Kërko

Papa takon pjesëmarrësit e Kongresit të Qendrave kombëtare për thirrjet meshtarke në Kishat Evropiane Papa takon pjesëmarrësit e Kongresit të Qendrave kombëtare për thirrjet meshtarke në Kishat Evropiane 

Papa: "të rinjve të mos u flasim me imponime doktrinore, nuk do të na kuptojnë”

Në takimin me Qendrat e Kishave Evropiane për thirrjen, Papa Françesku nënvizoi se të rinjtë duhen ndjekur e shoqëruar hap pas hapi, “nuk mund t’u flitet në esperanto”. Ati i Shenjtë priti sot në Vatikan, pjesëmarrësit e Kongresit të këtyre Qendrave.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë, në Vatikan, pjesëmarrësit e Kongresit të Qendrave kombëtare për thirrjet meshtarake në Kishat Evropiane. U dorëzoi fjalimin e përgatitur e u foli pa letër. “Kisha – u tha - ka një sfidë të rëndësishme me brezat e rinj: duhet të mësojë si të komunikojë me ta.

Mos u flisni të rinjve në “esperanto”

Duke folur për “gjuhën e Zotit”, Ati i Shenjtë u përmendi të pranishmëve një episod nga një takim me Komisionin e Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece). “Kryetari – tregoi Papa – pasi bëri reflektimin e tij, më tha: ‘Kam qenë në Tajlandë me një grup prej 30-40 të rinjsh për të rindërtuar veriun, për t’i ndihmuar njerëzit e asaj zone’. ‘E pse shkove edhe ti?’ e pyeta. Ai m’u përgjigj: ‘Për ta kuptuar më mirë gjuhën e të rinjve’. Nganjëherë, ne u flasim të rinjve me gjuhën e të rriturve. Për ta, shpesh, gjuha jonë është ‘esperanto’(pra, e pakuptueshme)… është njëlloj sikur t’u flisnim në esperanto, sepse s’marrin vesh asgjë”.

Duhet ta kuptojmë gjuhën e të rinjve

“Duhet ta kuptojmë gjuhën e tyre”, kërkoi Papa Françesku. “Komunikimi është ndoshta sfida jonë me të rinjtë. Komunikimi, bashkimi. Duhet t’u mësojmë atyre se informatika është e mirë, pa dyshim, është mirë të kenë disa kontakte, por kjo s’është gjuha e vërtetë: është gjuhë ‘fluturake’. Gjuha e vërtetë është komunikimi. Të komunikojmë, të flasim... E ky impenjim i yni është si punim me filigranë, si thurje e imtë dantellash. Duhet bërë hap pas hapi. Ne na takon edhe të kuptojmë ç’do të thotë për një të ri të jetojë gjithnjë ‘i lidhur në rrjet’, të kuptojmë ku ka përfunduar aftësia për të reflektuar me vetveten: kjo është punë për të rinjtë. Nuk është e lehtë, por nuk mund ta bëjmë me paragjykime, ose duke imponuar thjesht doktrinën: ‘Ti duhet të bësh kështu e ashtu’. Jo. Duhet t’i shoqërojmë, t’i udhëheqim dhe t’i ndihmojmë derisa takimi me Zotin t’u tregojë të rinjve rrugën e jetës”.

06 qershor 2019, 15:06