Kërko

Papa Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme Papa Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Të varfërit e trajtuar si “një grumbull me mbeturina”, protagonistë të Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e tretë Botërore të të varfërve, në program më 17 nëntor, si edhe lajme të tjera nga veprimtaria javore e Atit të Shenjtë dhe e Kishës.

R.SH. - Vatikan

Të varfërit e trajtuar si “një grumbull me mbeturina”, të përbuzur nga “njerëz arrogantë”, që nuk i lejojnë “të shohin fundin e tunelit të mjerimit”. Këta janë protagonistët e Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e tretë Botërore të të varfërve, në program më 17 nëntor. Mesazhi u paraqit në Vatikan të enjten, më 13 qershor.

 “ I varfëri – shkruan Ati i Shenjtë, duke cituar profecinë e don Primo Mazzolari-t – është protestë e vazhdueshme kundër padrejtësive; i varfëri është fuçi baruti. Nëse i vë flakën, bota hidhet në erë”. Nganjëherë, vëren Papa, mjafton pak për t’u kthyer shpresën të mënjanuarve të kësaj bote: “mjafton të ndalesh, të buzëqeshësh, të dëgjosh”. Ashtu siç bëri Jean Vanier, “shenjti i portës fqinjë”, që diti të ndërtojë “një arkë shpëtimtare kundër mënjanimit dhe vetmisë” së njerëzve me të meta mendore. Sepse muret dhe barrierat nuk jetojnë përgjithmonë, thekson Françesku. Edhe sot, detyra e të krishterëve dhe e gjithë njerëzve vullnetmirë nuk ka ndryshuar: “Të varfërve u duhet ridhënë shpresa e humbur nga padrejtësitë, vuajtjet dhe problemet e jetës”.

Papa: bashkimi është dëshmia e parë e apostujve në botë

Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa Françesku vijoi ciklin e katekizmit, kushtuar Veprave të Apostujve, duke vënë në dukje faktin se, pas vdekjes së Judës, apostujt mbetën 11 e jo më 12-tët e zgjedhur nga Jezu Krishti. Ati i Shenjtë u ndal në gjestin e Judës, i cili pasi e tradhtoi Jezusin, vari veten. Që më parë, vërejti Papa, kishte filluar të shkëputej nga Krishti e nga të tjerët, të rrinte vetëm, të izolohej, të kapej pas parasë deri në shfrytëzimin e të varfërve, ta humbte aftësinë për të dhënë e për të marrë falas. Për pasojë, virusi i mendjemadhësisë i infektoi mendjen dhe zemrën, duke e shndërruar nga mik në armik të Jezusit. Kështu, i çoi tek Ai, ata, që e arrestuan.

Krejtësisht ndryshe nga Juda, vijoi Papa katekizmin e së mërkurës, apostujt e tjerë zgjodhën jetën, duke e bërë atë të rrjedhë plot bekime në histori, nga brezi në brez, nga populli i Izraelit në Kishë. Kjo ndodhi, sepse qëndruan të bashkuar e kështu, së bashku, me short, e zgjodhën edhe Matinë, apostullin e 12-të në vend të Judës, duke pasur besim se Zoti do të vinte gishtin mbi njeriun e përshtatshëm.

Në këtë mënyrë, vërejti Françesku, “rikrijohet korpi i të Dymbëdhjetëve, shenjë që bashkimi fiton mbi ndarjen, mbi izolimin, mbi mendësinë që e absolutizon hapësirën private”. Pikërisht bashkimi është “dëshmia e parë e apostujve” të Krishtit.

Papa: jeta është e shenjtë e duhet mbrojtur që nga fillimi

Thirrje e re e Papës Françesku kundër abortit, gjithnjë gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës. “Jeta është e shenjtë, sepse është dhuratë e Zotit. Jemi të thirrur ta mbrojmë e t’i shërbejmë që nga zënia në barkun e nënës e deri në moshën e shtyrë, kur fillojnë sëmundjet e vuajtjet. Nuk është e drejtë të shkatërrohet jeta – nënvizoi Papa – të bëhet objekt eksperimentesh, ose konceptimesh të gabuara. Ju bëj thirrje – përfundoi Ati i Shenjtë – të luteni që jeta njerëzore të respektohet gjithmonë”.

Papa, jezuitëve të Rumanisë: Kisha është tejet e plagosur sot, edhe nga tensione të brendshme

 “Kisha është tejet e plagosur e sot, plagoset edhe nga tensionet e brendshme. Butësi, nevojitet butësi”. Këto janë fjalët e Papës për jezuitët e Rumanisë, të cilët i takoi me rastin e udhëtimit të tij apostolik në vend, nga 31 maji deri më 2 qershorin, që sapo kaloi. Biseda u botua javën e shkuar në numrin e fundit të revistës së jezuitëve “La Civiltà Cattolica”, drejtuar nga atë Antonio Spadaro.

Veçojmë pyetjen e një jezuiti rumun, që i kërkoi Papës një mendim për qëndrimin në këto kohë të turbullta. “Duhet durim – nënvizoi Ati i Shenjtë – duhet Hypomonē, pra, duhet t’i bartim me përgjegjësi ngjarjet dhe rrethanat e jetës. Duhet mbajtur mbi supe pesha e jetës dhe e tensioneve të saj. E dimë se duhet të ecim me sinqeritet e me guxim. Janë të rëndësishëm. Megjithatë – vuri në dukje Papa – ka kohë në të cilat nuk mund të ecim shumë përpara e, atëherë, duhet të kemi durim e të jemi të butë. Kështu bënte Pietro Favre, njeri i dialogut, i dëgjimit, i afërsisë. Sot, është më tepër koha e Favre se ajo e Canisio-s, që ishte njeri i debatit. E pastaj, nevojitet afërsi me popullin e Zotit në jetën e përditshme, me veprat e bamirësisë që shërojnë plagë. Unë e mendoj Kishën si spital fushor”.

“Kantier sinodal” një vjeçar për të ripërkufizuar shëndetësinë katolike

 Filloi më 13 qershor, në Romë, i ashtuquajturi “kantier sinodal”, një kuvendim një vjeçar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, për të përkufizuar karizmën, identitetin dhe rolin e shëndetësisë katolike në veprimtarinë baritore të Kishës.

 40 vjet pas themelimit të Sistemit Shëndetësor Italian e gati 20 vjet pas publikimit të një dokumenti të ipeshkvijve, që u referohet institucioneve shëndetësore katolike, Zyra kombëtare e baritorisë shëndetësore në Kishën Italiane mbledh rreth 260 strukturat shëndetësore katolike në territor për të diskutuar mbi rolin e tyre në dritën e parimit të susidiaritetit, mbi marrëdhëniet me shtetin dhe me rajonet e Italisë. Në qendër të vëmendjes, niveli i lartë i mjekimit, bamirësia dhe qëndrueshmëria ekonomike, por edhe inteligjenca organizative dhe formimi i personelit, ndërmjet përparimeve të shkencës dhe sfidave të bioetikës. Pas 10 muajsh do të hartohet një dokument, që do të jetë Karta e Shërbimit Shëndetësor Katolik në Itali për dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

16 qershor 2019, 09:07