Takimi i Papës me bashkësinë rome, në Blaj Takimi i Papës me bashkësinë rome, në Blaj  Editorial

Romët, kërkesa për falje në vazhdën e traditës

“Mea culpa” e Papës Françesku në Rumani është vetëm e fundit e një serie të gjatë, në të cilën janë përfshirë papët e fundit.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e Françeskut në takimin e fundit të udhëtimit të tij në Rumani, gjatë të cilit u kërkoi falje bashkësive rome për diskriminimin e pësuar gjatë historisë, bëjnë pjesë në një traditë të konsoliduar që prej një gjysmë shekulli në Kishën Katolike. “Historia na tregon se të krishterët, madje edhe katolikët, kanë gisht në këtë të keqe të madhe”, tha Papa për të shpjeguar pse po kërkonte falje.

Vëmendja për këto bashkësi u tregua që më 26 shtator 1965, nga Papa Pali VI, i cili pati kremtuar meshën në Kampin Ndërkombëtar të Ciganëve pranë Pomezia-s. Në atë rast, Ati i Shenjtë pati thënë: “Ju nuk jeni të dorës së dytë në Kishë, por për disa aspekte, jeni në qendër, jeni në zemër të saj: ju jeni në zemër të Kishës, sepse jeni të vetmuar”. Papa Montini, i cili në atë rast, pati kujtuar keqtrajtimin, diskriminimin dhe persekutimin e këtyre njerëzve, nuk pati bërë “mea culpa”, por qe pikërisht ai, që përuroi stinën e kërkesave për falje ndaj besimeve të tjera të krishtera, për shkak të disa faqeve të errta të së kaluarës.

Edhe Gjon Pali II u kushtoi vëmendje të veçantë ciganëve, sidomos gjatë kremtimit të Jubileut të vitit 2000: “Të krishterët duhet të dinë të pendohen për fjalët dhe qëndrimet, që nganjëherë, ua sugjeron mendjemadhësia, urrejtja, dëshira për të qenë mbi të tjerët, armiqësia me grupet më të ligshta shoqërore, si emigrantët dhe romët”.

Po kështu, Benedikti XVI tregoi vëmendje dhe mirëkuptim për këto bashkësi. Më 11 qershor 2011, duke pritur përfaqësuesit e grupeve të ndryshme etnike të romëve dhe ciganëve, nënvizoi: “Për fat të keq, për shekuj me radhë, keni provuar shijen e hidhur të mospranimit dhe, nganjëherë, edhe persekutimin ... Ndërgjegjja evropiane nuk mund ta harrojë këtë dhimbje kaq të madhe! Kurrë më populli juaj nuk duhet t’i nënshtrohet ngacmimit, refuzimit dhe përbuzjes!”.

Tani, pasardhësi i tij, Françesku, duke vazhduar rrugën e përshkuar, kërkoi përsëri falje, siç pati bërë, për shembull, edhe me indiosët e Chiapas, në vitin 2015, ose siç bëri në gusht 2018, pas shkandullit të abuzimeve me të miturit, duke shkruar në Letrën drejtuar Popullit të Zotit: “Me turp dhe pendesë si bashkësi kishtare, pranojmë se nuk kemi qenë në gjendje të ishim aty ku duhej, se nuk kemi vepruar në kohë, duke i kuptuar përmasat dhe peshën e dëmit, që po shkaktohej në kaq shumë jetë”.

Rruga e atyre që kërkojnë falje nuk është gjithmonë e lehtë, ose pa dhimbje. Papa Vojtyla, duke e ndjekur atë sistematikisht, në gjurmët e Koncilit dhe të Palit VI, tërhoqi kritika brenda Kishës. Papa polak, gjatë papnisë së tij, bëri dhjetra kërkesa për falje dhe rishikoi disa fakte të së kaluarës. Foli për kryqëzatat, për një lloj pranimi të heshtur të disa katolikëve para diktaturave të shekullit të njëzetë, për ndarjen ndërmjet Kishave, për keqtrajtimin e grave, për procesin kundër Galileut dhe për Inkuizicionin, për persekutimin e hebrenjve, për luftrat fetare, për sjelljen e të krishterëve me indianët dhe afrikanët.

Për të krishterët është normale (ose, kështu duhet të jetë) të kërkojnë falje, ta njohin veten si mëkatarë, nevojtarë për purifikim të vazhdueshëm. E megjithëse gabimet kanë qenë dhe mbeten gjithnjë personale, në çdo epokë, Kisha përpiqet ta kuptojë dhe ta jetojë gjithnjë e më besnikërisht mesazhin e Ungjillit, duke u bërë e vetëdijshme për hapat e gabuara dhe për gabimet e bëra. Megjithatë, ata që nuk janë dakord me këto kërkesa për falje lidhur me ngjarjet e kaluara, kanë një farë të drejte: nuk mund t’i gjykojmë ata, që na kanë paraprirë, në dritën e ndjeshmërisë së sotme. Por, edhe në shekujt e kaluar, mund të kuptohej fare mirë - siç kanë bërë disa profetë që s’u dëgjuan - se Jezusi është gjithmonë në anën e viktimave dhe asnjëherë në anën e autorëve të krimit, në anën e të persekutuarve e jo në anën e persekutuesve. E shën Pjetrin apostull, që për ta mbrojtur ia pati prerë veshin shërbëtorit të kryepriftit, e pati urdhëruar ta fuste sërish shpatën në mill.

02 qershor 2019, 17:55