Kërko

Trump e Kim në kufirin korean. Papa: shembull i mirë i kulturës së takimit

Papa Françesku, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, foli për takimin e Presidentit të SHBA-ve, i pari që hyri në Korenë e Veriut, me liderin verikorean Kim Jong-un në Panmunjon, mbi kufirin ndërmjet dy Koreve. “Lutem” që ky gjest domethënës të jetë një hap i ri në udhën e paqes, e jo vetëm për këtë gadishull, por për botën mbarë”.

R. SH. - Vatikan

“Orët e fundit asistuam, në Kore, një shembull të mirë të kulturës së takimit. I përshëndes protagonistët, duke u lutur që ky gjest domethënës të jetë një hap i ri përpara në udhën drejt paqes, jo vetëm për këtë gadishull, por për paqen në botën mbarë”.

Kështu u shpreh Papa Françesku, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, nga dritarja e studios së tij, që shikon mbi Sheshin e  Shën Pjetrit, duke komentuar takimin e presidentit amerikan, Donald Trump me atë verikorean, Kim Jong-un, pak orë më parë, në Panmunjon, fshat i ndërtuar mbi Dmz, vija e ndarjes ushtarake, e vendosur pas armëpushimit të vitit 1953, ndërmjet Koresë së Jugut e asaj të Veriut.

Propozimi i Trump: shihemi pas G20 të Japonisë

Me propozimin e presidentit të SHBA-ve, që të shtunën përfundoi G20 të Osaka-s, në Japoni, dy liderët e vendeve, në luftë gjatë viteve 1950-1953 (SHBA-të ishin aleatë të Koresë së Jugut e paqja nuk është nënshkruar akoma), u takuan në vijën e paralelit të 38-të, ku gjatë luftës vdiqën shumë koreanë e aleatë amerikanë. Në fund, viktimat ishin 2 milionë e 800 mijë vetë, gjysma civilë. “Këtu ishte një konflikt i madh e vdekja endej në të katër anët. Ishte vend i rrezikshën, tepër i rrezikshëm” komentoi Trump, duke vizituar për herë të parë një kullë vrojtimi në Dmz (zona e çmilitarizuar).

Presidenti i parë amerikan, që shkel në Korenë e Veriut

Donald Trump iu afrua kufirit pas orës 08.30 me orën tonë. “Do të dëshironit ta kapërceja?”- e pyeti liderin verikorean. Ai u përgjigj se do të ishte shumë i nderuar - i tregoi më pas shtypit presidenti amerikan. “Nderimi është imi” - gjegji Trump dhe e kapërceu i vetëm kufirin ndërkorean, i pari e i vetmi president, që e ka bërë një hap kësisoji.  “Ndjehem mrekullisht mirë” - komentoi menjëherë pas, ndërsa lideri Kim Jong-un ecte drej tij, për ta takuar. Të dy i shtrënguan dorën njëri-tjetrit, për herë të parë në Korenë e Veriut. “Është kënaqësi t’ju takoj për herë të dytë” – tha Trump. E komandanti suprem ia ktheu “E kush e kishte pritur, se do të mund të shiheshim përsëri këtu, në Panmunjon. DMz është vetëm 60 km larg Seulit, kryeqytet i Koresë së Jugut.

Kim Jong-un hyn në Korenë e Jugut

Të dy, pastaj, kapërcyen kufirin e hynë në Korenë e Jugut, duke biseduar disa minuta me mediat. “Gjest, që i hap udhën një ardhmërie të re” – u tha Kim, ndërsa Trump ia ktheu “është nder për mua” të jem presidenti i parë i SHBA-ve që shkoj në veri”. Pak më vonë me ta u bashkua edhe presidenti jugkorean, Moon Jae-in. E pasi shkëmbyen disa batuta, të tre presidentët shkuan drejt ndërtesës së shërbimit, Freedom House, gjithnjë në anën jugkoreane, ku Kim e Trump patën një bisedim informal dypalësh.

Takimi tretë Trump-Kim Jong-un, pas Singaporit e Hanoit

Në bisedën dypalëshe, që zgjati  rreth një orë, Trump e ftoi Kim Jong-un në Washington, sipas njoftimit të mediave, që ndiqnin Shtëpinë e Bardhë. Ishte takimi i tretë ndërmjet tyre, pas Singaporit e Hanoit. “Marrëdhëniet tona janë të jashtëzakonshme - komentoi lideri verikorean Kim Jong-un gjatë bisedës bilaterale, duke kujtuar se “gjesti i presidentit amerikan për të hyrë në Korenë e Veriut ishte i guximshëm dhe i vendosur”.

Do të rifillojnë bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Koresë

Gjatë bisedimeve dypalëshe, të dy presidentët folën për rifillimin  e bisedimeve, ndërmjet dy vendeve, mbi çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut. “Kjo do të vendoset  javët e ardhshme. Po sot është ditë e madhe. Pastaj të shohim ç’do të ndodhë” - u tha Trump mediave, pasi e shoqëroi liderin Kim Jong-un deri te vija ndarëse me veriun, së bashku me presidentin jugkorean, Moon Jae-in.

30 qershor 2019, 16:29