra… Ku është humanizmi i vërtetë? Vëllazërimi? Paqja? Cili do të ishte progresi i vërtetë i njeriut, nëse këto mënxyra do të vijonin e do të rëndoheshin akoma më shumë? S’na mbetet tjetër, veçse të urojmë që progresi, një nga fitoret sublime të të cilit e festojmë sot, t’i shërbejë së mirës së vërtetë të mbarë njerëzimit. E për këtë edhe lutemi!”.

19 korrik 2019, 14:06