Kërko

Papa, gjatë takimit me romët në Rumani Papa, gjatë takimit me romët në Rumani 

Papa u kërkon falje Romëve: ta shikojmë tjetrin me syrin e Abelit, jo të Kainit

Takimi i fundit i shtegtimit të Papës në Rumani, në lagjen Barbu Lautaru të Blajt, më e vjetra, ku banojnë romët, për të cilët kujdeset prej vitesh Kisha-Greko katolike rumune. Françesku u rikujtoi, me shumë dashuri, se në Kishën e Krishti ka vend për të gjithë

Vizita e fundit, në mes të të fundmëve! Para se t’i jepte lamtumirën Rumanisë, Papa shkoi në lagjen Barbu Lautaru, më e vjetra e Blaj, ku u takua me romët, që përbëjnë 9% të banorëve.

Në Kishën e Krishtit ka vend për të gjithë - me këto fjalë e nisi takimin  me romët e Blaj Papa. Kisha është vend takimi - vijoi - e kjo duhet kujtuar jo si parullë e bukur, por si pjesë e kartës së identitetit të të krishterit:

“Ungjilli i gëzimit transmetohet me gëzimin e takimit e me vetëdijen se kemi një Atë të përbashkët, që na do. Nga mënyra si na shikon Ai, mësojmë si duhet ta shikojmë njëri-tjetrin. Me atë sy - u kujtoi Papa – ju shikoj edhe unë ju, sot, në këtë takim!”.

Kam një peshë në zemër

Ju shikoj - vijoi  Françesku - por me një peshë në zemër. Është pesha e diskriminimit, e racizmit, e keqtrajtimit, që kanë pësuar e pësojnë bashkësitë tuaja. Historia na kujton se edhe të krishterët, e edhe katolikët kanë gisht në këtë të keqe:

“I kërkoj falje, në emër të Kishës, Zotit e ju për të gjitha diskriminimet që pësuat nga ne në rrjedhë të historisë. Ju diskriminuam, ju keqtrajtuam, ju shikuam shtrembër. Me syrin e Kainit. Jo të Abelit! E nuk qemë të aftë t’ju pranojmë, t’ju çmojmë e t’ju mbrojmë, ashtu si jeni”.

Kainit nuk i bëhet vonë fare për të vëllain - vijoi Françesku. - E pikërisht indiferenca ushqen paragjykimet e ndez urrejtjen. Sa herë gjykojmë  me fjalë që plagosin; me sjellje, që mbjellin urrejtjen; me fyerje, që na largojnë edhe më shumë nga njëri-tjetri:

“Po kur ndokush lihet mbrapa, familja njerëzore nuk mund të shkojë përpara. Nuk jemi të krishterë me fund, e as njerëzorë, nëse nuk dimë ta shikojmë njeriun, më parë se ta paragjykojmë a ta gjykojmë”.

Në historinë e njerëzimit vijojnë të enden Kaini e Abeli  

Në historinë e njerëzimit ndeshim gjithnjë Kainin e Abelin. Dorën që ndihmon e dorën që torturon! Takimin e kacafytjen. Mirëpritjen e përjashtimin. Atë që shikon në tjetrin vëllain, e atë që shikon pengesën! Ndeshim qytetërimin e dashurisë e atë të urrejtjes.

Çdo ditë na duhet të zgjedhim ndërmjet Kainit e Abelit. Ndërmjet udhës së pajtimit, e asaj të hakmarrjes:

“Ta zgjedhim udhën e Jezusit. Udhë që të lodh, por të jep paqe. Udhë që kalon përmes faljes. Larg mllefeve! Sepse e keqja nuk e ndreq kurrë të keqen; hakmarrja - drejtësinë; inati nuk i bën kurrë mirë zemrës; mbyllja nuk afron”.

Papa, në vijim, i vlerësoi lart romët, i quajti popull që luan rol protagonisti,   me karakteristika të veçanta, për të cilat kanë nevojë të gjithë. E kujtoi vlerat e solidarietit, të dashurisë për jetën e familjen, të mikpritjes,  të mbrojtjes së më të ligshtëve, respektit për të moshuarit, aftësisë për ta gëzuar jetën me fund!

Në përfundim, i ftoi Romët të ecin së bashku për të ndërtuar një botë më njerëzore, duke i shembur muret ndarëse, me besimin reciprok e dinjitetin e atij, që e fiton me djersë bukën e përditshme, me dinjitetin e lutjes! Duke shkuar gjithnjë përpara:

“Ky takim është i fundmi i vizitës në Rumani - kujtoi Papa. - E tani kthehem në shtëpi i pasuruar, duke marrë me vete vende e  çaste, por mbi të gjitha, fytyra. Ju falënderoj, e ju marr me vete. E tani ju bekoj, por duke ju kërkuar më parë një favor: lutuni për mua!”.

Me këtë pasuri të madhe u nis Papa drejt aeroportit Sibiu ku, pas ceremonisë së lamtumirës, filloi shtegtimin e kthimit, drejt Romës…

https://www.youtube.com/watch?v=COQ2O9k1uuU

02 qershor 2019, 16:00