Kërko

 Françesku largohet nga Rumania Françesku largohet nga Rumania 

Avioni i Papës Françesku, në fluturim, drejt Romës

Me ceremoninë e lamtumirës, në aeroportin e Sibiu, në zemër të Rumanisë, përfundoi shtegtimi i 30-të Apostolik i Papës, që nisi të premten e kaluar, në orët e para të paradites.

R. SH. - Vatikan

Avioni, me të cilin udhëton Papa, u shkëput nga trojet rumune në orën 17.43 me orën vendase (16.43 me tonën). Arritja parashikohet rreth orës 18.45 në aeroportin e Ciampinos.

Për ta përcjellë Papën, në hyrje të Sallës Vip të aeroportit, kishin dalë Presidenti i Rumanisë, Klaus Werner Iohannis dhe bashkëshortja, me të cilët Papa shkëmbeu disa fjalë privatisht. Shiu, që vijoi pothuajse gjatë gjithë shtegtimit, pushoi për ca çaste, duke i krijuar Françeskut mundësinë ta përshëndesë turmën në dy anët e rrugës që përshkonte, për të ngjitur shkallët e avionit.

Papa u ndalua disa herë  për të marrë lulet, që ia dhuronin e për t’i bekuar disa fëmijë. Pastaj, përshëndetja e Rojës së nderit dhe përfaqësive civile dhe fetare, para se të ngjitej në bord. Hyri në avion, i ndjekur deri në fund  nga një kor zërash, që brohoriste emrin Françesk! E, së fundi, nisja, ndjekur nga mijëra sy, derisa humbi në hapësirë…

02 qershor 2019, 17:46