Kërko

Papa: Rrëshajët, gati për ta mirëpritur dikimin e Shpirtit Shenjt

Në audiencën e përgjithshme, Françesku kujtoi se të dielën e ardhshme kremtohen Rrëshajët, për ta rijetuar zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Marinë dhe Apostujt. Prandaj të shtunën besimtarët e dioqezës së Romës do të mblidhen përsëri rreth Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit.

R. SH. - Vatikan

“Zoti ju gjetët të gjithve gati për ta pranuar dikimin e begatë të Shpirtit Shenjt!”. Ky, urimi për Solemnitetin e Rrëshajëve, që do të kremtohen të dielën e ardhshme. Ua drejtoi Papa besimtarëve, mbledhur me rastin e audiencës së sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Do të rikujtojmë përsëri, këtë të diel, zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Marinë dhe Apostujt, mbledhur në  Çenakull, në Jeruzalem - u kujtoi - për t’u lutur, më pas:

 “Hiri i dhuratave të Shpirtit Shenjt dikoftë mbi ju të gjithë frymë të re feje, ngjalltë shpresë, i dhashtë forcë vepruese dashurisë së krishterë!”.

Takimi i së shtunës

Natën e Rrëshajëve, këtë të shtunë, të gjithë besimtarët e dioqezës së  Romës do të mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit  për kremtimin e kryesuar nga Papa:

“Do të kremtojmë Eukaristinë e Natës së Rrëshajëve me Papën” - njoftoi kardinali Angelo De Donatis përmes një letre, drejtuar famullitarëve, diakonëve, rregulltarëve e rregulltareve dhe drejtuesve të lëvizjeve laikale të dioqezave, siç lexohet në një komunikatë të Vikariatit:

 “Çast i rëndësishëm bashkimi e përshpirtërie” - nënvizon kardinali mëkëmbës - duke  shpjeguar se kremtimi ‘do të zgjatet’ në përfundim të Meshës, me rishoqërimin, me procesion, të ikonës të Zojës së Dashurisë Hyjnore në Sheshin Porta Carpegna.

Ata, që dëshirojnë, do të mund të rijetojnë, më pas, edhe përvojën e shtegtimit gjatë natës, në Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore.

Gjeste konkrete e rrugë baritore

Takimi i së shtunës - shtoi kardinali - paraqitet si etapë e re në udhën e dioqezës, nisur nga Ati i Shenjtë që më 9 majin e kaluar, me asamblenë dioqezane, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran:

“Duhet t’i shndërrojmë orientimet e dhëna nga ipeshkvi ynë - pohon kardinali De Donatis - në gjeste konkrete e në udhë të reja baritore, që na ndihmojnë për të ecur me sukses në etapën  tjetër të udhës tonë,  e cila nis që tani e vijon gjatë gjithë vitit të ardhshëm baritor”.

05 qershor 2019, 13:42