Takimi i Papës me të rinjtë e Maqedonisë Takimi i Papës me të rinjtë e Maqedonisë 

Të përsërisim, me Papën, lutjen e Nënës Terezë drejtuar Zotit

Kujtojmë lutjen e Nënë Terezës: “Të duhen duart e mia, o Zot?”, në kornizën e takimit të Papës Françesku me të rinjtë, gjatë shtegtimit në Maqedoni më 7 maj të kaluar në Shkup.

R. SH. - Vatikan

Gjatë vizitës në Maqedoni, më 7 majin e kaluar, takimin e fundit, e fjalën e fundit - Papa e ruajti për të rinjtë, në qendrën baritore, në Shkup. Një ndërtesë dykatëshe, pranë katedrales së qytetit. Është vendi i takimeve dhe i nismave të organizuara nga Kisha vendase. Këtu u zhvillua një dialog me vlera të mëdha edukative, kushtuar kryesisht ëndrrave dhe aventurave të mira rinore. Pyetjen e parë Papës ia drejtoi një vajzë me emrin simbolik shqiptar, Liridona që, duke i folur Atit të Shenjtë për ëndrrat e saj, e pyeti: “Thua nuk duhet të ëndëroj kaq shumë?”.

E Papa iu përgjigj:

“Ëndrrat nuk janë kurrë të tepërta. Një nga problemet kryesore sot është se shumë të rinj e kanë humbur fare aftësinë për të ëndërruar. Dinë vetëm të ankohen. E kjo të bën të marrësh rrugën e gabuar. Kur gjithçka duket e palëvizshme, e amullt, kur problemet personale të shqetësojnë, situata shoqërore nuk të jep përgjigjen e duhur, nuk është mirë të dorëzohesh! Ëndërroni, prandaj. Ëndrra të mëdha! Që i japin shpresë botës së lodhur. Të plakur para kohe! Endërroni, së bashku, të krishterë e myslimanë!”.

Kjo, përgjigjja e Papës, që më pas kujtoi se edhe ai, me mikun e tij, Imamin e Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb- ka një ëndërr të madhe: ëndrrën e vëllazërimit ndërmjet gjithë kombeve, gjithë të rinjve, gjithë njerëzve!

“Mendojeni Nënë Terezën - u tha Papa të rinjve,  duke u ndaluar përsëri tek shembulli i saj i jashtëzakonshëm. - Kur jetonte këtu, nuk mund as ta përfytyronte si do të ishte jeta e ardhshme, por nuk pushoi kurrë së ëndërruari e s’u përpjekuri për ta zbuluar fytyrën e dashurisë së saj të madhe, Jezusin, në fytyrat e të gjithë atyre, që qenë flakur në hendeqet e rrugëve. I kishte këmbët të ngulura mirë këtu, në tokën e saj, por nuk rrinte duarkryq. Donte të bëhej lapës i vogël në duart e Zotit. Ja, kjo ishte ëndrra e saj artizanale!”.

Prej këndej, lutja e Shën Nënë Terezës, shkruar me ato dy duar të jashtëzakonshme, të papërsëritshme, të cilat ia falte Zotit çdo orë, çdo ditë, një jetë të tërë, për të përqafuar të varfërin, për të ndihmuar të braktisurin, për të strehuar mërgimtarin, njeriun që kalbej në rrugë të madhe:

Të duhen duart e mia, o Zot?

(Lutje e Nënë Terezës)

Të duhen duart e mia, o Zot,

për t’i ndihmuar të sëmurë e të varfër

që kanë aq shumë nevojë?

Duart e mia, o Zot, po t’i fal!

 

Të duhen dhe këmbët, o Zot,

që të më çojnë me vrap

atje ku më thërret zëri yt?

T’i fal, edhe këmbët, Zoti im!

 

Të duhet zëri - Zot,

për t’u folur sot atyre

që kanë aq shumë nevojë

për fjalën tënde të dashurisë?

Zot, nuk më dhimbset as zëri për Ty!

 

Të duhet dhe zemra, Zoti im,

që të dua çdo njeri

pa bërë asnjë përjashtim?

E jotja qoftë dhe zemra, Zotëri!

 

“Secili nga ju, si Nënë Tereza – vijoi Papa - është i thirrur ta punojë jetën me duart e veta, ta marrë seriozisht jetën, ta bëjë diçka vërtet të bukur. Mos lejoni t’jua rrëmbjenë ëndrrat. E mos luftoni kurrë të vetëm. Bashkimi bën fuqinë, bashkimi të ndihmon t’i përballosh të gjitha sfidat e shoqërisë së sotme” – kjo, porosia tejet aktuale e Papës për ne të gjithë. E sidomos, për shqiptarët!

24 qershor 2019, 16:24