Kërko

Vatican News

Papa Françesku: bashkimi nuk i zhduk larmitë e ligjshme

Katekizimi i audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, iu kushtua shtegtimit apostolik në Rumani, ku Papa ishte ndërmjet 31 majit e 2 qershorit, njëzet vjet pas vizitës së Gjon Palit II. Françesku i falënderoi të gjithë për organizimin e shtegtimit me moton: “Ecim së bashku!”.

R. SH. - Vatikan

“Bashkimi i gjithë të krishterëve, ndonëse ende i paplotë, bazohet mbi një Pagëzim të vetëm e vuloset me vulën e gjakut të mundimeve, pësuar së bashku në kohët e errëta të persekutimit, posaçërisht në shekullin e kaluar,  nën regjimet  e paZot!”.

Me këto fjalë, gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa Françesku skicoi shtegtimin e tij të fundit apostolik, ndërmjet  31 majit e 2 qershorit në Rumani, duke saktësuar se gëzimin më të madh e ndjeu nësa ecte në mes të popullit rumun, si shtegtar në këto troje. Gëzim që nuk e pakësoi, përkundrazi, e shtoi, shtegtimi nën shi, që i krijoi Papës mundësinë të shijonte peizazhin e pashoq rumun, në kulmin e lulëzimit:

“Me Patrikun e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Rumune patëm një takim tejet të përzemërt, gjatë të cilit u ripohua dëshira e Kishës katolike për të ecur së bashku, me kujtesë të pajtuar, drejt bashkimit të plotë, që pikërisht populli rumun e pati kërkuar profetikisht gjatë vizitës së Shën Gjon Palit II”.

Shtegtim ekumenik

Takimet e ndryshme të shtegtimit apostolik të Papës theksuan vlerën e dëshirës për të ecur së bashku, si me të krishterët, në planin e fesë e të bamirësisë, ashtu edhe me qytetarët, në planin e angazhimit civil. Në mënyrë të veçantë, në një vend me shumicë ortodokse, kuptimplotë e prekës ishte përqafimi me Patrikun Daniel, gjatë takimit me Sinodin e Shenjtë ortodoks rumun:

“Kjo përmasë e rëndësishme ekumenike e shtegtimit arriti kulmin me Lutjen solemne, Atynën, në hapësirën mistike të Katedrales së re madhështore Ortodokse të Bukureshtit. Ishte një çast vërtet prekës, i papërsëritshëm e simbolik. Sepse Atyna është lutja  kryesore e krishterë,  pasuri e përbashkët e gjithë të pagëzuarve. Dhuratë për të gjithë ata, që marrin Shpirtin Shenjt në gurrën e Pagëzimit. Treguam, kështu, se bashkimi nuk i zhduk larmitë e ligjshme”.

Dëshmitarë të vërtetë të Ungjillit

Të shumta, gjatë tri ditëve të shtegtimit, edhe takimet me bashkësinë katolike. Papa kujtoi posaçërisht Meshën Shenjte në katedralen e Bukureshtit, në festën e Pasisë së Zojës, “ikonë e Kishës në shtegtimin e fesë e të bamirësisë” dhe kremtimin në Shenjtëroren e Șumuleu Ciuc, cak shtegtarësh të panumërt. Më pas u ndalua, në mënyrë të posaçme, tek Liturgjia Hyjnore në Blaj, qendër e Kishës greko-katolike në Rumani, ku shpalli të lum shtatë ipeshkvij martirë greko-katolikë, ‘dëshmitarë  të lirisë e të mëshirës së pafundme, që gurron nga Ungjilli! Njerëz që derdhën gjakun, për të qenë të lirë, me bindjen se aty ku është “Shpirti i Zotit aty është edhe liria”:

“Njëri nga këta të lum të rinj, imzot Iuliu Hossu, kur ishte i mbyllur në qeli, shkroi: ‘Zoti na çoi në këto biruca të errta, ku ka vetëm vuajtje, për të na mësuar të falim e të lutemi për kthimin e të gjithëve në rrugën e Tij’”.

Duke menduar për torturat e tmerrshme që provoi ipeshkvi, këto fjalë tingëllojnë si dëshmia më e lartë e mëshirës. Fjalë të Atynës, shkruar në mes të errësirës, me gjak, për t’i kërkuar Zotit faljen! Atë “na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë - shqiptuar në rrethana kaq të jashtëzakonshme”.

T’i hapim portat e edhe zemrat

Përballë besimtarëve të panumërt, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Bergoglio kujtoi, më pas, takimin e hareshëm, festiv, me të rinjtë dhe familjet në Iaşi, qytet i lashtë dhe qendër kulturore me rëndësi të dorës së parë, udhëkryq ndërmjet perëndimit e lindjes:

“Vend, që të fton të hapësh udhë të reja, për të ecur së bashku,  në pasurinë e larmive e në një liri, që nuk t’i pret rrënjët, por t’i ushqen me frymë krijuese. Edhe ky takim pati  karakter marian e përfundoi duke ia besuar Nënës së Shenjtë të Zotit, të rinjtë e familjet”.

Etapa e fundme e shtegtimit - kujtoi Papa - ishte vizita në gjirin e bashkësisë rom, në Blaj, ku përsërita thirrjen kundër çdo diskriminimi, për respektimin e njerëzve të çdo etnie, të çdo gjuhe, të çdo feje.

Turma e besimtarëve shijoi sot, gjatë takimit të shumëdëshiruar me Papën, jo vetëm rrëfimin tejet interesant të një shtegtimi domethënës, por edhe Sheshin e Shën Pjetrit nën një diell tipik veror, pas audiencave të shumta zhvilluar nën shi të akullt, në një stinë, që quhej pranverë!

05 qershor 2019, 12:46