Kërko

Vatican News
 Papa, në avion, me gazetarët Papa, në avion, me gazetarët 

“Lutuni për Evropën, që të jetë ëndrra e Etërve Themelues”

Dialogu i Françeskut me gazetarët gjatë fluturimit të avionit drejt Romës, në përfundim të shtegtimit në Rumani: politikani nuk duhet të mbjellë frikë, por vetëm shpresë!

R. SH. - Vatikan

“Evropa të jetë ëndrra e Etërve Themelues” - këtë uroi Papa gjatë konferencës së shtypit, nësa avioni fluturonte drejt Romës, në përfundim të shtegtimit papnor në Rumani. Në fillim të dialogut me kronistët shoqërues, Papa kujtoi edhe Ditën e Komunikimit Shoqëror, që kremtohej dje:

“Sot kjo ditë ju bën thirrje ju! Mendimi ynë shkon tek ju: punoni në fushën e komunikimit, jeni veprimtarë e jeni, a duhet të jeni, dëshmitarë të komunikmit. Po sot komunikimi, në përgjithësi, shkon mbrapa. Përpara shkon “kontakti”. Duhet të keni kontakte, por kryesisht, komunikoni. Thirrja juaj është të komunikoni! Prandaj, më pak kontakte e më shumë komunikim”.

Gazetarja rumune Diana Dumitrascu e pyet Papën:

“Miliona nga bashkatdhetarët tanë vitet e fundit kanë emigruar. Cili është mesazhi juaj për familjen, që lë fëmijët, për të punuar jashtë vendit?”.

E Papa:

“Kjo më bën të mendosj për familjen, që ndahet, me mall të përhershëm për t’u ribashkuar. Ndahet, që fëmijëve të mos u mungojë asgjë. Është shprehje dashurie. Por, gjithsesi, kjo mbetet situatë e dhimbshme. I shtyn nevoja të nisen. E gjithnjë më shpesh kjo nisje është rezultat i një politike botërore, e cila i detyron ta bëjnë këtë. E di historinë e vendit tënd pas rënies së komunizmit… E pastaj, shumë sipërmarrje të huaja janë mbyllur, për t’u hapur atje, ku fitojnë më shumë. Të mbyllësh ndërrmarrjen e t’i nxjerrësh njerëzit në rrugë të madhe! Kjo është padrejtësi botërore, e përgjithshme: është mungesë solidariteti. Ka shumë vuajtje, në një botë që kalon situata jo të lehta, që nuk të siguron punë. Që të lë pa bukë! E të mendosh se ju keni një nivel impresionues lindjesh. Jeni në pranverën, jo në dimrin demografik. Është padrejtësi të mos ketë punë për të rinjtë. E kjo varet nga rendi financiar botëror. Shumë njerëz mbeten të vetmuar. Ndjehet fort nevoja për solidaritet botëror e, në këto çaste, Rumania është në presidencë të Bashkimit Evropian…”.

Kristian Micaci i Radio Maria Rumania-Papës: “U fol shumë për të ecur së bashku! Ç’na këshilloni? Si duhet të jenë marrëdhëniet ndërmjet konfesioneve, ndërmjet katolikëve e ortodoksëve? Ndërmjet etnive? E edhe në botën poltike?”:

“Do të thosha, marrëdhënie të dorës së shtrirë, sidomos kur jemi para konflikteve. Marrëdhënie afrimi ndërmjet etnive e konfesioneve të ndryshme fetare… kemi ekumenizmin e gjakut, që na bashkon! Kur i vrisnin të krishterët, nuk i pyesnin janë ortodoksë, luteranë a katolikë, por  a janë të krishterë. Të ecim së bashku, pa pritur që teologët të merren vesh me njëri-tjetrin, për të arritur tek Eukaristia e përbashkët. Ekumenizmi bëhet njëherësh me veprat e bamirësisë e, sidomos, duke e dashur fort njëri-tjetrin. Mund të ecim së bashku: unitet, vëllazërim, dorë e shtrirë, larg përgojimeve të të tjerëve. Të meta kemi të gjithë”.

Dialogu vijon me pyetjen drejtuar Papës nga Xavier Le Normand:

“Ditën e parë  shkuat në katedralen ortodokse. Çast i bukur. Sidomos ai, kur thatë Atynën. I bukur, por edhe i vështirë, sepse ishit bashkë, por bashkë nuk u lutët! Çfarë menduat, kur mbetët në heshtje, ndërsa thuhej Atyna rumanisht?”:

“Po jua them në besim: nuk mbeta aspak në heshtje. Thashë Atynën italisht, e dëgjova sesi shumica e njerëzve e thoshin si në rumanisht, ashtu edhe në latinisht. Populli shkon përtej nesh, krerëve! E di se kemi njerëz zemërmbyllur, që vijojnë edhe sot të thonë se ortodoksët janë skizmatikë. Ka edhe katolikë pakëz integristë, duan ta lusin Zotin vetëm për vete. Po unë u luta për të dyja palët”.

Manuela Tulli e Ansa-s:

“Në këto zgjedhje, lider si Salvini, e bënë fushatën duke treguar simbole fetare, rruzare, kryqe, kushtime Zojës së Papërlyer. Ju, ç’menduat? Vërtet nuk doni ta takoni Salvinin?”:

“Unë nuk kam pritur asnjë qeveritar, veç kryeministrit Conte, që kërkoi takim, sipas protokollit. Nga zëvendës-kryeministrat nuk kam pasur ndonjë kërkesë për audiencë. Për figuret gjatë fushatës, ndoqa gazetat, duke nisur nga “L’Osservatore Romano”, për të vijuar me “Il Messaggero”..… të them të drejtën: unë nuk e kuptoj politikën italiane. Duhet ta studioj, sepse nuk e kuptoj! Do të ishte pakujdesi të flas, pa informacionin e duhur.… Mos thoni pastaj nesër se Papa e quajti politikën italiane të korruptuar… korrupsion ka kudo. Është sëmundje e politikës. Kudo rrëshqitet në korrupsion. Është universal. Ju lutem! Mos më bëni të them, çka nuk e thashë!... Duhet t’i ndihmojmë politikanët të mos japin e të marrin nën dorë! E ky është korrupsion politik, që shihet kudo. Duhet t’i ndihmojmë politikanët të jenë të ndershëm, të mos bëjnë fushata me flamuj të pandershëm. Të mos shndërrohen në tregtarë flamujsh. E, sidomos, politikani nuk duhet të mbjellë kurrë urrejtje e frikë. Vetëm shpresë! Të drejtë. Kërkuese. Po gjithnjë shpresë! Sepse duhet t’i prijë vendit, që nuk duhet t’i shkojë pas duke u dridhur nga frika!”.

Eva Maria Huescar Fernandez, e Radio Cope:

“Ju ngulët këmbë mbi marrëdhëniet e të rinjve me gjyshat. Madje, duke mos e pasur familjen pranë, e shikoni Benediktin XVI si gjysh. Vijoni ta shikoni kështu?”:

“Sa herë shkoj ta takoj, e shikoj me këtë sy. Ia marr dorën dhe e bëj të flasë. Flet pak, ngadalë, por me thellësinë e zakonshme. Sepse ka problem me gjunjtë, jo me kokën!…Gjyshat janë rrënjët. Kur besojnë se kanë nipër të aftë për ta çuar përpara historinë, nisin e ëndërrojnë. E gjyshat, që nuk ëndërrojnë, plaken edhe më keqas. Por ku ëndërrojnë, domethënë se ka të ardhme! E të rinjtë, të inkurajuar nga kjo, nisin ta profetizojnë, e edhe ta bëjnë historinë. Shumë e rëndësishme, kjo!”.

Lucas Franz Helmut Wigelmann i Herder Korrespondenz

“Këto ditë Ju folët për nevojën e vëllazërmit, që njerëzit të mund të ecin së bashku. Ndërsa ne shikojmë se në Evropë shtohet numri i atyre, që nuk e duan vëllazërimin! U pëlqen më shumë të ecin vetëm. Ç’duhet bërë për të ndryshuar?”

“Më fal, nëse po citoj vetveten, por po e bëj… Fola për këtë problem në Strasburg e kur mora Çmimin e Karlit të Madh; e pastaj, edhe në fjalimin drejtuar krerëve të shteteve e qeverive, në Vatikan, për përvjetorin e Pakteve evropiane. Evropa nuk duhet të thotë: rehatohuni si të mundni e shkoni përpara: të gjithë kemi përgjegjësi për Bashkimin Evropian; e qarkullimi i presidencës së BE-së nuk është gjest mirësjelljeje, por simbol i përgjegjësisë që ka çdo vend. Nëse Evropa nuk është e madhe brenda sfidave të ardhshme, do të fishket. Evropa nga nënë, po bëhet gjyshe. E kjo mund ta shtyjë ndokënd të pyesë: “Të jetë ky fundi i aventurës së nisur  70-vjet më parë? Duhet të rikthehemi tek mistika e etërve themelues,  duhet gjetur vetvetja e duhen kapërcyer ndarjet e kufijve. Jemi duke parë kufijtë, në Evropë, e kjo nuk është punë e mirë. Vërtet çdo vend ka një identitet, që duhet ta ruajë, por, ju lutem! Evropa nuk duhet të pushtohet nga pesimizmi e nga ideologjitë. Mendojeni Evropën e ndarë! Mësoni nga historia! Nuk duhet të kthehemi mbrapsht!”.

Kjo, parë shkurtimisht, biseda e Papës me gazetarët, në përfundim të së cilës “falënderoi shiun”, sepse i krijoi mundësinë të bënte udhëtime të gjata me makinë e të kënaqej duke soditur peizazhin e mrekullueshëm të Rumanisë. Në përfundim, ftesa për t’u lutur për Evropën:

“Po ju them: lutuni për Evropën, që Zoti t’i japë hirin, të cilin ia uroj me gjithë zemër: qoftë rishtas ëndrra e Etërve Themelues!”.

03 qershor 2019, 13:53