Kërko

Takimi i Papës Françesku me kapelanët dhe vullnetarët e "Stella Maris" Takimi i Papës Françesku me kapelanët dhe vullnetarët e "Stella Maris" 

Papa për “Stella Maris”: kapelanët e detit, njësoj si misionarët e mëshirës

Të impenjohen kundër shfrytëzimit, që ndonjëherë ka të bëjë edhe me jetën e detarëve dhe të peshkatarëve. Kështu u tha sot Papa Françesku rreth 100 pjesëmarrësve në Takimin për kapelanët dhe vullnetarët e Apostullimit të Detit, mbajtur në Romë, ditët e fundit. Në fjalën e tij, Ati i Shenjtë u kërkoi, sidomos kapelanëve, të jenë të mëshirshëm, duke u dhënë atyre të njëjtin pushtet me atë të misionarëve të mëshirës.

R.SH. - Vatikan

Shpesh larg familjes për periudha të gjata, detarët dhe peshkatarët nganjëherë nuk paguhen si duhet, bien pre e abuzimeve të turpshme dhe e padrejtësive, ose kërcënohen nga trafikantët, piratët dhe terroristët. Kapelanëve dhe vullnetarëve të “Stella Maris” - Apostullimi i detit, Papa u kërkoi sot, duke i pritur në audiencë në Vatikan në përfundim të takimit të tyre në Romë, të ndihmojnë ata që përshkojnë detet dhe oqeanet e botës për punë që të gjejnë shpresën në një të ardhme më të mirë dhe të mos dorëzohen para një jete të pasigurtë, që ndonjëherë karakterizohet nga shfrytëzimi. E pastaj, duke e lënë mënjanë fjalimin e përgatitur, u tha veçanërisht kapelanëve, të jenë të mëshirshëm për të sjellë paqen në shumë zemra.

Lindur në portin e Glasgow-t, vitin e ardhshëm, “Stella Maris” do të festojë 100-vjetorin, me Kongresin e saj të 25-të Botëror në qytetin skocez. Para një shekulli, shoqata u miratua nga Papa Piu XI, i cili dëshironte që Apostullimi i Detit ta zgjeronte misionin në oqeanet dhe detet e të gjitha kontinenteve. Sot, kapelanët dhe vullnetarët e kësaj shoqate katolike ofrojnë ndihmën e tyre në rreth 300 porte, në 55 vende të botës.

Pa punonjësit e detit, bota do të ndalej

Peshkatarëve dhe detarëve, Papa u theksoi se pa ta, ekonomia globale do të ndalej, pasi mbi 90% e tregtisë botërore bëhet me anije. Me vizitat e tyre përditshme, kapelanët çojnë Lajmin e mirë të Ungjillit në çdo mjet lundrimi, prandaj, Ati i Shenjtë u kërkoi të dëgjojnë shqetësimet e personelit, me dhembshuri dhe kujdes, në mënyrë që ata të jenë në gjendje t’ua hapin zemrën:

“Inkurajoj ju dhe të gjithë kapelanët e vullnetarët e ‘Stella Maris’ të dyfishojnë përpjekjet për t’u bërë ballë çështjeve, të cilat, shpesh, janë rezultat i lakmisë njerëzore. Mendoj për trafikun e qenieve njerëzore, për punën e detyruar, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për punën e shumë burrave dhe grave, që jetojnë dhe punojnë në det. Me shërbimin tuaj, ju mund t’i ndihmoni këta njerëz ta perceptojnë dinjitetin e tyre. Edhe falë jush, njerëzit më të brishtë mund të gjejnë shpresën në një të ardhme më të mirë. Angazhimi juaj mund t’i nxisë të mos dorëzohen para një jete të pasigurt, që ndonjëherë karakterizohet nga shfrytëzimi”.

Kapelanët duhet të jenë të mëshirshëm

Pastaj, pa letër, Papa Françesku nënvizoi se kapelanët duhet të jenë të mëshirshëm:

“Marinarëve të shumtë, që shkojnë te kapelanët, te meshtarët, me probleme të ndërgjegjes, të cilat i bëjnë të vuajnë shumë, pa pasur kurrë mundësinë të flasin për këtë, sepse janë larg shtëpisë e atdheut, një bisedë me kapelanin mund t’u hapë horizontet e shpresës. Dua t’ju them: të jeni të mëshirshëm, të jeni të mëshirshëm. Dhe për ta ndihmuar këtë mëshirë, u jap të gjithë kapelanëve të marinarëve të njëjtin pushtet, që u kam dhënë misionarëve të mëshirës. Kështu, mund t’i ndihmoni shumë zemra të paqtohen”.

Së fundi, Papa Françesku kujtoi sa e rëndësishme është prania e kapelanëve dhe e vullnetarëve të Apostullimit të detit në çdo port të botës, ku ata e bëjnë të dukshëm Zotin, duke dëshmuar se para Atij të Lumit jemi të gjithë bij e vëllezër, me të njëjtin dinjitet.

27 qershor 2019, 13:07