Kërko

Nga punimet në Casina Pio IV në Vatikan Nga punimet në Casina Pio IV në Vatikan 

Papa, gjykatësve panamerikanë: punoni për drejtësinë shoqërore e për primatin e dinjitetit të njeriut

Papa takoi gjyqtarët panamerikanë të mbledhur në Samitin për të drejtat shoqërore dhe magjisterin e vetë Françeskut, në Vatikan. Paralajmërimi: mos kini frikë të jeni protagonistët e shndërrimit të sistemit gjyqësor, bazuar në vlerën, drejtësinë dhe primatin e dinjitetit të njeriut. Ati i Shenjtë nënshkroi dokumentin e ri për mbrojtjen e të drejtave shoqërore.

R.SH. - Vatikan

Papa mbylli dje, në Shtëpizën Piu IV, në Vatikan, Takimin e gjyqtarëve panamerikanë, kushtuar të drejtave shoqërore dhe magjisterit të vetë Françeskut. Rreth 100 pjesëmarrës nga i gjithë kontinenti amerikan, ftuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, diskutuan për dy ditë me radhë mbi aspektet juridike në dokumentet themelore të magjisterit të Papës Françesku. Vetë Ati i Shenjtë e përqendroi fjalën e tij, në audiencën e mbrëmjes së djeshme, në dy argumente kryesore: drejtësia shoqërore dhe e mira e përbashkët. Dha edhe disa këshilla për t’i vënë fre përjashtimit, ndarjes dhe pabarazisë, që ndikojnë negativisht në shumë njerëz anembanë globit tokësor. Së fundi, nënshkroi, bashkë me gjykatësit panamerikanë, një dokument të rëndësishëm për mbrotjen e të drejtave shoqërore, me shpresën që ky impenjim në kontinentin amerikan të shtrihet në të gjithë botën.

Padrejtësia sjell dhunë

Gjatë fjalës së tij para gjyqtarëve, Papa Françesku vuri në dukje se, nga njëra anë, në çdo vend, shtohen e shumohen ligje e tekste legjistlative, që pasqyrojnë rreziqet e mundësitë e krizës aktuale globale, por, nga ana tjetër, njerëzit nuk arrijnë t’i gëzojnë vërtet të drejtat e tyre, madje, ka një prirje për t’i pranuar e, ç’është më keq, edhe për t’i shfajësuar pabarazitë si normale. “Padrejtësia dhe mungesa e mundësive të prekshme dhe konkrete… – theksoi Papa - është një mënyrë për të lindur dhunë: të heshtur, por gjithsesi, dhunë”.

Traktatet ndërkombëtare duhet të kenë vlerë universale

Kënaqësitë dhe mirëqenia janë për pak vetë, vazhdoi Ati i Shenjtë, ndërsa mijëra vëllezërit e fqinjët tanë, ku përfshihen edhe fëmijët, nuk kanë as çati mbi kokë, por, me një elegancë të shtirë, quhen njerëz “pa strehë të përhershme”. Duket sikur garancitë kushtetuese dhe traktatet ndërkombëtare nuk kanë vlerë universale e kjo është e papranueshme. “Padrejtësia shoqërore, që konsiderohet e natyrshme dhe bëhet e padukshme – kritikoi Papa – e që ne e kujtojmë apo e njohim vetëm kur ‘disa bëjnë zhurmë në rrugë’, duke u klasifikuar menjëherë si të rrezikshëm dhe të bezdisshëm, bën që historia të heshtë për shtyrjet e harresat. Më lejoni të them se kjo është një nga pengesat më të mëdha për paktin shoqëror ndërmjet njerëzve dhe e dobëson sistemin demokratik”.

Nuk ka demokraci me barkun bosh

         Papa Françesku kujtoi enciklikat “Evangelii gaudium” dhe “Laudato si’”, duke përvijuar udhën që në botë, të mos mbizotërojë padrejtësia. “Një sistem politiko-ekonomik, për t’u zhvilluar shëndetshëm - theksoi - duhet të garantojë…veprime konkrete, që mbrojnë dinjitetin e të gjithë banorëve, sipas logjikës të së mirës së përbashkët, duke bërë thirrje për solidaritet dhe duke zgjedhur të varfërit. Kjo kërkon përpjekje nga ana e autoriteteve më të larta, por, sigurisht, edhe nga ana e magjistraturës, për të zvogëluar hendekun ndërmjet njohjes ligjore të të drejtave dhe zbatimit të tyre në praktikë”. E pastaj, ngriti zërin: “Nuk ka demokraci me barkun bosh, nuk ka zhvillim me varfëri, nuk ka drejtësi me pabarazi”. Gjykatësit e sistemi ligjor në përgjithsësi, nënvizoi Françesku, nuk mund të rrinë duarkryq para konflikteve shoqërore; politikanët nuk duhet t’i lajnë duart para problemeve dhe as njerëzit nuk mund t’ua veshin fajin gjithnjë institucioneve për pakënaqësitë e tyre.

Të dëgjohet zëri i popullit

         Papa Françesku u kërkoi gjykatësve amerikanë të përdorin gjithë “fantazinë e tyre juridike” për t’i shndërruar institucionet, duke ua përshtatur realiteteve të reja shoqërore. Sipas Atit të Shenjtë, periferitë e sektorët më popullorë të shoqërisë nuk duhen parë thjesht si probleme, por si pjesë aktive e demokracisë, në të cilën kanë të drejtë e detyrë të marrin pjesë. “Kuadri politik e institucional – nënvizoi Ati i Shenjtë – nuk ekziston vetëm për të shmangur praktikat e këqia, por edhe për të inkurajuar praktikat e mira, për të stimuluar krijimtarinë, që kërkon udhë të  reja, për të lehtësuar iniciativat personale e kolektive”. Sidomos të rinjtë duhen formuar si duhet, që të bëhen protagonistë në shoqëri, pohoi Papa.

Kundër përdorimit të procedurave ligjore, sipas interesit

         Françesku denoncoi përdorimin e procedurave ligjore, sipas interesit të njerëzve e grupeve të caktuara. “Lawfare (allishverishet ligjore) – shpjegoi – përveçse vënë seriozisht në rrezik demokracinë, përdoren për të minuar proceset e reja politike dhe priren për të dhunuar sistematikisht të drejtat shoqërore”. Papa Bergoglio vlerësoi formimin e Komitetit të përhershëm panamerikan të Gjyqtarëve për të Drejtat Shoqërore: “Ju keni rol thelbësor, - u tha - jeni edhe ‘poetë shoqërorë’ kur nuk keni frikë të bëheni protagonistët e shndërrimit të sistemit gjyqësor, bazuar në vlera, drejtësi dhe në primatin e dinjitetit të njeriut ndaj çdo lloj tjetër interesi”. Në përfundim të audiencës, Papa Françesku nënshkroi dokumentin e rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave shoqërore, ku u bëhet thirrje gjyqtarëve dhe juristëve të marrin përsipër përgjegjësinë për zbatimin e drejtësisë e të ligjit, në favor të demokracisë së vërtetë.

05 qershor 2019, 13:24