Kërko

 Gjyshja me nipin Gjyshja me nipin 

Gjyshja, nipi e Papa: gëzimi i fesë nuk ka nevojë për fjalë!

Në Iaşi, shikimi i Papës u ndesh me shikimin gazmor të një gruaje plakë, që mbante në krahë të nipin. Dy brezni, të përqafuara! Pamje, që e nxiti Françeskun t’i ftojë të rinjtë të mos i harrojnë kurrë rrënjët. E t’u kujtojë se feja nuk transmetohet vetëm me fjalë, por edhe me gjeste, me shikime, me përkëdhelje, si ato të nënave tona, të gjysheve tona…

Një gjyshe buzagaze ngrinte lart të nipin, për t’ia treguar, me gëzim e krenari, Papës, nësa kalonte mes turmës: pamje, e cila nuk ka nevojë për fjalë. Ndeshje shikimesh, që përmbledh gjithë mesazhin e Françeskut, në takimin me të rinjtë e familjet, dje, në Iaşi të Rumanisë. Papa e nënvizoi, në përfundim të fjalimit, me një shtesë jashtë teksti:

“Po përfundoj. Më mungon vetëm një paragraf, por nuk dua të lë pa thënë  edhe çka pashë, kur po hyja në Shesh. Pashë një zonjë mjaft të shkuar nga mosha, një gjyshe. Kishte në krahë nipin, dy muajsh, jo më shumë. Kur po kaloja, e ngrinte lart, sa mundte, që ta shikoja. E ngrinte, e qeshte. Qeshte, me një gaz, që më fliste e më thoshte: 'Shiko! Tani mund të ëndërroj!'. Atë çast u preka aq, sa nuk pata guximin të shkoj, ta marr e ta vë këtu, pranë meje, para jush! Prandaj po e tregoj. Gjyshat ëndërrojnë, kur shikojnë si rriten filizat e rinj! Nipat! E të rinjtë guxojnë, kur i marrin rrënjët nga gjyshat!”.

Pak më përpara pata thënë se “feja nuk transmetohet vetëm me fjalë, por edhe me gjeste, me shikime, me ledhatime, si përkëdheljet e nënave tona, të gjysheve tona, me shijen e sendeve, që i mësuam në shtëpi, thjeshtësisht e vërtetësisht".

Kështu u shpreh Papa, për t’u bërë, më pas, këtë thirrje të rinjve:

“Kur të rritesh, mos e harro nënën tënde, gjyshen tënde e fenë e thjeshtë, por të fortë, që u dha forcë e guxim të ecnin përpara e të mos u këputeshin krahët në atë kohë, e cila u rëndonte mbi shpinë me gjithë peshën e saj të padurueshme! Është ftesë për ta falënderuar e për ta përtërirë bujarinë, guximin e një feje, që ndërton, pak nga pak, mbretërinë e Zotit”.

Në këto fjalë është edhe përvoja personale e Papës Françesku, që nuk e heq goje gjyshen Roza: grua me fe të gjallë, e thjeshtë, e fortë, e ardhur nga një familje fshatare piemonteze, që u detyrua të ikte në Argjentinë, për të shpëtuar nga mjerimi.

Në Mbrëmësoren e  Rrëshajëve 2013, Papa pati treguar si e mori kumtin e parë të krishterë, pikërisht nga e gjyshja:

“Pata hirin të rritem në një familje, ku feja jetohej në mënyrë të thjeshtë e konkrete: po ishte sidomos ime gjyshe, nanababe, që ma ushqeu fenë. Grua, që na fliste për Jezusin, që na mësonte katekizmin. Më kujtohet gjithnjë sesi të Premten e Madhe, në mbrëmje, na shoqëronte në Kishë, ku merrnim pjesë në procesionin me qirinj të ndezur e, në fund të procesionit, arrinte edhe Krishti i shtrirë. I vdekur! E gjyshja na bënte ne, fëmijët, të gjunjëzoheshim para Zotit e na thoshte: 'Shiheni, vdiq! Po nesër do të ngjallet rishtas!'. Kumtimin e parë të krishterë e mora pikërisht nga kjo grua, nga gjyshja ime! E kjo më bën të mendoj për dashurinë me të cilën ua transmetojnë fenë nipërve nënat e gjyshet".

Tejet e bukur, kjo! Kumti i parë, në shtëpi. Në familje! Kjo ndodhte edhe në kohët e të krishterëve të parë. Pali i tregonte Timoteut: ‘Unë e kujtoj fenë e nënës sate, të gjyshes sate’(cfr. 2Tm 1,5). U drejtohem të gjitha nënave që janë këtu! Transmetojeni fenë! Sepse Zoti na vë gjithnjë pranë njerëzve, që na ndihmojnë në udhën tonë të fesë. Ne nuk e marrim fenë në mënyrë abstrakte: jo! Është gjithnjë dikush, që na e predikon, që na flet për Krishtin, që na e transmeton fenë, na jep kumtin e fillestar. E kjo, pra, ishte përvoja ime parë e fesë!

02 qershor 2019, 16:08