Kërko

  Papa takohet me Asamblenë e R.O.A.C.O. Papa takohet me Asamblenë e R.O.A.C.O. 

Papa, Roaco-s: dëshiroj të shkoj në Irak vitin e ardhshëm

Duke pritur delegatët e Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco), Papa Françesku i nxiti të dëgjojnë britmën e njerëzve, të cilëve u rrëmbehet shpresa e ta thellojnë angazhimin në ndihmë të të rinjve, që e dëshirojnë paqen.

R. SH. - Vatikan

Në zemrën e Françeskut janë të gjitha dhimbjet e botës. Është Siria e pasigurt, Iraku i tronditur nga një mori tensionesh, Ukraina e plagosur, është dëshira për bashkëjetesë paqësore në Tokën Shenjte, por edhe dëshpërimi i atyre, që ikin drejt Evropës, gati për t’ua hapur portet  anijeve të ngarkuara me “armë të sofistikuara e të shtrenjta, që shkaktojnë, pastaj, tmerre, pa i kursyer as fëmijët”. Në audiencën e sotme me Roaco-n, me rastin e  Asamblesë së saj të 92-të Plenare, që do të vijojë deri të mërkurën, Papa fton të thellohet veprimtaria bamirëse, për të mbjellë shpresë në të rinjtë me zemër e mendje të hapur, që duan drejtësi, paqe e prosperitet.

Rreziku i një krize humanitare në Siri

Papa shpjegoi se ka takuar shumë herë realitete të lidhura me Kongregatën e Kishave Lindore dhe nënvizoi se takimi i këtyre ditëve do të krijojë mundësinë të dëgjohet britma e shumë njerëzve, të cilëve këto vite iu rrëmbye shpresa:

“Mendoj me trishtim, edhe një herë, për dramën e Sirisë dhe për retë që duket sikur po dynden mbi të në disa zona të paqëndrueshme, ku rreziku i një krize humanitare mbetet shumë i lartë. Për ata, që nuk kanë ushqim, që nuk kanë kujdes mjekësor, që nuk kanë shkollë, për jetimët, të plagosurit e vejushat, që ngrenë zërin lart, deri në qiell”.

Britmë e cila, nëse nuk dëgjohet nga njerëzit, dëgjohet nga Zoti “i plagosur nga urrejtja”, por gjithnjë i gatshëm - theksoi Françesku - të preket e të kujdeset për ta me dhembshurinë dhe forcën e një ati, që mbron e udhëheq:

“Por shpesh herë mendoj edhe për zemërimin e Zotit, që shpërthen kundër këtyre përgjegjësve të vendeve, të cilat flasin për paqe, e shesin armë për t’i bërë këto luftëra. Kjo hipokrizi është mëkat”.

Të punohet për të mirën e përbashkët në Irak

Duke shprehur shqetësimin e tij për Irakun, Papa kujtoi se dëshiron të shkojë në këtë vend plot me tensione, në vitin 2020.

Ukraina dhe shpresa për paqen

Ndërsa kujtonte projektet  në ndihmë të Ukrainës, Françsku theksoi:

“E nuk e harroj Ukrainën, popullsive të së cilës u uroj të gjejnë paqen. U përpoqa t’ua lehtësoj plagët e hapura nga konflikti me nismën bamirëse, në të cilën kontribuan shumë realitete kishtare”.

Bashkëjetesa paqësore në Tokën Shenjte

Papa uroi edhe që Toka Shenjte të sigurojë bashkëjetesën paqësore, duke i respektuar të gjithë ata, që banojnë në këto vise.

Evropa e porteve të mbyllura

Urimi tjetër i Françeskut ishte që të dëgjohet britma e dhimbjes për njerëzit, në ikje nga konfliktet, duke lënë gjithçka, për të arritur në vendet e shpresave, pa fshehur atë, po ndodh në Evropë e në portet e saj:

“Bërtasin njerëzit e grumbulluar mbi anijet, në kërkim të shpresës, pa e ditur cilat porte mund t’i mikpresin, në Evropën, që nuk ngurron t’ua hapë portet anijeve, për të shkarkuar armë të sofistikuara e të kushtueshme, të afta të shkaktojnë shkatërrime, pa i kursyer as fëmijët. Kjo është hipokrizia, për të cilën fola”.

Së fundi, Papa porositi me forcë që të mbështeten të rinjtë, t’u mbahen gjallë shpresat, e - duke cituar Psalmin 30 - t’u kthehet vaji në këngë.

 Kujtoi edhe një herë Dokumentin e nënshkruar në Abu Dabi së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, “aleancë e mirë për të ardhmen, që synon ruajtjen e realiteteve si shkollat dhe universitetet të cilat, për shembull në Liban, janë laboratore bashkëjetese e palestra humanizmi”:

“Ju lutem ta vijoni thellimin e angazhimit, që në vendet dhe situatat e mbështetura nga ju, të rinjtë të rriten me frymë humanizmi, të lirë nga kolonizimet ideologjike, me zemër e mendje të hapur, duke vlerësuar rrënjët e tyre kombëtare e kishtare e duke dëshiruar një ardhmëri me paqe e prosperitet, që nuk lë pas askënd e askënd nuk e diskriminon”.

10 qershor 2019, 13:23