Papa Françesku: zilia është uthulla e zemrës, e bën jetën të hidhur
R. SH. - Vatikan
“Të kërkojmë sy, që të dimë të shohim në Kishë “vëllezër e motra”! E të kërkojmë edhe zemër, që të dijë t’i pranojë të tjerët me atë dashuri të ëmbël, që ka vetë Jezusi për të gjithë. E të lypim edhe forcë, që të lutemi për ata, të cilët nuk mendojnë si ne. Të lutemi e të duam! E të mos shpërrallojmë askënd, pas shpine!”.
Kështu u shpreh Papa para lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Solemnitetin Shenjtorëve Pjetër e Pal, Apostuj e Pajtorë të Qytetit të Romës.
Zilia e helmon bashkësinë
Pikërisht për këtë, dy ikonave të fesë, që shpesh paraqiten duke shtrënguar njëri-tjetrin në një përqafim vëllazëror, Papa u kushtoi disa reflektime. Mbi të gjitha - kujtoi - ishin dy njerëz “shumë të ndryshëm”: njëri peshkatar, tjetri farize me përvojë të pasur jete. Kishin karaktere, mënyra sjelljeje, qëndrime tejet të ndryshme. Nuk munguan, prandaj, ndërmjet tyre, opinionet e kundërta e edhe diskutimet e ashpra - vijoi të kujtojë Papa. - Por mbetën gjithnjë të bashkuar, sepse çka i bashkonte, ishte pambarimisht më e madhe. I bashkonte Jezusi! Zoti i njërit e i tjetrit:
“Është mirë të vlerësohen cilësitë e tjetrit, të njihen dhantitë e tjetrit, pa ligësi e pa zili. Zilia! Eshtë e keqe zilia. Krijon hidhërim në shpirt e uthullim në zemër. Ziliqarët kanë shikim të idhtë. Sa herë, kur takohesh me ndonjë ziliqar, të lind dëshira ta pyesësh: ‘Ç’ke pirë sot në mëngjes, kafe me qumësht, apo zeher?!’. Sepse zilia është e hidhur. Ta zehëron jetën!”.
Sa gjë e bukur është kur e dimë se i përkasim njëri-tjetrit, sepse kemi të njëjtën fe, të njëjtën dashuri, të njëjtën shpresë, të njëjtin Zot. I përkasim njëri-tjetrit e Kishës sonë!
Dashuria e ndërton Kishën
Herë të tjera dy Apostujt paraqiten duke e mbajtur në këmbë ndërtesën e Kishës. Në Ungjillin e sotëm Jezusi thotë: “Ti je Pjetër, shkëmb, e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time” (Mt 16,18). E Papa Bergoglio u ndalua posaçërisht tek mbiemri “time”. Jezusi nuk flet për Kishën, si për një realitet jashtë nesh - shpjegoi Papa - por shpreh dashurinë e pafundme, që ushqen për të: “Për Zotin, ne nuk jemi një grumbull besimtarësh a ndonjë organizatë fetare, ne jemi nusja e Tij”, “pavarësiht nga gabimet tona e nga tradhtitë tona”:
“Ashtu si i tha atë ditë Pjetrit, sot na thotë ne, të gjithëve: ‘Kisha ime!Ju jeni Kisha ime’. E mund ta përsërisim edhe ne: Kisha ime! Nuk e themi me kuptimin se na përket, por se i përkasim, me dashuri të pafundme. Jo për t’u dalluar nga të tjerët, por për të mësuar bukurinë e qëndrimit me të tjerët, sepse Jezusi na do të bashkuar, zemërhapur. E sepse Kisha nuk është ‘imja’, ngaqë përkon me unin tim, me ëndjet e mia, por që në të të zbraz gjithë zemrën time”.