Kërko

 Studentët e teologjisë Studentët e teologjisë 

Papa në Napoli: Letër nga studentët e teologjisë

Guximi i Papës për të ëndërruar dhe angazhimi i përhershëm në luftë kundër indiferencës dhe pabarazive, frymëzuan një grup studentesh të Fakultetit Papnor të Teologjisë të Italisë jugore, seksioni Shën Luigji, në Napoli, për t’i shkruar një letër Papës, të cilin do ta takojnë të premten e ardhshme. Përmes saj shprehin dëshirën për përtëritjen e teologjisë, duke u nisur nga shërbesa papnore e Françeskut.

R. SH. - Vatikan

Titullohet “Para se të bërtasin gurët”, letra, që një grup studentesh, kryesisht gra e laike, ndërmjet njëzet e dyzet vjetësh, ia dërgoi Papës  në prag të vizitës së tij në Napoli, në universitetin e tyre, e pikërisht në Fakultetin Teologjik Papnor të Italisë Jugore, seksioni i Shën Luigjit, mbi kodrinën Posillipo. Françesku do të jetë mes profesorëve, seminaristëve e studentëve italianë e të huaj në 21 qershor, paradite, për t’i drejtuar fjalën e mbylljes Kuvendimit dyditor, organizuar nga Universiteti, me titull: “Teologjia pas Veritatis gaudium, në kontekstin e Mesdhetut”. Studentet ëndërrojnë të marrin, me këtë rast, nga Papa, një përshëndetje të veçantë, të shkurtër, por me thellësinë, që karakterizon gjithnjë fjalën e Françeskut, me qenë se Papa do të arrijë  në orën 09.00 në Napoli e do të rikthehet në Vatikan menjëherë pas drekës me jezuitët e fakultetit.

Nisma u bë e njohur të shtunën e kaluar, në Napoli, përmes një konference shtypi, gjatë së cilës kryeipeshkvi i qytetit, kardinali Crescenzio Sepe dhe Dekani i Fakultetit, ati jezuit  Pino Di Luccio, folën për hollësirat e fundit lidhur me vizitën e Papës.

Fjala-kyçe e takimit të shumëpritur është “përtëritje”. Teologet e reja - sipas letrës -  kërkojnë përtëritje të teologjisë e edhe të mendësisë mbi rolin e laikëve e, sidomos, të grave, në studimin e teologjsë e në impenjimin e krishterë ndër periferitë e harruara.

17 qershor 2019, 13:23