Papa Françesku në Qendrën e jezuitëve "Astalli" për refugjatët, Romë Papa Françesku në Qendrën e jezuitëve "Astalli" për refugjatët, Romë 

Tweet i Papës për Ditën Botërore të Refugjatit. Flet imzot Gallagher

Sot, kremtohet në të gjithë globin Dita Botërore e Refugjatit. Tweet-i i Papës Françesku dhe intervista jonë me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, për impenjimin e Selisë së Shenjtë në favor të emigrantëve dhe refugjatëve.

R.SH. - Vatikan

Sot, kremtohet në të gjithë globin Dita Botërore e Refugjatit. Papa Françesku, i cili flet shpesh në favor të emigrantëve dhe të refugjatëve, shkruan këtë tweet: “Me refugjatët, Provania Hyjnore na jep rastin për të ndërtuar një shoqëri më solidare, më vëllazërore e një bashkësi të krishterë më të hapur, sipas Ungjillit”. Tweet-i i Atit të Shenjtë përfundon me hashtagun #WithRefugees (Me refugjatët), gjë që do të thotë se Papa mbështet plotësisht fushatën e OKB-së me të njëjtin hashtag, që do të vijojë deri më 19 shtator.

Fushata #WithRefugees

Fushata synon t’i bëjë të njohur refugjatët, duke paraqitur ëndrrat dhe shpresat e tyre: dëshirën për të qenë në gjendje të kujdesen për familjen, të kenë një punë, të shkojnë në shkollë dhe të kenë një vend, që mund të quhet “shtëpi”. Shumë aktorë dhe figura publike po e mbështesin fushatën, duke postuar në internet mesazhe dhe fotografi me hashtagun #WithRefugees. Udhëheqësit botërorë duhet ta kuptojnë se qytetarët janë në anën e refugjatëve dhe duan t’u kërkojnë qeverive të bashkëpunojnë për t’i përmirësuar kushtet e tyre. Peticioni #WithRefugees do të paraqitet në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së në Nju Jork më 19 shtator. Në të do të parashtrohen disa kërkesa, si: t’i garantohet arsimi çdo fëmije refugjat, t’i sigurohet çdo familjeje refugjatësh një vend i sigurt për të jetuar dhe, të punësohen refugjatët, edhe përmes rikualifikimit, në mënyrë që të japin kontributin e tyre në shoqëri.

OKB-ja dhe Dita Botërore e Refugjatit  

Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me Rezolutën 55/76, vendosi ta festojë Ditën Botërore të Refugjatëve më 20 qershor të çdo viti, me synimin për të intensifikuar përpjekjet që parandalojnë dhe zgjidhin konfliktet dhe për të kontribuar në arritjen e paqes e në mbrojtjen e refugjatëve. Dokumenti u miratua më 4 dhjetor 2000, me rastin e 50 vjetorit të Konventës së 1951-shit për statusin e refugjatëve. Pavarësisht nga impenjimi, sot në botë ka 260 milionë emigrantë ndërkombëtarë, 760 milionë të brendshëm e rreth 70 milionë refugjatë e azilkërkues, që detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre, nën kërcënimin e bombave, të terrorit, të persekutimit politik e fetar, sipas Raportit të fundit të Komisariatit të lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

Imzot Gallagher: t’i përgjigjemi me humanitet krizës së emigracionit

Sot, në orën 18, në Bazilikën romake të Shën Marisë në Trastevere, Kisha Katolike organizoi një lutje ekumenike në kujtim të sa e sa vetëve, që humbin jetën, gjatë udhëtimit të shpresës për në Evropë. Titullohej “Të vdesësh nga shpresa” dhe u promovua nga një sërë organizatash kishtare, që merren me emigrantët dhe refugjatët, si katolike, ashtu edhe protestante. Nga ana e saj, Selia e Shenjtë e ka ngritur gjithnjë zërin në mbrojtje të emigrantëve dhe refugjatëve e tani, synon të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të promovuar masa afatmesme e afatgjatë në mbrojtje të dinjitetit, të të drejtave dhe të lirive të tyre. Në mikrofonin tonë, flet Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher:

 Besoj se mesazhi i Selisë së Shenjtë në këtë çast është se ne e pranojmë që vendet nuk e kanë të lehtë të administrojnë gjendjen e krijuar nga migracioni. Së bashku, duhet të përballemi me një realitet të vështirë; një realitet, që nuk zhduket brenda një nate. Gjithsesi, siç thotë Papa, krizës që rrjedh nga ky fenomen, duhet t’i përgjigjemi në mënyrë njerëzore, në mënyrë të krishterë dhe duhet të përpiqemi t’u bëjmë mirë njerëzve e jo keq.

Selia e Shenjtë po bashkëpunon me vendet e tjera në këtë front?

Ne marrim pjesë në takime dhe bisedime ndërkombëtare, përpiqemi të kontribuojmë në krijimin e të ashtuquajturave Pakte Globale dhe, nxisim organizatat katolike anembanë botës t’i mirëpresin emigrantët dhe refugjatët. Pastaj, natyrisht, kemi një Seksion të Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm Njerëzor, që merret veçanërisht me emigrantët dhe refugjatët, drejtuar nga vetë Ati i Shenjtë.

Papa Françesku citon shpesh katër folje: të mirëpresim, të promovojmë, të mbrojmë dhe të integrojmë. E megjithatë, duket sikur po fiton politika e mureve, pikërisht në Evropën, që lindi si Shtëpia e Popujve…

 Po, është e vërtetë, por ne mundohemi të bisedojmë vazhdimisht me miqtë tanë në të gjithë Evropën, duke inkurajuar - siç thashë – përgjigje, që mund të sjellin zgjidhje praktike, të cilat e respektojnë sovranitetin e shteteve, por kanë parasysh edhe realitetin. Është e qartë se konfliktet në botë, kushtet e vështira të ambientit, varfëria e skajshme, janë elemente që nuk ndryshojnë për një ditë, prandaj, duhet të vazhdojmë, ndoshta për shumë vjet, të punojmë me solidaritet e me dashuri vëllazërore për këta njerëz.

Natyrisht, politikat aftashkurtëra kanë të bëjnë me mikpritjen e emigrantëve dhe të refugjatëve, por ato afatgjata synojnë t’u sigurojnë të gjithëve kushte të favorshme në vendet e tyre. A mund të arrihet ky objektiv?

Sigurisht që po: kam qenë nunc apostolik dhe bashkëpunëtor nunciature për disa vite, në vende të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe të Afrikës, prandaj, e njoh realitetin vendor. Por, vërej se impenjimi për të siguruar kushte njerëzore në çdo vend nuk ecën përpara. Duhet bërë më shumë. Gjithsesi, gjendja duhet parë edhe pozitivisht; kriza sjell mundësi të reja. Në Evropë kemi probleme si ai demografik, ose nevojën për fuqi punëtore në industri… Prandaj, duhet ekuilibër, por edhe më shumë humanitet. Vërtet, nëse i trajtojmë keq të tjerët, ne vetë humbim diçka nga shpirti ynë njerëzor.

20 qershor 2019, 13:47