Kërko

Papa, në audiencën e përgjithshme Papa, në audiencën e përgjithshme 

Nga veprimtaria javore e Papës dhe e Vatikanit

Sot, në festën e Rrëshajve, u urojmë të gjithë besimtarëve e atyre që na ndjekin në web faqe dhe në radio, këtë Solemnitet të lumnueshëm, gjatë të cilit kujtojmë ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostujt e mbi VirgjrënMari . Ja, disa ngjarje nga veprimtaria javore e Papës Françesku.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti dje në audiencë pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare, organizuar nga Fondacioni “Centesimus Annus-Pro Pontifice” me temë “Doktrina Shoqërore e Kishës nga zanafilla në epokën dixhitale: si ta jetojmë enciklikën ‘Laudato si’”. Të pranishëm, më se 500 vetë.

 Më pas, në Oborrin e Shën Damazit, në Vatikan, Ati i Shenjtë priti rreth 500 fëmijët dhe shoqëruesit, që morën pjesë këtë vit në nismën “Treni i fëmijëve”. Rreth 400 fëmijë, mbërritën në Vatikan me një tren të Hekurudhave Italiane, nga Gjenova, por edhe me anijen “Moby Tommy” nga Sardenja, e cila i la në portin e Civitavecchia-s, për të ardhur më pas në Romë. Është fjala për fëmijë, të cilët janë përfshirë në dëmet e shkaktuara nga rënia e Urës Morandi në Gjenova dhe nga përmbytjet në ishullin e Sardenjës, në vitin 2013. Nisma, në edicionin e saj të shtatë, ka për temë “Një urë e artë në një det me dritë”.

Dje, në mesditë, Ati i Shenjtë priti në audiencë edhe pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare të krerëve të Përtëritjes Karizmatike Katolike, shkurt “Charis”. Ata ndodheshin në Vatikan, që nga 6 qershori, për t’u lutur së bashku e për t’u përgatitur për takimin me Papën, por edhe për nisjen e këtij shërbimi uniteti ndërmjet lëvizjeve të ndryshme, dëshiruar me forcë nga Ati i Shenjtë. Pikërisht sot, në ditën e Rrëshajëve, fillon punën “Charis”, realitet i ri, dalë nga shkrirja e dy realiteteve të mëparshme të botës karizmatike katolike, ai i Vëllazërisë Katolike të Bashkësive Karizmatike të Aleancës dhe ai i Shërbimit Ndërkombëtar Katolik për Rinovimin Karizmatik. Për vullnet të Papës Françesku, Charis nuk është organizëm qeverisjeje, por shërbim bashkimi. Ati i Shenjtë flet gjithnjë për Përtëritjen Karizmatike si për një “rrymë hiri” në Kishë.

Po dje, Bergoglio kremtoi meshën e mbrëmjes, në vigjilje të Rrëshajëve, po në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e besimtarëve të dioqezës së Romës. Siç nënvizon në një letër, vikari i dioqezës, kardinali Angelo De Donatis, Kisha e Romës dhe e Lacios u mobilizua në masë për të kërkuar, me lutje, që të varfërit dhe emigrantët të trajtohen me dinjitet, pa bërë dallime ndërmjet të huajve dhe italianëve. Më pas besimtarët shkuan në shtegtim deri në Porta Capena, për të vijuar gjatë natës, në këmbë, deri në shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore, menjëherë jashtë kryeqytetit italian.

Duke veçuar veprimtari të tjera të Papës, gjatë javës që sapo kaloi, përmendim njoftimin e audiencës së Atit të Shenjtë me presidentin e Federatës Ruse, më 4 korrikun e ardhshëm. Njoftimin e dha drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti.

Në videomesazhin për ndjetin e lutjes së muajit qershor, paraqitur të enjten, Papa na fton ta kthejmë vështrimin kah meshtarët, që punojnë në bashkësitë tona të krishtera. “Të lutemi për meshtarët që, me thjeshtësinë dhe përvujtërinë e jetës së tyre, të impenjohen në solidaritetin aktiv, sidomos, ndaj më të varfërve”: kjo, kërkesa për besimtarët.

Në katekizimin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa foli për shtegtimin e tij apostolik në Rumani, ku shkoi ndërmjet 31 majit e 2 qershorit, njëzet vjet pas vizitës së Gjon Palit II. Françesku i falënderoi të gjithë për organizimin e shtegtimit me moton: “Të ecim së bashku!”.

Papa cakton një delegat për kujdesin baritor të besimtarëve të shumtë, që vizitojnë Shenjtëroren e Lurdës. Ai është imzot Antoine Hérouard, ipeshkëv-ndihmës i Lille. Njoftimin e dha më 6 qershor, në  Shenjtëroren franceze, kryeipeshkvi Rino Fisichella, Kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri.

09 qershor 2019, 10:47