Kërko

Papa në Kuvendin e Napolit: gëzim i madh e mirënjohje

Vizita e Françeskut në Napoli është e shkurtër, por e ngarkuar me veprimtari: Papa arriti me helikopter në parkun Virgjilian, rreth orës 09.00. U nis menjëherë për në Posillipo, në selinë e Fakultetit Teologjik të Italisë Jugore, ku filloi sakaq kuvendi. Në orën 12.00 Françesku u drejtoi fjalën të pranishmëve. Pas përshëndetjes private me përfaqësinë e pedagogëve e të studentëve, rikthimi në Vatikan.

R. SH. - Vatikan

“Mirë se erdhe Françesk!”: kështu titullohen kronikat, në gazetat e Napolit, në këtë ditë kur Papa është në qytet e shumëkush shpreh dëshirën që të ndalohet ndërmjet njerëzve, për një takim sado të shkurtër, ndonëse programi nuk e përfshin. Pak kohë, po shumë dashuri - kështu e përmbledh kryeipeshkvi, kardinali Crescenzo Sepe, këtë ditë me Papën!

Françesku është në Napoli për herë të dytë, pas katër vjetësh. E pikërisht në ditën kur kremtohet Shën Luigj Gonzaga, i riu jezuit, që  digjej nga dashuria për të fundmit. Zgjodhi edhe një herë një realitet të vogël, periferik, këtë të Fakultetit Papnor Teologjik të Mesdheut, me 400 studentë e 80 pedagogë, por të cilit nuk i mungon aspak mundësia për t’u bërë simbol i asaj që kërkon Papa në Hyrjen e Kushtetutës Apostolike “Veritatis gaudium”, domethënë, i një hovi të ri të studimeve kishtare në  rrethanat  “e etapës së re të misionit të Kishës, vulosur nga dëshmia, nga  takimi me Jezusin e nga kumtimi i Ungjillit të Tij”.

Teologjia baritore    

Teologji e baritori, pra, gjithnjë më të bashkuara, nësa bëhet fjalë për Mesdheun, me sfidat e tij të panumërta, që u kërkojnë të krishterëve të reflektojnë mbi vlerat e paqes, të dialogut e të nevojës për të ndërtuar rrugë të reja, jo mure të reja, për të jetuar me frymën e paqes, jo me tmerrin e luftës.

Më se një mijë vetë qenë grumbulluar në Sheshin e jashtëm të Fakultetit mbi Gjirin e Napolit, ku edhe sot sundonte plotësisht dielli i fortë i ditës së verës. Për ta pritur Papën kishte dalë e gjithë familja e jezuitëve, së cilës i është besuar seksioni Shën Luigji i Fakultetit të Teologjisë. I pranishëm, edhe kardinali Crescenzio Sepe, Kryeipeshkëv i Napolit dhe Kancelar i Madh; dekani, Atë Pino Di Luccio, si dhe personalitete të tjera të Kishës vendase. Me ta, një mori studentësh laikë, seminaristësh e rregulltarësh, përfaqësues të botës së sotme të studimeve teologjike.

Një portë e hapur mbi Mesdhe

Një tribunë e madhe, e bardhë, rreth 30 metrash, sundonte sot mbi Sheshin  e Universitetit. Të krijonte idenë e një porte të hapur mbi Mesdhe e të ngjallte shpresa për krijimin e perspektivave të reja të vëllazërimit  ndërmjet kulturave e feve e të horizonteve të reja  për studimet kishtare.

“Kush studion teologji në këtë kontekst - kujtojnë studentët e rinj të Napolit -  e di se ka para vetes sfida të mëdha, që kërkojnë ballafaqim me realitete të ndryshme nga yni. Presim nga Papa inkurajim në udhën drejt së Vërtetës e në përpjekjen për të bërë rrjet ndërmjet fakulteteve, por edhe ndërmjet institucioneve”. “Duhet të bëjmë unitet e rrjet edhe me fetë e tjera: këtë na mëson Papa, kur flet për dialogun me Islamin”.

Përqafim në një Logo

E pikërisht angazhimi për udhën e vëllazërimit paraqitet edhe nga logoja, në të katër anët e sheshit,  ku mbretëron fjala “vëllazërim”, pranë fytyrës së qeshur të Papës. Vëllazërim, që të kujton menjëherë Dokumentin e nënshkruar në Abu Dabi nga Papa dhe Imami i madh i Al Azharit si dhe Kushtetutën Veritatis gaudium.

Në Shesh, 650 vende për ta ndjekur ngjarjen ulur, ndërsa rreth 500, pjesëmarrësit, që po i ndjekin punimet e Kuvendit në sallat e brendshme, përmes ekraneve e 200, gazetarët e akredituar për këtë ngjarje, që shumë po e quajnë “një fillim i ri”.

21 qershor 2019, 12:56