Kërko

 Mesha Shenjte në Shenjtroren e Sumuleu Ciuc Mesha Shenjte në Shenjtroren e Sumuleu Ciuc 

Papa në Sumuleu Ciuc: t’i shndërrojmë mllefet e mosbesimet, në mundësi të reja bashkimi

Dita e dytë e Papës Françesku në Rumani: sot, gjatë Meshës në Shenjtëroren mariane të Sumuleu Ciuc, Papa i kërkoi ndihmë Marisë për ta përshkuar të ardhmen duke ecur së bashku, edhe duke rrezikuar. E iu lut që Ungjilli t’u japë të gjithëve gëzimin e shëlbimit në unitet e vëllazërim, pa mbetur askush mbrapa.

R. SH. - Vatikan

Dita e sotme, 1 qershor,  do të mbetet e paharruar përgjithmonë në zemrën dhe në kujtesën e katolikëve të Transilvanisë. Rreth 100 mijë, besimtarët e pranishëm, që sfiduan shiun e rrëmbyer, për t’u takuar me Papën. Ishte hera e parë që Françesku shkelte në Shenjtëroren mariane, me zanafillë mesjetare, zemër e gjallë e devocionit ndaj Virgjërës Mari, posaçërisht për katolikët e gjuhës hungareze të zonës, por edhe të vendeve të tjera. Dioqeza ku ndodhet, Alba Iulia, e themeluar nga Shën Shtjefni i Hungarisë dhe i Transilvanisë, i kaloi Rumanisë nga fundi i Luftës I Botërore. Çdo vit, posaçërisht në prag të Rrëshajëve, këtu shtegtojnë, në këmbë, mijëra vetë. Vijnë për t’u gjunjëzuar para Virgjërës Mari. Një shtatore e shekullit XVI, 2 metra e gjatë, e skalitur në dru, që shpëtoi mrekullisht pa u djegur, kur hordhitë turke i kallën zjarrin shenjtërores. Shtegtim i përvitshëm që - kujtoi Papa në homeli - i përket identitetit të Transilvanisë, por nderon njëherësh edhe traditat fetare rumune e hungareze. Prej këndej, rreth Zojës mblidhen vazhdimisht edhe besimtarë të feve të tjera, sepse Maria është  simbol dialogu, vëllazërimi e uniteti për të gjithë.

Ndërmjet të pranishëmve, edhe kryeministrja rumune, Viorica Dancila, e, si shtegtar i thjeshtë, presidenti i Hungarisë, János Ader.

E gjithë homelia e Papës iu kushtua Zojës. Homeli mariane, gjatë së cilës Françesku kujtoi posaçërisht domethënien e thellë të të shtegtuarit. Pse shtegton njeriu? Kryesisht për të gjetur bashkimin! Maria - nënvizoi Papa - ndërmjetëson jo vetëm pranë të Birit, por edhe pranë secilit prej nesh, për të mos lejuar që zërat, të cilat ushqejnë përçarjen e shkapërderdhjen, të na e grabisin vëllazërimin.

Të shtegtosh, do të thotë ta dish se shkon si popull, në shtëpinë tënde; do të thotë të ndërgjegjësohesh si popull: popull, pasuria e të cilit janë njëmijë fytyrat e tij, janë kulturat, gjuhët, traditat:

“Ngjarjet e ndërlikuara e të trishta të së kaluarës, nuk duhen harruar, nuk duhen mohuar, por as nuk duhen shikuar si pengesë ose si argument, që e pengon bashkëjetesën vëllazërore. Të shtegtosh do të thotë të ndjehesh i thirrur, i nxitur të ecësh së bashku, duke i kërkuar Zotit hirin t’i shndërrojë mllefet e mosbesimet e vjetra e të reja, në mundësi për bashkim; do të thotë  të shkëputesh nga siguritë e rehatitë tuaja, për t’u vënë në kërkim të një toke të re, që Zoti dëshiron të na e dhurojë”.

Nuk duhet, prandaj, të kemi frikë se “po përzjehemi”, se po “ndihmohemi”. Të shtegtosh do të thotë - ngulmoi përsëri Papa - të jesh pjesë e kësaj dallge njerëzish, pakëz kaotike, që mund të shndërrohet në përvojë të mirëfilltë vëllazërimi, në karvan përherë solidar për të ndërtuar historinë e për të parë jo aq çka mund të ishte (e nuk është), por çka mund të jetë, çka na pret e nuk mund ta shtyjmë për më tej.

Zoti e nxit solidaritetin, vëllazërimin, dëshirën për të mirën, të vërtetën:

“Të shtegtosh do të thotë të angazhohesh e të luftosh që ata, të cilët dje mbetën pas, të bëhen protagonistë të së nesërmes, e protagonistët e sotëm  të mos mbeten pas nesër”.

E kjo, vëllezër e motra, kërkon punë artizanale, kërkon endjen e së ardhmes së bashku. Ja pra pse jemi këtu. Për të thënë së bashku:

“Nënë! Na mëso ta ndërtojmë të ardhmen! Na mëso, o Nënë!”.

Papa kujtoi, në vijim, shembullin e Marisë, vashës e cila, nga një vend i vogël i Galilesë, në skaj të perandorisë romake, nisi “revolucionin e dashurisë”, duke na inkurajuar edhe ne të themi “po”, për të ecur në shtigjet e pajtimit:

“Vëllezër e motra, nuk duhet të harrojmë: Zoti nuk e zhgënjen kurrë atë, që rrezikon! Të ecim, pra, të ecim së bashku, të rrezikojmë, me tharmin e  Ungjillit, që e thar gjithçka e me bindjen se Zoti do t’u japë popujve tanë gëzimin e shëlbimit, në unitet e vëllazërim”.

Në homeli, Papa i përshkroi shenjtëroret si vende gati sakramentore, të një kishe, që është spital fushor, si vende ku buron shpresa, vende feste e lutjeje. Sepse te Zoja shkohet pikërisht kështu: si shtegtarë.

Në fund të kësaj dite, Ati i Shenjtë vuri te këmbët e Marisë “Trëndafilin e artë”, dhuratë e Papëve, që shkojnë për vizitë te Zoja, për t’i shprehur devocionin e tyre të thellë. Është një trëndafil argjendi i praruar, me stemën mbi bazën prej mermeri ngjyrë rozë.

E kjo ditë, me theks të fortë marian, vijon pasdite, kur Papa do të takohet me të rinjtë e familjet e Iaşi, të cilat do t’ia besojë Marisë!

01 qershor 2019, 13:47