Kërko

Papa në audiencën e përgjithshme: ta dëshmojmë Krishtin, larg vetëvlerësimit

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku nënvizoi vlerën e shqyrtimit komunitar. Kujtoi se ADN-ja e bashkësisë së krishterë është bashkimi dhe çlirimi nga vetvetja, që krijojnë kushtet për të mos u trembur nga ndryshimet, për të mos u kapur pas sendeve e për t’u bërë dëshmitarë të vërtetë të Zotit të gjallë. Në përfundim, përshëndetja e Papës drejtuar delegacionit ndërfetar të Hong Kongut, shoqëruar nga kardinali John Tong Hon, si dhe popave rusë, të pranishëm në audiencë

Të heqim dorë nga vetëvlerësimi, nga shpërdorimi i dhuratave të Zotit, nga  mediokriteti, për të rizbuluar bukurinë e dëshmimit të Krishtit të Ngjallur.  Për këtë i nxiti besimtarët Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke vijuar katekizmin kushtuar “shtegtimit” të Ungjillit, sipas Veprave të Apostujve. Vijoi, pra ecjen pas Ungjillit, që shkon gjithnjë përtej kufijve të botës e të jetës njerëzore,  qysh nga Ngjallja e Krishtit, burim i jetës së re. Dishepujt, duke iu bindur urdhërit të Jezusit, mbetën të bashkuar, të njëzëshëm, ngulmues në lutje. U shtrënguan rreth Marisë e u përgatiten ta marrin pushtetin e Zotit jo në mënyrë pasive, por duke e fuqizuar gjithnjë më shumë bashkimin ndërmjet tyre.

Juda ndahet nga bashkimi me Zotin

Pas ngjarjes së dhimbshme të Mundimeve - kujtoi në vijim Papa - Apostujt e Zotit nuk janë më dymbëdhjetë - numër emblematik për Izraelin, sepse përfaqëson 12 fiset - ndërsa për Kishën, 12 ndjekësit e zgjedhur nga vetë Zoti - por njëmbëdhjetë. Ndërmjet tyre nuk është më Juda, që vari veten, sepse nuk mundi ta durojë brerjen e tmerrshme të ndërgjegjes, pas tradhtisë:

“Kish nisur qëkur të shkëputej nga bashkimi me Zotin e me të tjerët, t’i besonte vetëm mendjes së vet, të izolohej, të kapej fort pas parasë, deri në atë pikë, sa t’i shpërdoronte të varfërit, ta humbiste nga sytë horizontin e  faljes e të dhurimit të vetvetes e ta lejonte virusin e fodullëkut t’ia prekte mendje e zemër, duke e shndërruar nga ‘mik’, në ‘armik’. E, në fund, edhe në prijës të atyre, që shkojnë ta arrestojnë Jezusin. Juda kishte pasur hirin e madh të merrte pjesë në grupin e miqve të ngushtë të Jezusit e të kryente të njëjtën shërbesë, por në një farë pike, pretendoi ta ‘shpëtojë’ vetë jetën e vet,  gjë që e çoi në humbjen e plotë të saj”.

Përmbi Jezusin

Juda - vuri akoma në dukje Papa - nuk i përkiste më Zemrës së Jezusit, sepse e përjashtoi vetveten nga  bashkimi me Të e me të tijtë:

“Nuk ishte më dishepull i Jezusit, sepse deshi të dilte mbi Zotin. E shiti. E me ‘paratë e fituara nga krimi’, bleu një truall, që nuk prodhoi fryte, por u vadit me gjakun e tij”.

Me sytë e Zotit

Nëse Juda - shtoi Papa - zgjodhi vdekjen në vend të jetës dhe ndoqi  shembullin e njerëzve të mbrapshtë, udha e të cilëve është terri, që të çon në greminë, “Të Njëmbëdhjetët - shpjegoi, duke ndjekur gjithnjë  fragmentin biblik të Veprave të Apostujve - zgjodhën jetën, bekimin e, pa i mbajtur për vete, i bënë të vërshojnë në histori brezni pas breznie, nga populli i Izraelit - në Kishë”. Gjithsesi, braktisja nga ana e njërit prej të Dymbëdhjetëve - vijoi Papa - hapi një plagë në korpin komunitar. U ndje, prandaj, nevoja që detyra e tij t’i kalonte një tjetri:

“Pjetri vuri kushtin: anëtari i ri  duhet të ishte dishepull i Jezusit që nga fillimi, domethënë, që nga Pagëzimi në Jordan, e deri në fund të fundit, deri tek të Ngjiturit e Krishtit në Qiell. Duhej përtërirë grupi i të Dymbëdhjetëve. U zbatua, në këtë pikë, praktika e shqyrtimit komunitar, e cila kërkonte të shikohej realiteti me sytë e Zotit, në optikën e unitetit e të bashkimit”.

Trupi i Të Dymbëdhjetëve

Ndërmjet kandidatëve, Jozefit Barsaba e Matisë, për të cilët u hodh  shorti, Zoti zgjodhi Matinë, që iu shtua të Njëmbëdhjetëve:

“U riplotësua, kështu, trupi i të Dymbëdhjetëve, shenjë e bashkimit, i cili ngadhënjen mbi përçarjet, mbi izolimin, mbi mendësinë, që absolutizon hapësirën vetjake e shenjë, që tregon se bashkimi është dëshmia e parë e dhënë nga Apostujt. Të mos e harrojmë! Jezusi u pati thënë: ‘Nga kjo të gjithë do ta dinë se jeni dishepujt e mi: nëse do të keni dashuri për njeri-tjetrin”.

Hiri i uniteit

Të Dymbëdhjetët, në Veprat e Apostujve - jetojnë e punojnë sipas stilit të Zotit:

“Janë dëshmitarë të akredituar të veprës së shëlbimit të Krishtit e nuk pretendojnë t’i tregojnë botës përsosurinë e tyre por, përmes hirit të unitetit, vënë në pah një Tjetër, që tashmë jeton në mënyrë të re, në mes të popullit të vet. E kush është? Është Zoti Jezus”.

Të mos lidhemi kurrë me sendet

Apostujt vendosin të jetojnë “nën sundimin e të Ngjallurit, në unitet me vëllezërit, në atmosferën e vetme të dhurimit të mirëfilltë të vetvetes”:

“Riorganizimi i kolegjit apostolik tregon se ADN-ja e bashkësisë së krishterë është uniteti, çlirimi nga vetvetja, që të mundëson të mos trembesh nga ndryshimet, të mos kapesh pas sendeve e dhuratave e të bëhesh martir, domethënë dëshmitar i Zotit të gjallë e veprimtar në histori”.

Përshëndetjet

Në përfundim të audiencës Papa, pasi përshëndeti delegacionin e ardhur nga Hong Kongu dhe popat ortodoksë rusë, të pranishëm në takimin e së mërkurës, kujtoi se nesër kremtohet festa e Shëna Ndout të Padovës, predikatar i shquar, pajtor i të varfërve e i të munduarve:

“Ndërmjetësimi i tij - u lut Françesku - na ndihmoftë ta provojmë ndihmën e mëshirës hyjnore”.

 

12 qershor 2019, 13:16