1561111698146.jpg

Papa në Napoli: Mesdheu, urë dialogu ndërmjet kulturave, për paqen e popujve

Nga Napoli, Papa bën një thirrje të fortë për një teologji të mikpritjes, bazuar në dialog dhe kumtim të Ungjillit, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie vëllazërore ndërmjet popujve të Mesdheut. Fjalimi i tij u dha fund ditëve të reflektimit, që u mbajtën në Fakultetin Papnor të Teologjisë në Italinë Jugore. Pas fjalimit të tij, Papa u kthye në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Fjala e Papës mbylli konferencën mbi “Teologjinë pas ‘Veritatis Gaudium’ në kontekstin e Mesdheut”, e cila u zhvillua jashtë. Dielli shkëlqente mbi detin e Napolit, ashtu si sytë e 650 të pranishmëve, që e ndoqën Atin e Shenjtë në sheshin me pamje nga Gjiri – studentë, profesorë, edhe nga vende të tjera, drejtues të Universitetit, kardinali Crescenzio Sepe, kryeipeshkëv i Napolit, jezuiti Joaquin Barrero Diaz, asistent rajonal për Evropën Jugore e shumë të tjerë. 500 vetë e dëgjuan Atin e Shenjtë në klasë, përmes ekraneve të mëdhenj.

Teologjia është vepër mëshire

Ati i Shenjtë e përmendi që në fillim Kushtetutën Apostolike “Veritatis Gaudium”, që ai vetë e nënshkroi në vitin 2017, duke u kërkuar teologëve dhe studiuesve të universiteteve e të fakulteteve kishtare t’i japin Kishës mjetet për t’iu përgjigjur konkretisht njeriut të sotëm, të cilit i duhet të përballet me shndërrime të mëdha globale. “Mesdheu  - kujtoi Papa - ka qenë gjithmonë vend tranziti, shkëmbimi dhe nganjëherë, konflikti”. Edhe sot, ai paraqet një sërë problematikash, shpesh dramatike. Për t’i përballuar ato, nevojitet “teologjia e mikpritjes”, që synon të krijojë një dialog të vërtetë e të sinqertë për ndërtimin e një shoqërie paqësore, gjithëpërfshirëse dhe vëllazërore, në gjendje ta ruajë e ta mbrojë Gjithësinë e krijuar prej Zotit.

“Edhe të bësh teologji është vepër mëshire. Dua ta përsëris këtu, nga ky qytet ku nuk ka vetëm episode dhune, por ku ruhen edhe shumë tradita e shumë shembuj shenjtërie - përveç një kryevepre të Caravaggio-s mbi veprat e mëshirës dhe dëshmisë së shenjtit mjek Giuseppe Moscati – dëshiroj, pra, të përsëris ç’kam shkruar në Fakultetin e Teologjisë së Universitetit Katolik të Argjentinës: ‘Edhe teologëve të mirë, si barinjve të mirë, u vjen era popull dhe rrugë. Me reflektimin e tyre, derdhin vaj dhe verë, balsam mbi plagët e njerëzve. Teologjia të jetë shprehje e një Kishe, që është ‘spital fushor’, që e jeton plotësisht misionin e saj të shpëtimit dhe të shërimit në botë!”

Dialog e Kerygma

Për këtë, Papa propozon dy elemente, dialogun dhe kerygmën, pra, kumtimin e së vërtetës së krishterë për Krishtin e vdekur dhe të ringjallur. Sipas tij, këto janë kriteret për risimin e studimeve në një Kishë ungjillëzuese. Dialogu, nënvizoi Ati i Shenjtë, është sidomos “metodë për shoshitje”, por edhe për kumtimin e fesë, në gjendje të lidhë çdo nivel njerëzor. E Bergoglio përmendi Shën Françeskun e Asizit, i cili është shembull për vënien në jetë të dialogut dhe për kumtimin e Ungjillit, duke dëshmuar dashurinë e Zotit për të gjithë njerëzit. Ashtu siç thoshte shenjti i madh, duhet t’i bindemi Shpirtit Shenjt, vërejti Papa Bergoglio, e të kemi “një stil jete dhe kumtimi pa frymën e pushtuesit, pa vullnetin për prozelitizëm dhe pa qëllimin agresiv për të hedhur poshtë” gjithçka që bëjnë të tjerët. Dialogu me njerëzit dhe me kulturat e tyre përfshin edhe dëshminë e krishterë deri në flijimin e jetës, siç bënë, për shembull, Charles de Foucauld, murgjërit e Tibhirine-s, ipeshkvi i Oranit, imzot Pierre Claverie.

Dialogu me myslimanët dhe hebrenjtë

Duke përshkruar punën e bërë deri tani, Ati i Shenjtë vuri në dukje se dialogu është gjallëruar edhe përmes hapjes së kurseve të gjuhës dhe kulturës arabe dhe hebraike në fakultetet teologjike, për të nxitur marrëdhëniet me judaizmin dhe islamin, që të kuptohen rrënjët e përbashkëta dhe dallimet. Me myslimanët, tha më tej Papa Françesku, “duhet të dialogojmë për të ndërtuar të ardhmen e shoqërive dhe të qyteteve tona”, “duhet t’i konsiderojmë bashkëpunëtorë në sigurimin e bashkëjetesës paqësore, edhe kur ka episode të tmerrshme, vepër e grupeve fanatike, armike të dialogut”, si tragjedia e Pashkëve në Sri Lanka, kujtoi.

“Dje, kardinali i Kolombos më tregoi: ‘Pasi bëra atë që duhej, vura re se një grup njerëzish, të krishterë, donin të shkonin në lagjen myslimane për t’i vrarë. Ftova imamin në makinë e, të dy, shkuam për t’i bindur të krishterët se jemi miq, se ata të tjerët [shkaktarët e tragjedisë] janë ekstremistë, se nuk janë tanët’. Ky është qëndrimi i afërsisë dhe i dialogut”.

Me hebrenjtë, vijoi Bergoglio, dialogu shërben “për t’i përjetuar më mirë marrëdhëniet tona në planin fetar”. Mesdheu, theksoi sërish Ati i Shenjtë, është “urë” ndërmjet Evropës, Afrikës dhe Azisë, hapësirë ku duhet ndërtuar një “tendë e madhe paqeje”, ku mund të bashkëjetojnë bijtë e ndryshëm të atit të përbashkët Abraham.

Thirrja e Papës për teologët

         Më pas, Papa u bëri thirrje teologëve:

“Në këtë udhëtim të vazhdueshëm të daljes nga vetvetja për të takuar të tjerët, është e rëndësishme që teologët të jenë burra dhe gra të dhembshurisë, të preken nga shtypja e shfrytëzimi i njerëzve, nga skllavëritë e sotme, nga plagët shoqërore, nga dhuna, luftërat dhe padrejtësitë e mëdha, që pësojnë shumë të varfër, të cilët jetojnë në brigjet e këtij ‘deti të përbashkët’. Pa bashkim dhe pa dhembshuri, që ushqehen vazhdimisht me lutje, teologjia jo vetëm që e humbet shpirtin e saj, por humbet edhe inteligjencën dhe aftësinë për ta interpretuar realitetin në mënyrë të krishterë”.

         Ati i Shenjtë përmendi “qëndrimet agresive dhe luftarake”, “praktikat koloniale” që “justifikojnë luftrat” dhe “persekutimet në emër të fesë, ose të pastërtisë së racës apo të doktrinës”. Metoda e dialogut, e udhëhequr nga mëshira, mund ta pasurojë rishikimin e kësaj historie të dhimbshme, duke nxjerrë në dritë, “profecitë e paqes, që Shpirti Shenjt s’ka reshtur kurrë së dikuari”.

Teologji në solidaritet me të humburit

         Sipas Papës Françesku, teologjia duhet të solidarizohet me “të mbyturit” e historisë:

“Tani që krishterimi perëndimor ka mësuar nga shumë gabime dhe çështje kritike të së kaluarës, mund të kthehet në burimet e veta, duke shpresuar të jetë në gjendje t’ua dëshmojë Lajmin e Mirë popujve të lindjes e të perëndimit, të veriut e të jugut. Teologjia... mund ta ndihmojë Kishën dhe shoqërinë civile për ta rifilluar rrugën së bashku me shumë të mbytur, duke i inkurajuar popujt e Mesdheut të refuzojnë çdo tundim për ripushtim dhe për mbyllje në identitetin personal”.

Teologët e dhembshurisë

Detyra e teologjisë, vijoi Papa Françesku para studentëve të Napolit, është të harmonizohet me Jezusin e Ngjallur dhe “të arrijë periferitë”, “edhe ato të mendimit”. Në këtë kuptim, teologët duhet “të favorizojnë takimin ndërmjet kulturave, duke përdorur burimet e Zbulesës dhe të Traditës”. Megjithatë, paralajmëron Papa, “përmbledhjet e mëdha teologjike të së kaluarës” janë miniera të dijes e të urtisë teologjike, por “nuk mund të zbatohen mekanikisht” në gjendjen e sotme:

“Duhen çmuar si thesar për të kërkuar rrugë të reja. Falë Zotit, burimet e para të teologjisë, pra, Fjala e Zotit dhe Shpirti Shenjt, janë të pashtershme dhe gjithmonë të frytshme; prandaj, mund dhe duhet të punojmë në drejtim të ‘Rrëshajëve teologjike’, të cilat t’u japin mundësi grave dhe burrave të kohës sonë të dëgjojnë ‘në gjuhën e vet’ atë reflektim të krishterë, që u përgjigjet pyetjeve të tyre për kuptimin e jetës me begati”.

Liria teologjike

         Papa nënvizoi nevojën e “lirisë teologjike” për të eksperimentuar rrugë të reja, duke favorizuar pjesëmarrjen e atyre, që dëshirojnë të studiojnë teologji, pra, përveç seminaristëve dhe rregulltarëve, të përfshihen edhe laikët dhe gratë. E në përfundim, para se të largohej nga Napoli, Ati i Shenjtë shprehu këtë dëshirë:

         “Ëndërroj fakultete teologjike, që bashkëjetojnë me dallimet, fakultete ku të zbatohet teologjia e dialogut dhe e mikpritjes; ku të eksperimentohet modeli poliedrik i dijes teologjike, në vend të atij sferik, të palëvizshëm e të pamishëruar. Ku puna kërkimore teologjike të jetë në gjendje të promovojë një proces sfidues por bindës inkulturimi”.

21 qershor 2019, 14:31