Kërko

Fëmijë në mesin e librave Fëmijë në mesin e librave 

Videomesazh i Papës për pjesëmarrësit e Kongresit Botëror të OIEC-ut

Mbrëmë, Papa Françesku u dërgoi një videomesazh pjesëmarrësve të Kongresit Botëror të OIEC-ut, mbledhur në Nju Jork në këtë takim të rëndësishëm me temë “Të edukojmë humanizmin e vëllazërimit për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë”. OIEC është organizatë katolike ndërkombëtare, që shërben në fushën e edukimit, në frymën e Ungjillit e sipas mësimeve të Kishës.

R.SH. - Vatikan

Që në fillim, Papa i falenderon anëtarët për impenjimin në favor të të rinjve, sidomos të atyre në periferi, të cilët frekuentojnë institucionet arsimore katolike dhe ndihmohen prej tyre. Pastaj, përmend Koncilin II të Vatikanit dhe Deklaratën e tij “Gravissimum educationis”, ku sanksionohet e drejta e çdo njeriu për edukim sipas kulturës dhe traditës së vet, në dialog me popujt e tjerë. Duke kujtuar shën Gjon Palin II dhe vizionin e tij për një shoqëri të përqendruar mbi njeriun, drejtësinë e paqen, Papa Françesku nënvizon se sot, kjo perspektivë humaniste nuk mund të mos përfshijë edhe edukimin ekologjik, për të promovuar aleancën ndërmjet njerëzimit dhe ambientit. Nuk është e lehtë, thekson Ati i Shenjtë në videomesazhin e dërguar në formën e fjalimit për pjesëmarrësit e Kongresit.

Shkatërrimi i humanizmit

         “Një nga vështirësitë kryesore, me të cilat ndeshet sot arsimi – pohon Ati i Shenjtë - është prirja e përhapur për ta shkatërruar humanizmin. Individualizmi dhe konsumizmi krijojnë një konkurrencë, që e zbeh bashkëpunimin, i mjegullon vlerat e përbashkëta dhe minon në rrënjë rregullat më themelore të bashkëjetesës. Edhe kultura e indiferencës, që i cënon marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe popujve, duke përfshirë kujdesin për shtëpinë e përbashkët, e bren ndjenjën e humanizmit”.

         Rruga për t’i bërë ballë kësaj sfide, sipas Papës, është sinergjia ndërmjet realiteteve të ndryshme edukative si: familja, edukatorët, institucionet arsimore katolike, të cilat duhet të ofrojnë horizonte transhendece, të jenë ndryshe nga të tjerët e të kultivojnë vlera shpirtërore tek të rinjtë. Papa kërkon punë edukative në periferi, për t’u dhënë mundësi të brishtëve e të varfërve. “Kështu bashkësia edukative, përmes punës së përditshme plot durim, krijon përfshirje të gjerë, që shkon përtej mureve të shkollës dhe shtrihet, me forcën e saj shndërruese, në gjithë shoqërinë, duke favorizuar takimin, paqen dhe pajtimin”. Papa propozon si pikë referimi për këtë Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi, së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad al-Tayyeb.

Diktatura e rezultateve

         Rreziku tjetër për edukimin e brezave të rinj është “diktatura e rezultateve”, nënvizon Ati i Shenjtë në videomesazhin, që pjesëmarrësit në Kongres, të mbledhur nga 5 qershori, e panë mbrëmë(me orën evropiane) në Nju Jork, në përfundim të punimeve. Ky lloj këndvështrimi, denoncon Papa Françesku, e sheh njeriun si objekt, pa u interesuar për zhvillimin e tij të gjithanshëm. Kanë rëndësi rezultatet që arrin, po jo ëndrrat, liria, frika e, edhe gabimet e tij. Prandaj, edukatori i krishterë duhet të jetë jo vetëm profesionalisht i aftë, por edhe i pasur me humanitet, plot vëmendje e dashuri ndaj studentëve të vet.

Përshpejtimi i jashtëzakonshëm i jetës

         Rreziku i tretë, me të cilin duhet të përballet edukimi, është i ashtuquajturi “përshpejtim” i jetës, e cila shtrydhet në centrifugën e ndryshimit të vazhdueshëm të pikave të referimit, në kundërshtim të plotë me etapat e ngadalta të evolucionit biologjik. Këtij kaosi, nënvizon Papa, i duhet përgjigjur duke gjetur kohë për t’u ndalur, për të heshtur e për të kundruar bukurinë e gjithësisë së krijuar nga Zoti. Çdo njeri ka nevojë për një udhë të vetën kohore që të mësojë, t’i konsolidojë e t’i shndërrojë njohuritë. E së fundi, Papa nuk harron të përmendë sërish impenjimin ekologjik, përpjekjen për të pasur një stil jete, që respekton edhe brezat e ardhshëm, në një akt përgjegjësie ndaj tyre.

09 qershor 2019, 09:38