Kërko

2018.10.05 Papa Franceso e C9 2018.10.05 Papa Franceso e C9 

Filloi takimi 30-të i Papës me Këshillin e Kardinajve

Takimi do të vazhdojë deri të enjten e ardhshme. Në qendër të punimeve është Kushtetuta e re Apostolike mbi Kurien Romake me titullin e saj të përkohshëm "Praedicate evangelium".

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kryesoi sot në Vatikan punimet e Mbledhjes së 30-të të Këshillit të Gjashtë Kardinajve,  të impenjuar në reformën e Kuries Romake. Në qendër të punimeve që do të përfundojnë më 27 qershor, është Kushtetuta e re Apostolike, me titullin e përkohshëm që - siç dihet - është "Praedicate evangelium".  Papa në takim me C6 vijon diskutimin për reformën e Kuries Romake.

Boca e tekstit, miratuar nga Këshilli i Kardinajve, iu dërgua kryetarëve të Konferencave ipeshkëvnore katolike  kombëtare, Sinodeve të Kishave Lindore, Dikastereve të Kuries Romake, Konferencave të Eprorëve dhe Eproreve të Mëdha si dhe disa Universiteteve Papnore, duke u kërkuar vërejtje e këshilla. 

Rëndësia e këtij dokumenti papnor qëndron në faktin se do të zëvendësojë Kushtetutën e tanishme apostolike "Pastor Bonus" të Shën Gjon Palit II, e cila është në fuqi që nga 28 qershori i vitit 1988, e përbëhet nga 193 artikuj, 2 Adnexum dhe modifikimet e pastajme vendosur me 3 Motu proprio të Papës nderit Benediktit XVI (2011, 2013 dhe 2013) dhe 1 Motu proprio të Papës Françeskut (2014).

Konkluzionet e takimit të fundit mbajtur në prill

Në takimin e fundmë të K6, mbajtur më 8 deri më 10 prill, u shqyrtua kryesisht procedura e këshillimit për Kushtetutën e re Apostolike. Në, seancën e prillit morën pjesë të gjithë kardinajtë që janë anëtarë të Këshillit.

Gjatë mbledhjes së prillit, u trajtuan edhe disa tema të tjera si: orientimi misionar i Kuries Romake, parë në dritën e Kushtetutës së re Apostolike, angazhimi për ta fuqizuar procesin e sinodalitetit në Kishë, në të gjitha nivelet dhe nevoja, për praninë më të madhe të grave në role drejtuese të organizmave të Selisë së Shenjtë e të Kishës në përgjithësi.

U ripohua, gjithashtu, se Këshilli i Kardinajve është organizëm, që ka për detyrë  ta ndihmojë Papën në qeverisjen e  udhëheqjen e Kishës universale, prej këndej, funksionimi i tij nuk përfundon me botimin e Kushtetutës Apostolike.

Lindja e Këshillit të Kardinajve më 2013

Ishte 13 prilli i vitit 2013, pikërisht një muaj pas zgjedhjes së Papës Françeskut, kur një komunikatë e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit jepte njoftimin për themelimin e një Këshilli të Kardinajve, që do ta këshillonin Papën në qeverisjen e Kishës universale e do të propozonin edhe rishikimin e Kushtetutës Apostolike të vitit 1988, Pastor Bonus, mbi Kurien Romake. Takimi i parë i Këshillit ishte ai, që u mbajt më 1 tetor 2013.

Udha misionare, parimi frymëzues

Gjithë kësaj udhe i priu parimi frymëzues i Nxitjes Apostolike Evangelii gaudium: “misioni është i aftë ta shndërrojë gjithçka”. Ky parim ka tre kritere: atë të traditës, domethënë, të besnikërisë ndaj historisë dhe vazhdimësisë me të kaluarën; të azhurnimit, nga i cili frymëzohen Sekretaria e Komunikimit, Këshilli i Sekretarisë për Ekonominë si dhe parimi i koordinimit, në kuptimin e bashkimit të Dikastereve të ndryshme të Kuries Romake.

25 qershor 2019, 12:24