Kërko

Papa në Meshën e Rrëshajëve: Shpirti Shenjt ngul spirancën e shpresës

Në solemnitetin e Rrëshajëve, Papa Françesku kryesoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, kremtimin Eukaristik, duke theksuar: “Me Shpirtin Shenjt, Kisha është popull shenjt i Zotit; misioni, gurrë gëzimi, jo prozelitizëm; të tjerët, vëllezër e motra të dashura nga vetë Ati. Por pa Shpirtin Shenjt, Kisha mbetet organizatë; misioni, propagandë; bashkimi, lodhje e kotë. Shpirti Shenjt ëshë nevoja e parë dhe e fundit e Kishës”.

R. SH. - Vatikan

Një histori, që dukej sikur kishte arritur në stacionin e fundit, por që rigjen forcë e hov të ri, falë Shpirtit Shenjt! Kjo, gjendja shpirtërore e dishepujve, pas vdekjes së Krishtit, me përshkrimin e së cilës Papa Françesku e nisi homelinë e Meshës të së Dielës së Rrëshajëve. Po Shpirti Shenjt, duke zbritur mbi ta, i bën të rilindin, ua davarit frikën e pasigurinë, u jep forcë të re. E është Shpirti që - shpjegoi Papa - e bën të jetojë e të rijetojë Jezusin në ne, pikërisht ashtu, si bëri me Apostujt:

“Historia e dishepujve, që dukej sikur kishte arritur në stacionin e fundit,  përtërihet nga risia e Shpirtit Shenjt; këta të rinj që, të zhytur në pasiguri, mendonin se për ta nuk kishte më asnjë shpresë, shndërrohen nga gëzimi, që i bën të rilindin. Është vepra e Shpirtit Shenjt”.

Pushteti i Shpirtit - vijoi Papa -  është të sjellë harmoni përbrenda, në shpirtin njerëzor, por edhe përjashta, ndërmjet njerëzve. E, në këtë pikë, Papa përshkroi vrapimin e ethshëm të botës së sotme, në të cilën “jemi në rrezik të shpërthejmë”:

“Të nxitur nga nervozizmi i vazhdueshëm, që na bën të reagojmë keq për çdo gjë, kërkohet rrugëzgjidhja më e shpejtë, një tabletë pas tjetrës, për të shkuar përpara; një emocion pas tjetrit, për të ndjerë se jemi akoma gjallë. Po kemi nevojë sidomos, për Shpirtin Shenjt; është Ai, që e vë në rregull furinë tonë. Ai është paqe në shqetësim, besim në çkurajim, gëzim në trishtim, rini në pleqëri, guxim në provë. Eshtë Ai, që e ngul spirancën e shpresës, për të na shpëtuar nga stuhitë e jetës”.

Shpirti Shenjt është harmoni, që respekton larmitë e nuk krijon kundërvënie. Eshtë Ai, që e bën Kishën, edhe në periudha historike  kur gjithçka duket shumë ‘social’, e është pak ‘social’- vërejti Papa - i cili pastaj  tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur, edhe në Kishë, nga rreziku i pritës, që lind nga përjashtimi i tjetrit, për të pranuar vetëm vetveten e ata, që të ndjekin pas:

“Ekziston përherë tundimi për të ndërtuar ‘çerdhe’: për t’u mbledhur rreth grupit tënd, për të pranuar çka të pëlqen. E nga çerdhja tek sekti rruga është e shkurtër, edhe brenda Kishës, sa herë identiteti vetjak i kundërvihet ndokujt. Ndërsa Shpirti Shenjt i afron të largtit, i rigjen të humburit, i mbush me shpresë, të pashpresët”.

Sot në botë dizarmonitë vijojnë të shndërrohen në përçarje të mirëfillta: njëri ka tepër, tjetri, asgjë!  Ne - kujtoi Françesku...:

“... mund të themi se jetojmë në kulturën e mbiemrit, që e harron fare emrin e sendeve, e edhe në kulturën e talljes, përgjigjja e parë kjo, e cila i jepet opinionit, që nuk përkon me timin”.

Vetëm kush jeton sipas Shpirtit Shenjt, mund ta copëtojë logjikën, që të shtyn t’i përgjigjesh së keqes me të keqe, duke u shndërruar nga viktimë, në xhelat:

“Shpirti sjell paqe, ku ka grindje; pajtim, ku ka ndeshje. Njerëzit e përshpirtshëm i përgjigjen së keqes me të mirë, arrogancës me butësi, ligësisë me mirësi, poterës me heshtje, thashethemeve me lutje, disfatizmit me buzëqeshje”.

Por për të qenë njerëz të shpirtit, për ta shijuar harmoninë e Shpirtit - shpjegoi akoma Papa - duhet vënë shikimi i Tij para tonit, përndryshe si bashkimi, ashtu edhe Kisha, e shtrembërojnë natyrën e vet, të lodhin, e humbasin kuptimin:

“Me Shpirtin Shenjt, Kisha është popull shenjt i Zotit; misioni, gurrë gëzimi, jo prozelitizëm; të tjerët, vëllezër e motra të dashura nga vetë Ati. Por pa Shpirtin Shenjt, Kisha mbetet organizatë, misioni, propagandë; bashkimi, lodhje e kotë. Shpirti Shenjt ëshë nevoja e parë dhe e fundit  e Kishës”.  

Papa Françesku ftoi t’i drejtohemi me lutje të përditshme Shpirtit Shenjt “që të na bëjnë artizanë të harmonisë, mbjellës të së mirës, apostuj të shpresës”. E, më pas, lutja prekëse, drejtuar Shpirtit të Hyjit:

“O Shpirti Shenjt, harmonia e Zotit, Ti që e shndërron frikën në besim e mbylljen në dhuratë, eja në shpirtin tonë! Na e jep gëzimin e ringjalljes, rininë e zemrës! O Shpirti Shenjt, harmonia jonë! Ti, që bën nga ne një korp të vetëm, dikoje paqen tënde mbi Kishën e mbi botën! Shpirti Shenjt, na bëj artizanë të harmonisë, farëhedhës të së mirës, apostuj të shpresës!”.

09 qershor 2019, 15:11