Kërko

Vatican News
Audienca e përgjithshme e Papës Françesku Audienca e përgjithshme e Papës Françesku  (Vatican Media)

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Nga lutja e sotme e Engjëllit të Tenzot, tek mesha e djeshme në Solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, tek koncistori i nesërm për kanonizimin e John Henry Newman: një javë me Papën Françesku e me Kishën Katolike.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot lutjen e Engjëllit të Tënzot, në një ditë të nxehtë vere, në të cilën besimtarët nuk munguan pavarësisht nga vapa. Të gjithë, në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, për të dëgjuar, poshtë dritares së zakonshme të Pallatit Apostolik, komentin e Atit të Shenjtë për Ungjillin e kësaj së diele, të 13-tës së vitit kishtar.

 Ungjilli, i dielës së sotme të 13-tës së vitit kishtar, flet për thirrjen e Zotit dhe mënyrat e ndryshme, me të cilat njerëzit duan ta ndjekin Krishtin, që shkonte drejt Jeruzalemit, pra drejt Kalvarit. Të ndjekësh Krishtin është një impenjim, që kërkon sakrifica e nuk i toleron mëdyshjet. Për të ndjekur Krishtin nuk mjafton një përgjigje e rastit, duhet që ajo të vihet në zbatim me përgjegjësi dhe me ndihmën e fesë. Jezusi u kërkon atyre që dëshirojnë, ta ndjekin pa u kthyer kurrë mbrapa. E kështu, të hyjnë me Të në Mbretërinë e Zotit, që do të thotë ta duash jetën siç e ka dashur Krishti, me përkushtim të plotë, pa interesa personale e duke iu larguar logjikave të kësaj bote, për të qenë të lirë, sipas stilit ungjillor.

Mesha e Solemnitetit të shën Pjetrit e të shën Palit

Dje, në Solemnitetin e shën Pjetrit e të shën Palit, Papa Françesku kremtoi meshën në Bazilikën e Vatikanit, me ritin e bekimit të paliove për kryeipeshkvijtë e rinj metropolitë. Në mesditë, tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit.

 “Apostujt Pjetër e Pal – tha Ati i Shenjtë në homelinë e meshës – qëndrojnë para nesh si dëshmitarë. Nuk u lodhën kurrë së kumtuari Ungjillin, së jetuari misionin, për udhë, nga toka e Jezusit deri në Romë. Këtu e dëshmuan deri në fund, duke dhënë jetën si martirë. Nëse shkojmë në rrënjët e dëshmisë së tyre, i zbulojmë si dëshmitarë të jetës, dëshmitarë të faljes e dëshmitarë të Jezusit”. Rreth këtyre tri dëshmive u shtjellua gjithë predikimi i djeshëm i Papës.

Papa, ortodoksëve: të mbrojmë Gjithësinë do të thotë t’i shërbejmë Ungjillit

 Një vizitë, që ripohon forcën e lidhjeve ndërmjet Kishës së Romës dhe asaj të Konstandinopojës. Por edhe thirrje për guxim apostolik në kumtimin e Ungjillit dhe ftesë për arritjen e bashkimit të plotë ndërmjet vëllezërve ende të ndarë. Takimi i Papës me një delegacion nga Patrikana Ekumenike e Konstandinopojës, të premten, më 28 qershor, ishte rast për të reflektuar mbi udhën ekumenike të pajtimit e, njëkohësisht, për të parë drejt sfidave të reja shpirtërore dhe shoqërore, që i ftojnë katolikët dhe ortodoksët të punojnë së bashku, në dritën e fesë së njëjtë në Krishtin e ringjallur.

Ortodoksët në Romë për festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit

Prania e delegacionit të Patrikanës Ekumenike të Konstandinopojës në festën e Shën Palit e të Shën Pjetrit është tashmë traditë në kalendarin e konsoliduar të shkëmbimeve ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve. Këtë vit, delegacioni ortodoks udhëhiqej nga kryepeshkopi Job i Telmissos, përfaqësues në Këshillin Botëror të Kishave. Si gjithnjë, një delegacion katolik do t’ua kthejë vizitën ortodoksëve më 30 nëntor, në Turqi, për të festuar Shën Andreun apostull, themelues i vetë Patrikanës Ekumenike.

Të respektohen identitetet e ndërsjella

 Në fjalën e tij, Papa Françesku kujtoi udhëtimet e fundit baritore në Bullgari dhe Rumani, ku u takua me patriarkët Neofit dhe Daniel, si edhe me Sinodet përkatëse. “I lashë ato vende – tha Bergoglio - me një dëshirë më të madhe për bashkim”, i bindur se “rivendosja e unitetit të plotë ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve kalon përmes respektimit të identiteteve të veçanta dhe bashkëjetesës së harmonishme, në larminë e ligjshme. Shpirti Shenjt është ai që, me krijimtari, dikon shumëllojshmërinë e dhuratave dhe i harmonizon, çon drejt bashkimit, drejt një uniteti të vërtetë, që nuk është uniformitet, por simfoni me disa zëra, në dashuri”.

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme: “Kush është egoist, nuk është i krishterë”

“Nuk ka vend për egoizëm në shpirtin e të krishterit: nëse zemra është egoiste, ti nuk je i krishterë, je njeri i kësaj bote, që sheh vetëm interesin e përfitimin e vet”.

Kështu tha Papa Françesku në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, në të cilën vazhdoi ciklin e tij të katekizmit mbi Veprat e Apostujve. “Ndryshe nga shoqëria njerëzore, ku ekziston prirja që secili të shohë interesin e vet, pa i marrë parasysh e madje, edhe në dëm të të tjerëve - shpjegoi Ati i Shenjtë - bashkësia e besimtarëve e përjashton individualizmin për të nxitur solidaritetin”.

“Shën Luka ungjilltar – vijoi Papa - na tregon se besimtarët rrinë bashkë. Afërsia dhe uniteti janë stili i të shëlbuarve: të afërt, të shqetësuar për njëri-tjetrin, jo për t’i përgojuar të tjerët, por për t’i ndihmuar”. “Identifikojuni me të tjerët dhe jepini secilit sipas nevojave”: këto janë detyrat e dishepujve të Krishtit, përfundoi Papa Françesku.

Reforma e Kuries Romake: brenda shtatorit, i dorëzohet Papës projekt-Kushtetuta

Projekt-Kushtetuta e re Apostolike për Kurien Romake, me titull të përkohshëm “Praedicate Evangelium”, mund t’i dorëzohet Papës Françesku në shtator. Do të jetë Ati i Shenjtë ai, që do të vendosë për kohën e botimit të saj. Kështu tha ipeshkvi i Albanos, imzot Marcello Semeraro, në një konferencë për shtyp të enjten, më 27 qershor, në përfundim të mbledhjes së 30-të të Këshillit të Kardinajve, sekretar i të cilit është ai vetë.

Gjatë takimit me gazetarët në Sallën e Shtypit të Vatikanit, imzot Semeraro vuri në dukje se në procesin e reformës së Kuries “ndryshimi i parë duhet të jetë i brendshëm”, siç shpjegoi Papa Françesku në fjalimin e tij për 50-vjetorin e themelimit të Sinodit të Ipeshkvijve. Nëse kjo nuk ndodh, vërejti ipeshkvi i Albanos, “ndryshimet e jashtme nuk vlejnë për gjë”.

Punimet e mbledhjes së 30-të të Këshillit, që u mbajt nga e marta deri të enjten, i hapi, si zakonisht, vetë Ati i Shenjtë. Të gjashtë kardinajtë ishin të pranishëm. Gjatë takimit, “me dëshirën e Papës”, u diskutua mbi komentet, që i kanë mbërritur Këshillit të Kardinajve për tekstin e parë të Kushtetutës “Praedicate Evangelium”, e cila iu dërgua menjëherë pas Pashkëve të gjitha dikastereve të Kuries, nuncëve apostolikë, konferencave ipeshkvnore dhe disa fakulteteve kishtare.

Mbledhja e 30-të e Këshillit të Kardinajve përfundoi pasditen e së enjtes, në orën 17.30, për të lejuar pjesëmarrjen në meshën e orës 18.00, kryesuar nga Papa Françesku në Bazilikën e Vatikanit, me rastin e 50-vjetorit të martesës së Guzmán Carriquiry Lecour - laik uruguajan, i njohur dhe i respektuar nga Bergoglio, si njeri në shërbim të Selisë së Shenjtë, fillimisht si zv.sekretar i Këshillit për Laikët dhe së fundi si zv.kryetar i Komisionit për Amerikën Latine.

Takimi i ardhshëm i Këshillit të Kardinajve do të mbahet nga 17 deri më 19 shtator. Në tetor kardinajtë do të marrin pjesë në Sinodin për Amazonën.

Putin tek Papa. Imzot Pezzi: “Françesku do të flasë hapur, por edhe do të dëgjojë”

“Lajm i mirë”: kështu e komenton kryeipeshkvi i Moskës, imzot Paolo Pezzi, takimin e së enjtes së ardhshme të Papës Françesku me presidentin rus Vladimir Putin, në Vatikan. Paqja, prania e të krishterëve në Lindjen e Mesme, Ukraina: këto mund të jenë temat e bisedës. “Papa ka diçka për të thënë, do të propozojë diçka, por është edhe njeri që dëgjon, që ngre pyetje për ç’flitet në bisedë e kjo e bën takimin dinamik. E kthen në dialog. Takim me kuptim të thellë, takim shkëmbimi e pasurimi dhe jo kundërvënie”.

Konfirmimi për mbërritjen e presidentit Putin në Vatikan u dha më 6 qershor nga drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti. Është hera e tretë në pesë vjet, që presidenti i Federatës Ruse takohet me Papën Françesku. Takimi i parë u zhvillua më 25 nëntor 2013, pastaj, më 10 qershor, dy vjet më vonë. Në rastin e fundit, biseda zgjati rreth 50 minuta.

Papa do të udhëtojë për në Afrikë: tre shtete, në shtatë ditë

Shtatë ditë udhëtim, vizitë në tre vende, ku do të mbajë gjithsej, 15 fjalime. Këto janë shifrat, që karakterizojnë udhëtimin e ardhshëm të Papës Françesku në Afrikë, ku Ati i Shenjtë do të shkojë nga 4 deri më 10 shtator. Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të njohur të premten e kaluar, programin e këtij shtegtimi apostolik në Mozambik, Madagaskar dhe në Ishujt Mauricius. Gjatë udhëtimit do të ketë takime politike, baritore e ndërfetare, ku përfshihet edhe një çast i veçantë, gjatë të cilit do të thuhet një “lutje për punëtorët”.

Drejt kanonizimit të të Lumit John Henry Newman

Më 1 korrik, Papa Françesku do të mbajë koncistorin e zakonshëm publik për kanonizimin e të Lumit John Henry Newman dhe katër të Lumeve të tjera. Ato janë: rregulltaret Giuseppina Vannini, Maria Teresa Chiramel Mankigiyan dhe Dulce Lopes Pontes, si edhe terciarja françeskane Margarita Bays.

Takim i Ecjes Neokatekumenale në Gjenovë me nismëtarin Kiko Argüello

Ecja Neokatecumenale zhvilloi sot në Gjenovë një takim vokacional, udhëhequr nga ekipi përgjegjës ndërkombëtar i saj, formuar nga themeluesi Kiko Argüello, atë Mario Pezzi dhe María Ascensión Romero. I pranishëm, kryeipeshkvi metropolit i qytetit të Liguries, kardinali Angelo Bagnasco. Morën pjesë 6.500 neokatekumenalë, nga e gjithë Italia.

Pak më shumë se një vit pas takimit të Ecjes Neokatecumenale me Papën Françesku - me rastin e 50 vjetorit të fillimit të punës së kësaj bashkësie kishtare në Romë - dhe dy muaj pas atij të Kievit, ku morën pjesë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Polonia, edhe në këtë asamble, Kiko Argüello shpalli Kerigmën, Lajmin e Mirë të vdekjes e të ringjalljes së Krishtit. Më pas, u kërkoi të pranishmëve t’u përgjigjen thirrjeve të Zotit në meshtari e në jetën e shuguruar, ndërsa familjeve, të tregojnë gatishmëri për të shkuar atje ku Hyji i çon me mision nëpër botë. Në qytetin, ku ra ura Morandi, në qendër të rajonit, që mban primatin e trishtë botëror të nivelit më të ulët të lindjeve, ky takim deshi të dëshmojë edhe një herë rrugën e një “shprese që nuk zhgënjen”.

30 qershor 2019, 13:20