Kërko

Papa Natën e Rrëshajëve: me Shpirtin Shenjt, të dëgjojmë britmën e njeriut që vuan

Duke kremtuar Meshën e Natës së Rrëshajëve, Françesku shpjegoi se me Shpirtin Shenjt Zoti na merr për dore e na bën të dëgjojmë rënkimin e njeriut, që ka nevojë për shpëtim, sidomos në Romë. Pastaj u lut që Kisha të ecë në rrugët e hapura nga Shpirti Shenjt, jo në rrugë pastërtisht funksionalistike.

R. SH. - Vatikan

Përballë “ndërtimeve tona”, që besojmë se do të mund të prekin qiellin, vetëm Shpirti Shenjt, i cili vërshon në botë nga “gjiri” i Zotit, i bën të reja të gjitha sendet. Ta lëmë të na marrë për dore, për të na çuar në zemër të qyteteve, të Romës e të mbarë krijimit, për të dëgjuar britmën, gjëmimin, vuajtjen e edhe ëndrrat e njerëzve. Ky, reflektimi i Papës Françesku në homelinë e Meshës Natën e Rrëshajëve, kremtuar në tremen e Bazilikës së Vatikanit, në praninë e më se 50 mijë vetëve: besimtarë të dioqezës së Romës, pjesëmarrës të Konferencës ndërkombëtare të Karizmatikëve, pritur paradite nga Papa dhe anëtarë të realiteteve të ndryshme kishtare.

Projekte në shërbim të Zotit

Sot, si në çdo kohë - vërejti Papa duke kujtuar Leximin e Parë shkëputur nga Libri i Zanafillës - ka nga ata që mendojnë se mund të ndërtojnë kulla të larta, që prekin qiellin:

“Janë plane njerëzore, edhe planet tona, të sajuara në shërbim të “uni-t”, gjithnjë më të madh, që sulmon drejt një qielli, ku nuk ka më vend për Zotin. E Zoti na lë njëherë të bëjmë punën tonë, për ta parë deri në ç’pikë të së keqes e të trishtimit jemi të aftë të arrijmë pa Të…. Po Shpirti i Krishtit, Zotit të historisë, mezi ç’pret ta flakë në erë gjithçka ndërtuam, për të nisur nga e para”.

Gjiri i Zotit

Françesku vërejti se e kemi gjithnjë si shikimin, ashtu edhe zemrën të ngushtë:

“Kur lihemi vetëm e humbasim horizontin; na mbushet mendja se e kemi kuptuar gjithçka, se i kemi parasysh të gjitha ndryshimet, se e kemi parashikuar ç’do të ndodhë e si do të ndodhë. Janë të gjitha hamendjet tona, që na bëjnë të besojmë se e kapën qiellin me dorë. Ndërsa Shpirti Shenjt vërshon në botë nga lart, nga gjiri i Zotit,  atje ku lindi Biri, dhe i bën të reja të gjitha sendet”.

Paria e Shpirtit

Në prag të ditës së fundit të Kohës së Pashkëve, në Festën e Rrëshajëve, Françesku kujtoi se kremtohet “Paria e Shpirtit Shenjt”, që na bën të heshtim përballë paparashikueshmërisë së Planit të Zotit e pastaj të fërgëllojmë nga gëzimi:

“E kuptojmë se gjëmimi jonë, ai i popullit, që banon në këtë qytet dhe gjëmimi i gjithësisë, nuk janë tjetër, veçse gjëmim i vetë Shpirtit: është lindja e botës së re. Zoti është Ati e nëna, Zoti ëshë mamia. Zoti është gjëmimi, Zoti është Biri i lindur në botë e ne, Kisha, jemi në shërbim të kësaj lindjeje, jo në shërbim të vetvetes, jo në shërbim të ambicjeve tona, të ëndrrave tona për pushtet, jo! Në shërbim të veprës së Zotit, të kësaj mrekullie, të mrekullive, që bën Zoti”.

Për dore, në udhë të reja

Françesku e shikon si rrezik dëshirën për ta ngatërruar të renë e Shpirtit, “me metodën i risistemimit të të gjitha gjërave”: Shpirti i Zotit - theksoi - e përmbys gjithçka dhe e bën të nisë nga e para, por nëpër një udhë të re:

“Ta lëmë, atëhere, Shpirtin Shenjt të na marrë për dore e të na çojë në zemër të qyteteve, për të dëgjuar britmën, gjëmimin”.

Papa ftoi për të dëgjuar me zemër, ftoi për më shumë mëshirë. E, së fundi,  foli për Piun XII dhe Zojën e Mëshirës Hyjnore. 75 vjet më parë, më 11 qershor 1944 - kujtoi - Papa Piu XII  kreu një akt të posaçëm falënderimi  e lutjeje drejtuar Virgjërës, për mbrojtjen e qytetit të Romës. E kremtoi në Kishën e Shën Injacit, ku qe vendosur edhe figurja e Zojës së Dashurisë Hyjnore. Prandaj - vijoi të kujtojë - nuk është e rastit që, në përfundim të këtij kremtimi, besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit shtegtojnë  gjithë natën drejt Shenjtërores së Castel di Leva.

Larg rrugëve, që nuk vijnë nga Shpirti Shenjt

Më pas. ftesa për t’i hapur sytë dhe veshët, për të parë e për të dëgjuar çka dëshiron Shpirti Shenjt e për të ndenjur larg rrugëve, që nuk vijnë prej Tij:

“Më vjen të qaj, kur shikoj një Kishë që beson se është besnike ndaj Zotit,  duke u kënaqur me udhë pastërtisht funksionalistike, udhë që nuk vijnë nga Shpirti i Zotit”.

Është Kishë, që nuk di të zbresë, e kur nuk di të zbresë, nuk komandohet nga Shpirti Shenjt. Duhet, prandaj, të hapim sytë dhe veshët e, sidomos, zemrën, për të dëgjuar me zemër - kjo, porosia e Papës, Natën e Rrëshajëve:

“Atëhere vihemi me të vërtetë për udhë. Atëhere e ndjejmë në shpirt zjarrin e Rrëshajëve, që na nxit  t’u kumtojmë me sa zë që kemi  burrave e grave të këtij qyteti se mori fundi skllavëria e tyre e se është Krishti, udha që të çon në qytetin e qiellit. Për këtë duhet fe. T’ia kërkojmë sot Zotit dhuratën e fesë, që të mund të ecim në këtë udhë”.

 

09 qershor 2019, 12:24