Zona e universitetit, pas tërmetit në Kamerino Zona e universitetit, pas tërmetit në Kamerino 

Papa në Kamerino, ndër të dëmtuarit nga tërmeti

Të dielën, Papa Françesku shkon në Kamerino, në Marke të Italisë, ku në vitin 2016 ra një tërmet i rëndë, që dëmtoi një pjesë të madhe të zonës. Ati i Shenjtë, me helmetën për t’u mbrojtur, do të hyjë në qendrën e qytetit markixhan e do të drekojë në një shtëpi-konteiner.

R.SH. - Vatikan

Kamerino, qytet italian në Marke, në dioqezën Kamerino-Sanseverino, do të presë të dielën Papën Françesku, i cili do ta kalojë atje gjithë paraditen, deri në orët e para të pasdites. Tre vite më parë, qyteti u dëmtua rëndë nga tërmeti e qendra është akoma e pabanueshme, në pjesën më të madhe të saj. Për të hyrë në katedrale, Atit të Shenjtë do t’i duhet të vendosë helmetën në kokë, për t’u mbrojtur. Gjatë ditës, ai do të takohet edhe me familjet, që kanë humbur gjithçka. Strehohen akoma në zonën e ashtuquajtur “Zgjidhje strehimi emergjence”, në lokalitetin Cortine. Papa Françeku do të hyjë në disa shtëpi-konteiner dhe, me përzemërsinë e tij të zakonshme, do të flasë me të gjithë, do të shohë si jetojnë, do t’i ngushëllojë e do t’u shprehë solidaritetin e tij.

         Në programin mjaft të ngjeshur, Ati i Shenjtë shtoi, pak ditë para se të nisej, edhe një çast tjetër: pas lutjes së Engjëllit të Tënzot do të shkojë para kishës së Shën Marisë in Via, goditur rëndë nga tërmeti, që shkaktoi rënien e kambanores dhe të çatisë. Një vizitë private, gjatë së cilës, Ati i Shenjtë do të lutet në këtë vend kulti shumë të dashur për besimtarët e Kamerinos.

         Edhe drekën Papa do ta kalojë në mesin e kësaj gjendjeje të vështirë për shumë banorë të Italisë Qendrore, pas tërmetit. Françesku do të ulet në tryezë me rreth 70 meshtarë të dioqezës, në qendrën e bashkësisë së Shën Palit, e cila është ngritur në një parafabrikat. Do të jetë meshtar, në mesin e meshtarëve. Menyja, krejt e thjeshtë, e bazuar mbi prodhimet e territorit: makarona me vezë “tagliatelle”, mish rosto e akullore. Shërbejnë të rinjtë e baritorisë familjare.

         Parashikohen pra, gjashtë orë të bukura e intensive në qytezën, ku dëmtimet e tërmetit të vitit 2016 janë akoma mjaft të dukshme. Papa do të mbërrijë në qendrën sportive të Universitetit të Kamerinos me helikopter, në orën 8.45. Çasti qendror i vizitës është pa dyshim, mesha në orën 10.30, në Sheshin Cavour, ku do të jetë e pranishme edhe një përfaqësi e murgeshave të klauzurës, klariset e kuvendit të Shën Kiarës, që me këtë rast, morën lejen për të dalë jashtë. Vizita baritore e Atit të Shenjtë do të përfundojë rreth orës 15.00, kur Papa niset, sërish me helikopter, për në Vatikan.

14 qershor 2019, 11:26