Kërko

Të dielën Papa do ta kalojë në Camerino. Ipeshkvi uron që kjo vizitë të ringjallë shpresën

Imzot Francesco Massara kujton se nga 500 kisha, 356 janë të papërdorshme e më se 3500 vepra arti, flejnë ndër depo. “Shpresojmë se do të mund të hapet të pakën një kishë për çdo fshat”, pohon Prelati.

R. SH. - Vatikan

Nesër Papa do të jetë në Camerino, në Marche, për të vizituar këtë bashkësi të prekur thellësisht nga tërmeti i 2016-tës. Por, në përgjithësi, do të jetë vizitë, e cila i bëhet të gjitha popullsive dhe të gjithë besimtarëve të dëmtuar rëndë nga tërmeti, që hapi plagë të thella, ende të pashëruara, në Qendrën e Italisë. Është një mënyrë për t’i shprehur afërsinë atyre, që humbën shtëpitë e gjithçka patën. Françesku do të jetë në Camerino në orën 8.45 e do të largohet nga qyteza markixhane në orën 15.30. Ftesën ia drejtova personalisht - shpjegon imzot Francesco Massara, kryeipeshkëv i dioqezës Camerino-San Severino-Marche:

“Kur shkova për ta takuar Atin e Shenjtë,  e ftova  të vijë e t’i vizitojë këto troje, që vuajtën shumë nga tërmeti. I fola për vuajtjet e njerëzve. Ati i Shenjtë pranoi menjëherë. Do të vijë të na takojë, si ati – bijtë”.

Si po përgatitet bashkësia e Camerino-s për këtë vizitë?

“Do të jetojmë një ditë të ngarkuar me veprimtari: do të zhvillohen këtu, në Camerino, por do të përfshijnë mbarë dioqezën. Do të jetë, së pari,  takimi me shtëpizat - që këtu quhen ‘Sae’ – ku Papa do të hyjë për t’i takuar njerëzit, që i banojnë. Do të jetë njëlloj si të kishte hyrë në të gjitha shtëpitë tona. Pastaj do të vizitojë katedralen, që vijon të jetë e dëmtuar dhe të gjitha manastiret, gjithashtu të pabanueshme, të dioqezës. Do të takohet me kryebashiakët e, pastaj, do të kremtojë Meshën me lutjen e Engjëllit të Tënzot, në Sheshin Cavour. Këtë ditë do ta kremtojmë si të na kishte ardhur Shën Pjetri. Më pas Françesku do të përshkojë qytetin krejtësisht të shkretë e do të shkojë në Santa Maria in Via dhe në Shenjtëroren e Camerino-s. Pas gjithë këtij trishtimi, një çast gazmor: dreka me meshtarët, që ishin shumë pranë njerëzve gjatë tërmetit. Veprimtaria e fundit, takimi me fëmijët e Kungimit të parë dhe prindërit e tyre. Është njëlloj si të takohej me të gjithë fëmijët e territorit”.

Si po e presin banorët e Camerino-s këtë vizitë?

“Me gëzim, me emocion të thellë, duke pritur nga Ati i Shenjtë një fjalë shprese, drite e, sidomos, fjalën e madhe të afërsisë!”.

15 qershor 2019, 12:36