Cerca

Vatican News
Papa Françesku, në takimin me kapelanët e Aviacionit civil Papa Françesku, në takimin me kapelanët e Aviacionit civil  (Vatican Media)

Papa, kapelanëve të Aviacionit: çojeni Krishtin në aeroporte, mes njerëzve

Aeroportet mund të shndërrohen nga periferi të mëdha njerëzore në porte dhe ura për takimin me Zotin e me vëllezërit, nëse ndihet prania dhe dashuria e Hyjit. Kjo, detyra që Papa u besoi kapelanëve katolikë dhe punonjësve baritorë të Aviacionit civil, të cilët u takuan me të sot paradite në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Prania e kapelanit apo e një punonjësi baritor në aeroporte është tejet e rëndësishme. Janë vende, ku kalojnë vazhdimisht miliona njerëz, me kombësi, kultura, fe dhe gjuhë të ndryshme e ku ekuipazhet e avionëve lëvizin frenetikisht nga një destinacion në tjetrin, larg familjeve. Këto vende kanë nevojë për praninë dhe dëshminë e Krishtit, në mënyrë që nga periferi ekzistenciale të kthehen në porte mikpritëse. Kështu u tha sot paradite Papa Françesku, kapelanëve pjesëmarrës në Seminarin ndërkombëtar të Dikasterit vatikanas për Zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, me temë: “Baritoria katolike e aviacionit civil dhe zhvillimi i gjithanshëm njerëzor”. Deri të enjten, rreth 90 përfaqësues të kapelanive aeroportuale do të vijojnë të reflektojnë mbi këtë çështje.

Të jeni prani falas, që mund të ndryshojë zemra

         Për një Papë, që në shtatë vite ka kryer 30 udhëtime apostolike nëpër botë, aeroportet janë të rëndësishme e i japin mundësinë për të parë sa shumë mund të jenë periferi njerëzore, anonime, indiferente, frenetike. Çdo njeri, që kalon në to, ka historinë e vet, por vetëm Zoti ia njeh, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili u kërkoi kapelanëve të jenë të pranishëm, duke dëshmuar dashurinë pa interes të Hyjit, pasi edhe një orë a një çast mund të lënë shenjë për gjithë jetën:

         “Është e vërtetë: për fat të keq, kultura e aeroporteve nuk është pa interes. Nuk është. Madje, është e kundërta, gjithnjë. Por ju hapini dyert për hapësirë dhe dialog pa interes. Në atë kuadër, ju ofroni - me shumë respekt dhe maturi - mundësinë për t’u takuar me ‘të tanishmen e Zotit’. Sepse ajo ditë, ajo orë tranziti, në të vërtetë, është e papërsëritshme e, ju jeni të aftë t’i kapni mundësitë që ju paraqiten, për t’iu afruar njerëzve me fantazinë e dashurisë baritore: si drejtuesve, ashtu edhe punonjësve, veprimtarëve dhe pasagjerëve. Dëshmia dhe mesazhi juaj, ‘këtu dhe tani’, mund të lënë shenjë për gjithë jetën, pikërisht me forcën e dhuratës pa interes”.

Periferi të mëdha njerëzore, ku duhet çuar Krishti

         Papa tregoi një rast të veçantë, atë të një afaristi që, gjatë ndalimit në aeroport, hyn në kapelë për të kërkuar një prizë korrenti për kompiuterin. Ndërsa priste ngarkimin e baterisë, iu afrua kapelani e, “fjalë pas fjale”, ky njeri ndjeu se diçka po i ndryshonte në zemër. Nga ajo ditë, pohoi Françesku, nuk reshti së lexuari Ungjillin “për të ndenjur sërish me Krishtin, që e pati takuar në aeroport”. Prandaj, Ati i Shenjtë i këshilloi kapelanët:

         “Ju nxis ta kryeni misionin tuaj me përkushtim e pasion, duke parë mijëra fytyrat, që ju kalojnë para syve, me zemrën e Krishtit, që secila ta ndjejë afërsinë e Zotit. Me këtë vështrim, aeroportet kthehen në ‘porta’ dhe ‘ura’ të takimit me Hyjin e me vëllezërit, bij të të njëjtit Atë. Madje, mund të bëhen vende të privilegjuara, ku delja e humbur të kthehet e të takohet me Bariun e vërtetë. Në fakt, në këto vende nisjeje dhe mbërritjeje, shpesh, krijohet një lloj ‘zone e lirë’, ku njeriu del nga anonimati dhe e hap zemrën, duke filluar një proces shërimi e kthimi në shtëpinë e Atit Qiellor”.

Të mbrohen të drejtat dhe dinjiteti i emigrantëve dhe i refugjatëve

         Më pas, Ati i Shenjtë u kërkoi kapelanëve të kujdesen për më të brishtët, sidomos për emigrantët dhe refugjatët:

         “Gjithmonë i ftoj Kishat lokale që t’i presin me respektin e duhur, pavarësisht se kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e autoriteteve civile. Në punën tuaj baritore bën pjesë edhe vigjëlimi për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të tyre njerëzore, duke respektuar kulturën dhe fenë e secilit. Veprat e bamirësisë ndaj tyre janë dëshmi e afërsisë së Hyjit me gjithë bijtë e vet”.

10 qershor 2019, 13:39